Uashingtoni ngre alarmin: Moska po e ndihmon Pekinin të shtojë arsenalin e tij, dhe vitin e ardhshëm skadojnë të gjitha kufizimet mbi numrin e bombave bërthamore që mund të zotërojë Kina...
Një e ardhme gjithnjë e më e armatosur dhe më e paqëndrueshme. Rusia po e mbështet hapur Kinën për ndërtimin e një arsenali bërthamor gjithnjë e më të madh, dhe duke filluar nga viti 2026, do të skadojnë të gjitha kufizimet mbi numrin e bombave që mund të zotërojë vendi komunist.
Paralajmërimi i fortë vjen drejtpërdrejt nga Pentagoni, në një raport të paraqitur në Senatin Amerikan nga gjenerali Anthony Cotton, kreu i Komandës Strategjike të Shteteve të Bashkuara. Një parashikim shqetësues, që vë në pikëpyetje strategjitë e garantimit të sigurisë nga Uashingtoni.
Sidomos të atyre në rrethin e mbështetësve të Donald Trump, të cilët besonin se vetëm përqendrimi tek rajonet e Oqeanit Paqësor do të mjaftonte për të frenuar kërcënimet ndaj Amerikës.
Por realiteti që del nga raporti më i fundit ushtarak është shumë i ndryshëm: mbështetja e Rusisë për Kinën, po çon në një rritje eksponenciale të kapacitetit luftarak bërthamor të Pekinit, gjë që do të ketë pasoja të drejtpërdrejta në ekuilibrat globalë.
Pekini po e përshpejton zgjerimin e fuqisë ushtarake bërthamore
Sipas raportit, Kina aktualisht ka rreth 600 bomba bërthamore, por numri mund të rritet në 1000 deri në vitin 2030. Kësaj i shtohet një plan i gjerë infrastrukture, që përfshin ndërtimin e 320 vendeve të lëshimit të raketave balistike ndërkontinentale në rajonin perëndimor të vendit.
Ajo që e bën edhe më konkret kërcënimin, është forcimi i flotës kineze të nëndetëseve: 6 nëndetëset e tipit 094 të pajisura me raketa balistike, konsiderohen tashmë “një parandalues i besueshëm”.
Ndërkohë, është në zhvillim e sipër avioni bombardues Stealth H-20, me një rreze veprimi prej 8.000 kilometrash, pra i aftë për të goditur territorin amerikan. Por thelbi i zgjerimit të arsenalit bërthamor të Kinës është ndihma e drejtpërdrejtë e ofruar nga Moska.
Raporti, e vë theksin tek roli vendimtar i Rusisë në ofrimin e teknologjisë dhe materialeve të zbërthyeshme për prodhimin e plutoniumit nga reaktorët kinezë. Një bashkëpunim, që e çon Pekinin drejt një kapaciteti parandalues gjithnjë e më të ngjashëm me atë të fuqive të mëdha bërthamore.
Boshti Moskë-Pekin
Nga ana e saj Rusia vazhdon të zotërojë arsenalin më të madh bërthamor në botë, me 1.550 bomba të mëdha bërthamore strategjike, dhe rreth 2.000 armë bërthamore taktike. Forcat Raketore Strategjike të Rusisë, kanë aktualisht në gjendje gatishmërie 310 raketa balistike ndërkontinentale me në total 1200 bomba bërthamore.
Ndërsa marina ruse ka tashme 10 nëndetëse të reja “Borei”, të afta për të transportuar deri në 700 bomba bërthamore shtesë. Kremlini vazhdon që të zhvillojë armë të avancuara si droni nënujor “Poseidon”, i aftë të mbartë bomba të vogla bërthamore me fuqi 2 Megaton, si dhe raketën lundruese me energji bërthamore “Burevestnik”, dy projekte që po e nxisin shumë garën e armatimeve.
Koreja e Veriut dhe Irani
Në rast se Kina dhe Rusia po e forcojnë aleancën e tyre bërthamore, lojtarët e tjerë në skenën ndërkombëtare nuk po rrinë si spektatorë. Pheniani vazhdon të shtojë rezervat e tij të plutoniumit dhe uraniumit, duke zhvilluar raketa të reja me lëndë djegëse të ngurtë që reduktojnë kohën e lëshimit, si dhe duke ndërtuar një nëndetëse strategjike.
Edhe pse përmendet më pak në raport, edhe Irani po i përshpejton programet e tij: kapaciteti i tij për të prodhuar uranium të pasuruar të mjaftueshëm sa për të ndërtuar një armë bërthamore, është reduktuar nga 10-15 ditë në më pak se një javë.
Ndërkaq lëshuesi “Simorgh” mund të bëjë të mundur zhvillimin e raketave balistike me rreze të mesme veprimi dhe me koka luftarake me peshë 1 ton. Raporti i Pentagonit paraqet një tablo aspak qetësuese. Viti 2026 do të shënojë një pikë kthese: me përfundimin e kufizimeve për armët bërthamore kineze, bota mund të përballet me një garë të re armatimesh./Pamfleti nga “Il Messaggero”
Lini një Përgjigje