
“Duke ardhur nga vende të shkatërruara nga lufta si Afganistani dhe Iraku, disa prej tyre kanë përvojë ushtarake...Ne jemi përballur me rrjete shumë të strukturuara dhe profesionale, të cilat që nga fundi i vitit 2023 i kanë inkurajuar emigrantët të përfshihen në akte dhune, që ne nuk e kemi parë më herët”.
Kalimet e parregullta kufitare në Bashkimin Evropian, ranë me 31 për qind në 3-mujorin e parë të këtij viti, në 33.600. Shifrat e publikuara nga Frontex, Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare, duket se tregojnë se BE-ja po arrin të vendosë nën kontroll migracionin e paligjshëm.
Por të dhënat mund të jenë mashtruese. Rënia më e madhe e hyrjeve të parregullta ishte rruga e Ballkanit Perëndimor, me 64 për qind më pak në të njëjtën periudhë të vitit 2024. Dhe kjo shpjegohet kryesisht me hyrjen e Bullgarisë dhe Rumanisë në Zonën Shengen më 1 janar të këtij viti.
Për pasojë, më shumë policë janë vendosur në kufi, dhe me sa duket ata kanë qenë të suksesshëm në kontrollin e kufijve. Po ashtu, Frontex thotë se ka pasur një rënie “të konsiderueshme” të numrit të emigrantëve që kaluan Mesdheun në muajin mars.
Kjo për shkak të stuhive që e goditën Italinë në gjysmën e dytë të muajit të kaluar. Më 13 mars, Frontex deklaroi se në dy muajt e parë të 2025-ës, rruga e Mesdheut Qendror kishte përjetuar një rritje fluksi prej 48 për qind në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me afro 7.000 emigrantë që e kaluan detin për të ardhur në Evropë.
Shumica e tyre vinte nga Pakistani, Bangladeshi dhe Siria. Fluksi në Rrugën e Afrikës Perëndimore drejt territorit spanjoll ra me 18 për qind në 3-mujorin e parë të këtij viti, edhe pse mbetet më e ngarkuara. Në janar dhe shkurt, mbi 7200 emigrantë mbërritën në Ishujt Kanarie, shumica nga Mali, Senegali dhe Guinea. Qindra të tjerë udhëtuan në javën e parë të prillit, të joshur nga qeveria socialiste pro emigrantëve në Spanjë.
Kjo nuk do të thotë se duhet hedhur poshtë puna e madhe dhe e vështirë e policisë dhe forcave kufitare në Spanjë, Francë dhe gjetkë në Evropë. Muajin e kaluar një hetim 2-vjeçar që përfshiu policinë spanjolle dhe atë franceze, solli çmontimin e asaj që u përshkrua si një organizatë ndërkombëtare shumë e sofistikuar, me qendra në të dyja vendet.
19 trafikantë u arrestuan pasi besohet se kishin ndihmuar mbërritjen në Evropë të një numri të madh emigrantësh nga Lindja e Mesme, Afrika Veriore dhe Sub-Sahariane. Kjo është edhe sfida me të cilën përballen autoritetet: bandat që merren me trafikut të klandestinëve po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara dhe dinake.
InfoMigrants, një shërbim evropian i informimi mbi emigrantët, deklaroi muajin e kaluar se bandat po përdorin gjithnjë e më shumë gomone me shpejtësi të lartë për t’iu shmangur autoriteteve. Kalimet në Evropë kushtojnë nga 5.000- 8.000 euro personi. Prandaj, ka të ngjarë që numri i vërtetë i hyrjeve të parregullta në Evropë këtë vit të jetë më i lartë se shifrat e Frontex, pasi ato i referohen vetëm hyrjeve të zbuluara.
Sa emigrantë kanë zbarkuar të pazbuluar nga autoritetet? Vendosmëria e bandave, përputhet me atë të emigrantëve të dëshpëruar për të ardhur në Evropë, dhe më shpesh, në Britani. Që nga fillimi i këtij viti, më shumë se 8.000 emigrantë kanë arritur të kalojnë Kanalin, pavarësisht se policia ka shkatërruar 10 rrjete të trafikut në 3 muajt e parë të 2025.
Autoritetet çmontuan 22 rrjete të ngjashme në vitin 2024. Policia franceze ka vënë re shfaqjen e një fenomeni të ri muajt e fundit: bandat “100 për qind afrikane”, që veprojnë me bekimin e trafikantëve shqiptarë dhe irakiano-kurdë, të cilët prej vitesh e kanë dominuar emigracionit të paligjshëm.
Siç e kam shkruar në vitin 2023, trazirat politike në Afrikën Sub-Sahariane, dhe veçanërisht në Niger, ka të ngjarë të kenë pasoja për krizën e emigrantëve në Evropë. Rrëzimi atë vit nga pushteti i presidentit Mohamed Bazoum nga një grusht shteti ushtarak e privoi BE-në nga një partner, dhe rrjedhimisht Nigeri është kthyer sërish në një burim kryesor për flukset e emigrantëve.
Një raport javën e kaluar në të përditshmen franceze “Le Figaro”, tregoi se si policia dhe xhandarët në bregdetin francez e kanë të vështirë të frenojnë largimin e emigrantëve drejt bregut matanë, pra në Britaninë e Madhe.
Një zyrtar i lartë tha: “Duke ardhur nga vende të shkatërruara nga lufta si Afganistani dhe Iraku, disa prej tyre kanë përvojë ushtarake...Ne jemi përballur me rrjete shumë të strukturuara dhe profesionale, të cilat që nga fundi i vitit 2023 i kanë inkurajuar emigrantët të përfshihen në akte dhune, që ne nuk e kemi parë më herët”.
Nganjëherë, shtoi oficeri, dhuna shoqërohet me thirrjet “Allahu Akbar”. Frontex po bën më të mirën që mundet, por ajo përballet me një rrjet të mirë-organizuar trafikantësh, me përvojë dhe shumë të vendosur në synimin e tyre. Dhe me afrimin e verës, ata do të kenë së shpejti edhe motin në anën e tyre./Përgatiti në shqip: Pamfleti
Lini një Përgjigje