
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky e ka nisur fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, duke thënë se Rusia po “armatizonte” mungesën globale të ushqimit dhe krizën e energjisë.
Ai tha se Moska po e bënte këtë me shpresën që disa ose të gjitha territoret e aneksuara të Krimesë, Zaporizhzhia, Luhansk, Donetsk dhe Kherson të njihen ndërkombëtarisht dhe ligjërisht si tokë ruse.
Zelensky gjithashtu e akuzoi Rusinë për gjenocid e për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas me qëllim për t'i mësuar ata të urrejnë Ukrainën.
"Ka dhjetëra mijëra fëmijë që ne e dimë se janë rrëmbyer nga Rusia dhe ne po përpiqemi t'i kthejmë fëmijët në shtëpi, por koha kalon. Çfarë do të ndodhë me ta? Ata fëmijë në Rusi mësohen të urrejnë Ukrainën dhe të gjitha lidhjet me familjet e tyre janë prishur. Ky është padyshim një gjenocid. Ne duhet të veprojmë të bashkuar për të mposhtur" Rusinë, në mënyrë që OKB të mund të fokusohet në sfida të tjera globale”, shtoi ai.
Zelensky vazhdoi fjalimin e tij duke renditur kërcënime të tjera vdekjeprurëse, përveç armëve bërthamore.
“Ne shohim qytete, shohim fshatra në Ukrainë, të fshira nga artileria ruse. Ne i dimë efektet e mundshme të përhapjes së luftës në hapësirën kibernetike. Falë Zotit, njerëzit nuk kanë mësuar ende se si të përdorin klimën si armë", vazhdon ai, përpara se të listojë disa fatkeqësi natyrore të kohëve të fundit.
Zelensky foli më pas për formulën e tij të paqes, e cila thotë se do t'i japë fund luftës në Ukrainë. Ai njoftoi planet për të pritur një samit global të paqes, duke i bërë një ftesë "të gjithë atyre që nuk tolerojnë asnjë agresion".
"Të keqes nuk mund t'i besohet, thjesht pyesni Prigozhin", tha Zelensky, duke iu referuar ish-kreut të një grupi ushtarak privat, i cili ngriti një kryengritje kundër Putinit dhe vdiq në një aksident avioni dy muaj më vonë.
Zelensky e mbyll fjalimin e tij me shpresën se lufta e Rusisë do të jetë e fundit në botë, duke thënë "Slava Ukraini" teksa u largua nga skena.
Lini një Përgjigje