Tarifat e Trump do të jenë negative në mbarë botën, thotë shefja e Bankës Qendrore Evropiane
Tarifat e Trump do të kenë efekte negative në mbarë botën, tha ditën e sotme shefja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, disa orë përpara se presidenti amerikan të shpallë zyrtarisht këto plane që do të ndikojnë fuqishëm në ekonominë e BE.
Ajo shtoi se ndikimet varen nga shtrirja e tyre, sa zgjasin dhe nëse ato çojnë në negociata të suksesshme.
"Do të jetë negativ në të gjithë botën dhe dendësia dhe kohëzgjatja e ndikimit do të ndryshojnë në varësi të fushëveprimit, produkteve të synuara, sa kohë zgjat, nëse ka apo jo negociata.Sepse të mos harrojmë shumë shpesh këto përshkallëzime tarifash, sepse ato rezultojnë të dëmshme, edhe për ata që e vendosin, çojnë në tavolina negocimi ku njerëzit ulen dhe bisedojnë dhe përfundimisht heqin disa nga këto barriera.", tha ajo në një intervistë për radion Newstalk të Irlandës.
Trump do të shpallë tarifat në një ngjarje në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë sot në mbrëmje .
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se ende nuk janë marrë vendime përfundimtare për madhësinë dhe objektivin e tarifave.
Sipas Washington Post, këshilltarët e Trump po punojnë për një plan që do të rriste tarifat për mallrat me rreth 20% për pothuajse të gjitha vendet, në vend të qasjes më të synuar që ishte një mundësi tjetër.
Qeveria amerikane vlerëson se tarifat e reja do të gjenerojnë gjashtë trilion dollarë, të cilat mund t'u kthehen qytetarëve amerikanë.
Megjithatë, shumë ekonomistë kanë paralajmëruar se tarifat mund të mos kenë efektin që pretendon presidenti amerikan dhe tregjet e aksioneve kanë qenë të trazuara javët e fundit.
Evropa po përgatitet për të gjithë skenarët
Evropa po përgatitet për mundësinë që Trump të vendosë tarifa gjithëpërfshirëse.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, në një fjalim të martën në Plenarin e Parlamentit Evropian në Strasburg, deklaroi se Bashkimi Evropian është i hapur për negociata me SHBA-në për tarifat, por edhe i gatshëm të marrë kundërmasa të forta nëse është e nevojshme.
Nga ana e tij, ministri francez i Industrisë, Marc Ferrazzi tha se Evropa do t'i përgjigjet në mënyrë proporcionale aplikimit të mundshëm të tarifave, por nuk do të përshkallëzojë tensionet në asnjë rrethanë.
“Evropa ka qenë gjithmonë në anën e negociatave dhe qetësisë, sepse luftërat tregtare, ju e dini, prodhojnë vetëm humbës”, tha ai për radion RMC.
Lini një Përgjigje