Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se lufta kundër Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit do të përfundojë vetëm kur Irani të jetë i sigurt se sulme të ngjashme nuk do të ndodhin më dhe se do të paguhet kompensim për dëmet.
Në një intervistë të publikuar nga portali i lajmeve Al-Araby Al-Jadeed, Araghchi tha se përvoja e konfliktit të kaluar e ka bërë Teheranin të kërkojë garanci të qarta.
“Kjo luftë do të përfundojë kur të jemi të sigurt se nuk do të ndodhë përsëri dhe se do të paguhet edhe kompensimi. E përjetuam këtë vitin e kaluar: Izraeli sulmoi, pastaj SHBA-të u kthyen, u riorganizuan dhe na sulmuan përsëri”, deklaroi ai, duke iu referuar përplasjes ushtarake të qershorit 2025.
Në të njëjtën intervistë, kryediplomati iranian tha se Teherani disponon “shumë prova” që, sipas tij, tregojnë se bazat amerikane në Lindjen e Mesme përdoren për sulme kundër Republikës Islamike.
Sipas Araghchit, këto prova përfshijnë fotografi satelitore dhe të dhëna nga mbikëqyrja elektronike. Ai shtoi se raketa të përdorura në sulme kundër ishullit Kharg, në Gjirin Persik – ku ndodhet terminali kryesor i eksportit të naftës së Iranit – janë lëshuar nga territori i Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ministri iranian u bëri gjithashtu thirrje vendeve të tjera të shmangin veprime që mund të përshkallëzojnë konfliktin. Gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm të Francës, Jean-Noël Barrot, ai kërkoi që shtetet të “përmbahen nga çdo veprim që mund të çojë në zgjerimin e luftës”, sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme iraniane.
Deklaratat e tij vijnë pasi presidenti amerikan Donald Trump u bëri thirrje disa vendeve, përfshirë Francën, Kinën, Japoninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, të dërgojnë anije luftarake për të mbrojtur transportin global të naftës në Ngushticën e Hormuzit, një korridor strategjik që Irani e ka bllokuar pjesërisht.
Lini një Përgjigje