Ky samit vjen dy ditë pas një shkëmbimi të zjarrtë mes liderit ukrainas dhe presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer ka shpallur një plan me katër pika për të punuar me Ukrainën për t'i dhënë fund luftës dhe për të mbrojtur vendin nga Rusia.
Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe vende të tjera do të shtojnë përpjekjet e tyre në një "koalicion vullnetarësh" dhe do të kërkojnë të përfshijnë SHBA-në në mbështetjen e tyre për Ukrainën, tha ai të dielën pasi thirri një samit të 18 liderëve kryesisht nga Evropa duke përfshirë edhe Volodymyr Zelenskyn.
Ky samit vjen dy ditë pas një shkëmbimi të zjarrtë mes liderit ukrainas dhe presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Ne të gjithë po punojmë së bashku në Evropë për të gjetur një bazë për bashkëpunim me Amerikën për një paqe të vërtetë dhe siguri të garantuar”, tha Zelensky.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macron i tha gazetës Le Figaro se Parisi dhe Londra donin të propozonin një armëpushim njëmujor midis Rusisë dhe Ukrainës "në ajër, në det dhe në infrastrukturën energjetike".
Duke folur në një konferencë shtypi menjëherë pas takimit të liderëve, Starmer tha se katër pika që ishin rënë dakord janë:
1-Vijimi i ndihmës ushtarake në Ukrainë dhe shtimi i presionit ekonomik ndaj Rusisë
2- Çdo paqe e qëndrueshme duhet të sigurojë sovranitetin dhe sigurinë e Ukrainës dhe Ukraina duhet të jetë e pranishme në çdo bisedim paqeje.
3-Në rast të një marrëveshjeje paqeje, duhet rritur aftësia mbrojtëse e Ukrainës për të penguar çdo pushtim të ardhshëm.
4- Krijimi i një "koalicioni të të gatshëmve" për të mbrojtur një marrëveshje në Ukrainë dhe për të garantuar paqen më pas.
Kryeministri britanik nuk deklaroi se cilat vende kanë rënë dakord për t'iu bashkuar këtij koalicioni, por tha se ata që janë angazhuar do të intensifikojnë planifikimin me urgjencë reale.
Starmer njoftoi gjithashtu një financim shtesë prej 1.6 miliardë paundësh për Ukrainën për të blerë më shumë se 5,000 raketa të mbrojtjes ajrore.
Samiti i së dielës mbyll një javë të ethshme diplomacie, e cila përfshinte vizita në Uashington nga Macron, Starmer dhe Zelensky.
Takimi i Zelenskyt, megjithatë, kulmoi me një shkëmbim të nxehtë me Trump dhe nënpresidentin e SHBA JD Vance, në të cilin presidenti amerikan akuzoi homologun e tij ukrainas për "bixhoz me Luftën e Tretë Botërore".
Trump ka thënë se dëshiron t'i japë fund luftës në Ukrainë dhe ka shprehur besim tek presidenti rus Vladimir Putin, për të habitur shumë prej aleatëve të tij perëndimorë.
SHBA ka filluar gjithashtu bisedimet e paqes me Rusinë, duke përjashtuar Ukrainën.
Në një moment, udhëheqësi amerikan akuzoi Ukrainën për fillimin e luftës edhe pse ishte Putin ai që nisi një pushtim të plotë të fqinjit të Rusisë më 24 shkurt 2022./ Pamfleti
Lini një Përgjigje