TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Tetor 2023, 11:34

Samiti SHBA-BE, fokus i diskutimeve Ballkani Perëndimor

Shkruar nga Pamfleti

    Samiti SHBA-BE, fokus i diskutimeve Ballkani Perëndimor

    Situata në Ballkanin Perëndimor dhe angazhimi i përbashkët në këtë rajon do të jetë një prej temave të samitit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që zhvillohet sot në Uashington.

    Kështu konfirmuan për Radion Evropa e Lirë burimet në Bruksel, duke thënë se në konsultimet me partnerët amerikanë është përmendur edhe Ballkani Perëndimor si temë e samitit.

    Megjithatë, burimet diplomatike thanë se kësaj teme nuk pritet që liderët e SHBA-së dhe BE-së t’i kushtojnë shumë kohë në samit, pasi aty do të diskutohet për dy krizat më të mëdha në botë aktualisht, përkatësisht për luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe konfliktin mes Izraelit dhe militantëve palestinezë të Hamasit. Po ashtu, vëmendje do të marrin edhe raportet tregtare me Kinën.

    Gjithsesi, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë – që ndërmjetësohet nga BE-ja dhe mbështetet nga SHBA-ja – situata në Bosnje e Hercegovinë dhe situata e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor janë tema që kërkojnë kujdesin e përbashkët të Uashingtonit dhe Brukselit.

    Një ditë pas mbajtjes së samitit në Uashington, në Kosovë dhe Serbi do të nisin vizitën i dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me kolegët e tij nga Gjermania, Franca dhe Italia. Vizita e përfaqësuesve ndërkombëtarë synon të ringjallë dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në BE thonë se është jashtëzakonisht e rëndësishme që SHBA-ja të mbështesë dialogun Kosovë-Serbi, por edhe rolin udhëheqës të BE-së si lehtësues në këtë proces.

    Samiti SHBA-BE është i pari që zhvillohet pas më shumë se dy vjetësh. Nikoqir i takimit të së premtes do të jetë presidenti amerikan, Joe Biden, ndërkaq nga BE-ja në këtë samit do të marrin pjesë presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

    Në këtë takim pritet të shprehet mbështetja e përbashkët për luftën e Ukrainës kundër agresionit rus./REL

    Lini një Përgjigje