Forcat e Armatosura të Ukrainës kanë konfirmuar se një sulm me raketa ruse goditi një njësi stërvitore ushtarake, duke shkaktuar një numër të madh viktimash.
Forcat tokësore ukrainase thanë se tre anëtarë të personelit ushtarak janë vrarë dhe 18 të tjerë janë plagosur.
Ushtria nuk tha se ku ndodhej fusha e stërvitjes, megjithëse një reporter lufte ukrainas, tha se ajo ndodhej në veri të Kievit, i cili kufizohet me Rusinë dhe Bjellorusinë.
Por, sipas Ministrisë së Mbrojtjes ruse, të vrarët janë afro 200 persona. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë publikoi një video të asaj që pretendoi se ishte një sulm nga një raketë balistike Iskander në një zonë të pyllëzuar, e cila përfshinte më shumë se 20 shpërthime.
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dhënë afat 10 ditë Putin për negociatat me Ukranën.
"Dhjetë ditë nga sot", u tha Trump gazetarëve gjatë fluturimit të kthimit nga Skocia për në SHBA të enjten.
Të hënën, presidenti amerikan rriti presionin mbi Rusinë në përpjekjet për t'i dhënë fund luftës agresionale të Rusisë kundër Ukrainës. Ai njoftoi se do ta reduktonte afatin 50-ditor për tarifa dukshëm më të larta mbi partnerët tregtarë të Rusisë në "dhjetë ose dymbëdhjetë" ditë. Tani ai e përsëriti këtë dhe sqaroi metodën e numërimit.
Me kërcënimin e tij për tarifa, Trump synon të dobësojë më tej bazën ekonomike të Kremlinit duke ushtruar presion në rritje mbi blerësit kryesorë si Kina dhe India. Trump ende nuk ka specifikuar se cilat vende mund të preken konkretisht nga kjo.
Zëdhënësja e Trump përmendi së fundmi sektorin e naftës. Nëse nuk ka marrëveshje për armëpushim ose marrëveshje paqeje brenda afatit të caktuar, vendet që importojnë naftë nga Rusia do të sanksionohen.
Kremlini nuk dukej i impresionuar nga kërcënimet e SHBA-së. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Rusia "e kishte marrë parasysh deklaratën e Trump. Operacioni special është duke vazhduar", shtoi ai, duke përdorur eufemizmin për luftën e agresionit të Moskës kundër Ukrainës.
Lini një Përgjigje