
Qeveria e Gjuro Macut u votua nga shumica e deputetëve. Seanca nisi në orën 10:00 dhe vijoi deri në votimin për kabinetin e ri qeveritar që do të drejtohet nga Gjuro Macut.
Për zgjedhjen e qeverisë së re votuan 153 deputetë, ndërsa kundër propozimit ishin 46. Të pranishëm nuk ishin 51 deputetë.
Politika ekonomike e Serbisë nuk do të ndryshojë. Të paktën kështu ka paralajmëruar Macut, duke e arsyetuar programin e tij para deputetëve të Kuvendit.
Ai tha se “do të vazhdohet me politikën e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik që kemi pasur deri më tani”.
Qeveria e re e Serbisë, do të përbëhet nga 30 ministra, shumica prej të cilëve ishin edhe në kabinetin e kryeministrit Milosh Vuçeviç, i cili dha dorëheqje.
Ndër emrat e rinj në Qeveri janë Dejan Vuk Stankoviq si ministër i Arsimit, Nenad Vujić si ministër i Drejtësisë dhe Dragan Glamoçiq si ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave, Boris Bratina si Ministër i Informacionit dhe Telekomunikacionit dhe Demo Berisha si Ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve dhe Dialogun Social.
Diskutimet më të shumta ishin për kandidatin për ministër të Arsimit, Dejan Vuk Stankoviq dhe akuzat për ngacmime seksuale ndaj studenteve në Fakultetin e Arsimit.
Lini një Përgjigje