Ushtria izraelite planifikon të vazhdojë fushatën e saj ushtarake kundër Iranit për të paktën edhe tre javë, pasi “mijëra objektiva mbeten ende”, deklaroi përfaqësuesi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), gjeneral brigade Effie Defrin.
Në një intervistë për rrjetin CNN, Defrin tha se operacionet janë planifikuar në koordinim me Shtetet e Bashkuara dhe mund të zgjasin përtej disa javëve.
“Kemi mijëra objektiva përpara nesh. Jemi të përgatitur, në koordinim me aleatët tanë amerikanë, me plane që shtrihen të paktën deri në festën hebraike të Pashkës, rreth tre javë nga tani. Kemi edhe plane më të gjera për tre javë të tjera pas kësaj”, tha ai.
Sipas ushtrisë izraelite, që nga fillimi i fushatës kundër Iranit më 28 shkurt, forcat ajrore izraelite kanë kryer rreth 400 valë sulmesh ajrore në rajonet perëndimore dhe qendrore të Iranit. Operacionet janë përqendruar në shkatërrimin e infrastrukturës ushtarake dhe neutralizimin e njësive të lidhura me raketat, mbrojtjen ajrore dhe prodhimin ushtarak.
Zyrtarë izraelitë thonë se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë goditur tashmë mijëra objektiva që nga fillimi i luftës.
Defrin theksoi se ushtria izraelite nuk vepron sipas një afati të caktuar, por sipas arritjes së objektivave të saj ushtarake.
“Ne nuk funksionojmë me kronometër apo me një kalendar të caktuar, por sipas arritjes së qëllimeve tona”, tha ai, duke shtuar se synimi është dobësimi serioz i regjimit iranian.
Lini një Përgjigje