Ndërsa fushata e Rusisë vazhdon, ne duhet të jemi të përgatitur për shumë raste më tronditëse që do të zbulohen në vijim...
Një britanik akuzohet se po synonte t’i vinte zjarrin një biznesi ukrainas, teksa dyshohet se ishte rekrutuar nga një spiun rus me lidhje me grupin mercenar Wagner. I dyshuari, Dylan Earl, do të përballet me gjyqin sipas Aktit të ri të Sigurisë Kombëtare, rasti i parë sipas legjislacionit të ri që u miratua enkas për të goditur spiunët e huaj.
Katër burra të tjerë janë po ashtu të akuzuar gjithashtu në lidhje me komplotin. Por ky rast s’duhet parë si një incident i izoluar. Sepse ekziston një fushatë sabotazhi shumë më e gjerë dhe më serioze ruse që përfshin të gjithë Evropën.
Dhe ajo çka është më shqetësuese: modelet e sjelljes përputhen me parashikimet e asaj që Rusia do të përpiqej të bënte përpara një konflikti të hapur me NATO-n. Duket se ka pak pjesë të Evropës që nuk janë në objektiv. Në fillim të prillit, Gjermania arrestoi 2 persona të dyshuar për planifikimin e sulmeve në emër të Rusisë mbi një sërë objektivash, përfshirë bazat ushtarake amerikane.
Në Lituani, Moska ka përdorur rrjete të organizuara kriminale për të organizuar sulme fizike ndaj figurave të opozitës ruse. Policia suedeze po heton nëse një sabotim i mundshëm mund të fshihet pas një numri daljesh nga binarët të disa trenave në veriun e vendit. Ndërkohë shërbimet e sigurisë estoneze, kanë regjistruar përpjekje të shtuara të rusëve për të rekrutuar qytetarë vendas me synim sulmin ndaj qeverisë së tyre.
Polonia, e cila ka rrugët kyçe për dërgimin e furnizimeve në Ukrainë, është shënjestruar më shpesh se të tjerët. Në fillim të këtij muaji, autoritetet polake arrestuan një burrë që ua zbulonte rusëve masat e sigurisë në aeroportin e rëndësishëm Rzeszow, me sa duket me qëllim ndihmën e përgatitjes së një atentati ndaj presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Vitin e kaluar, rrjeti hekurudhor i vendit u vu në shënjestër nga sinjale radio të paautorizuara në ato që u cilësuan qartazi si akte sabotazhi. Por rekrutimi i përfaqësuesve është vetëm njëra nga mënyrat se si Rusia tashmë po sulmon Evropën përtej Ukrainës.
Një model i ngjashëm vihet re në luftën elektronike ruse që po pengon fluturimet rreth rajonit të Detit Baltik. Në muajin mars, Rusia bllokoi sinjalin e një avioni RAF që transportonte Grant Shapps. Ndërsa javën e kaluar, Moska u akuzua se kishte shënjestruar në mënyrë të ngjashme mijëra fluturime për, dhe nga aeroportet e Britanisë së Madhe.
Në fakt, kjo ka qenë prej kohësh një normë për avionët që fluturojnë në këtë rajon. Larg nga të qenit diçka që prek vetëm britanikët, ky është një problem i madh në një zonë në zgjerim të Evropës që daton vite më parë dhe që shndërrohet në diçka gjithnjë e më serioze.
Tani trajtohet si diçka normale që një numër sistemesh navigimi të mos jenë të disponueshëm mbi Detin Baltik dhe të Zi. Edhe në Norvegjinë veriore, ndërhyrja ruse e GPS-it pengon jo vetëm çdo ditë trafikun ajror, por edhe punën e policisë dhe shërbimeve të urgjencës.
Kjo nuk do të thotë se fluturimi në Evropë është i pasigurt - megjithëse avionët janë ende në gjendje të përdorin një sërë opsionesh rezervë - por do të thotë se nuk janë më të disponueshme disa nga sistemet që sigurojnë navigim të sigurt dhe shmangien e përplasjeve. Dhe aty ku aeroportet varen nga shërbimet e bazuara tek sistemi GPS, ulja bëhet e pamundur dhe fluturimet duhet të devijojnë, madje të heqin dorë dhe të kthehen në pikën e tyre fillestare. Kuptohet që linjat ajrore janë të kujdesshme dhe ngurrojnë të tërheqin vëmendjen ndaj një çështjeje që disa pasagjerë mund ta shohin si komprometim të sigurisë së tyre.
Por kostot ekonomike dhe ndërprerja e qarkullimit normal është e lartë dhe në rritje. Dhe është e vështirë të parashikohet se sa mund të vazhdojë kjo. Ndikimi në rritje i anulimeve të fluturimeve dhe i uljeve të detyruara është një kosto që i atribuohet drejtpërdrejt veprimit rus. Por mosveprimi i Perëndimit do të thotë se për Moskën nuk ka pasoja. Edhe në det, Rusia është shumë aktive në misionet e saj përçarëse. “Flota fantazmë” e Moskës, e përbërë nga anije me pronarë misteriozë, me sigurime të dyshimta dhe të regjistruara në vende si Eswatini (që si një vend pa dalje në det, nuk është një komb tradicional detar) ka qenë veçanërisht i zënë me një evazion sanksionesh dhe spiunazh rreth ishullit Gotland në Detin Baltik, i njohur prej kohësh si një objektiv kyç për shkak të rëndësisë së tij për kontrollin e trafikut detar dhe ajror në rajon.
Të gjitha këto janë shembuj të veprimeve armiqësore nga Rusia që po normalizohen gradualisht, sepse askush nuk është i gatshëm apo në gjendje që të merret me to. Sërish, problemi mund të duket si lokal. Por fakti është se ai ka kosto të menjëhershme për të gjithë ne, në formën e ndërprerjes dhe kostove më të larta të transportit dhe tarifave të sigurimit.
Ndërkaq, ekzistojnë edhe pasoja afatgjata të asaj që mund të përgatitet të bëjë Rusia. Edhe fundjavën që kaloi, anijet në rajon raportuan një valë ndërprerjesh të GPS, duke treguar se lufta përçarëse elektronike nga Rusia e ka rritur shpejtësinë dhe tani po ndikon në trafikun detar në sipërfaqe.
Nëse nuk bëhet asgjë, hapi tjetër logjik, është që Moska të përpiqet të bllokojë GPS edhe për trafikun rrugor. Në kushtet e miliona sistemeve të navigimit të varura nga shërbimet e vendndodhjes GPS, kjo mund të sjellë kaos në tokë në të gjithë rajonin.
Që të gjitha këto janë shembuj të veprimeve armiqësore nga Rusia, të cilat po normalizohen gradualisht, sepse askush nuk është i gatshëm apo në gjendje të merret me to. Në këtë mënyrë, Rusia po i shtyn më tej kufijtë e asaj që është e pranueshme, ose të paktën e pranuar, dhe duke shkuar më tej kur nuk ka përgjigje nga Perëndimi.
Por ka edhe më. Në vitin 2020, unë bashkë-shkrova një studim për Agjencinë Suedeze të Kërkimeve të Mbrojtjes mbi atë që planifikuesit ushtarakë e quajnë A2AD, pra se si në rast lufte, Rusia mund të përpiqet të ndalë forcat e NATO-s që të lëvizin aty ku duhet.
Unë analizova mënyrat se si Rusia mund të bllokonte Evropën edhe përpara një konflikti, pa asnjë të shtënë armësh. Dhe ajo që është kaq alarmante tani, se shumë nga metodat që përshkrova, përfshirë bllokimin e GPS, sabotazhin, proxies lokale dhe shumë më tepër, janë tashmë në përdorim në të gjithë Evropën dhe Britaninë e Madhe.
Rusia e ka zgjeruar shumë fushatën e saj kundër nesh, dhe kjo është një shenjë rreziku për atë që mund të vijë më pas. Metodat e Rusisë kanë evoluar. Bandat e vrasësve që bridhnin Evropën dekadën e kaluar, përfshirë ata që sulmuan Sergei Skripal në Salisbury, përbëheshin nga oficerë të ushtrisë ruse dhe shërbimeve sekrete.
Sot modeli i sulmeve, përfshirë ato në Mbretërinë e Bashkuar, tregon se Rusia po rekruton profesionistë të pavarur që të veprojnë në emër të saj. Kjo mund të ndodhë për shkak se njerëzit e saj identifikohen shumë lehtë, ose janë shumë të zënë pas linjave të frontit në Ukrainë.
Por modeli tregon nga ana tjetër edhe atë që ne e dimë prej kohësh: se Rusia mund të gjejë gjithmonë individë të paskrupull për të sulmuar vendet e tyre në emër të Moskës. Të dyshuarit britanikë për zjarrvënie, akuzohen në bazë të Aktit të ri të Sigurisë Kombëtare, i cili ka hyrë në fuqi jo shumë shpejt, pasi më parë një gamë e gjerë veprimesh armiqësore kundër Britanisë në emër të fuqive të huaja ishin krejtësisht të ligjshme.
Agresioni gjithnjë e më i guximshëm i Rusisë në Evropë dhe në Mbretërinë e Bashkuar, tregon se ne të gjithë jemi nën sulmin e Moskës. Prandaj, është inkurajuese të shohësh fillimin e zbatimit të ligjit të ri. Por ndërsa fushata e Rusisë vazhdon, ne duhet të jemi të përgatitur për shumë raste më tronditëse që do të zbulohen në vijim./Përshtati Pamfleti nga “The Independent”
Shënim: Keir Giles punon me Programin e Rusisë dhe Euroazisë në think-tankun “Chatham House”. Libri i tij i ardhshëm titullohet “Kush do ta mbrojë Evropën”.
Lini një Përgjigje