
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i zhgënjyer nga refuzimi i Perëndimit për t’i dërguar avionë F-16, u shpreh i bindur se Kievi do të nisë ofensivën kundër forcave ruse pavarësisht se nuk është furnizuar me avionë luftarakë.
Zelensky shpesh ka bërë thirrje për zgjerimin e ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën me avion luftarak dhe armë me reze të gjatë veprimi, por ka hasur në refuzimin e aleatëve të medhenjë si SHBA-ja dhe Gjermania.
“Të them të drejtën, do të na ndihmonte shumë. Por ne gjithashtu e kuptojmë se nuk mund ta zvarrisim kundërofensivën, prandaj do ta fillojmë atë para se të marrim avionë F-16 ose modele të tjera të avionëve luftarakë perëndimorë”, tha ai.
Zelensky ushtroi trysni ndaj Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg për këtë çështje në një takim në Kiev më 20 prill. Ai gjithashtu ka thënë se ka ardhur koha që aleanca ushtarake perëndimore të hapë dyert për anëtarësimin e Ukrainës.
Pasi përballoi ofensivat ruse gjatë dimrit dhe pranverës, të cilat rezultuan në përparime të vogla të trupave ruse në lindje, Ukraina tani shpreson të rimarrë rajonet e pushtuara në jug dhe lindje të vendit në një kundërofensivë në javët ose muajt e ardhshëm.
Lini një Përgjigje