TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Maj 2026, 15:00

Rusia e ka humbur Armeninë si vend satelit: a do tentojë ta rikthejë me forcë pas zgjedhjeve të 7 qershorit?

Shkruar nga Nicholas Castillo
Rusia e ka humbur Armeninë si vend satelit: a do tentojë ta
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan

Zgjedhjet parlamentare në Armeni po shndërrohen në një test vendimtar për përplasjen e ndikimeve mes Moskës dhe Perëndimit. Raportimet për operacione subversive të lidhura me FSB-në, fushata dezinformimi dhe sinjale të hapura paralajmëruese nga Kremlini ndaj Jerevanit ngrejnë shqetësime për ndërhyrje në procesin zgjedhor, por edhe më shumë se kaq, duke thelluar frikën për destabilizim politik në prag të votimit.

Vitet e tensioneve të ngadalta, por të vazhdueshme, mes Jerevanit dhe Moskës kanë arritur një pikë të re përshkallëzimi në prag të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit në Armeni. Gara elektorale pritet të jetë një nga më të rëndësishmet e dekadës, ndërsa Rusia po përpiqet të ruajë ndikimin e saj në një vend që historikisht ka qenë brenda orbitës së saj politike dhe të sigurisë.

Në prill, Armenia priti samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), një ngjarje që solli në Jerevan dhjetëra liderë evropianë dhe shënoi një moment të rëndësishëm diplomatik për vendin.

Për një shtet historikisht të lidhur ngushtë me Rusinë, prania e liderëve evropianë në këtë nivel u konsiderua një zhvillim i paprecedentë. Ngjarja u bë edhe më domethënëse nga pjesëmarrja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili ishte presidenti i parë ukrainas që viziton Armeninë në më shumë se dy dekada.

Vetëm pak ditë më vonë, kryeministri Nikol Pashinyan nuk mori pjesë në ceremonitë e 9 majit në Moskë, përkujtimin e Ditës së Fitores, një traditë që Armenia e kishte ruajtur edhe gjatë fazës së saj të distancimit gradual nga Rusia. Ky vendim u pa gjerësisht si një sinjal i qartë i përkeqësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Reagimi i Moskës nuk vonoi. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, kritikoi ashpër samitin EPC, duke deklaruar se ai kishte shërbyer si platformë për “deklarata anti-ruse” dhe se pala armene nuk kishte ofruar ekuilibrin e nevojshëm diplomatik.

Ai shtoi se zhvillime të tilla ishin “në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve tradicionale” mes Armenisë dhe Rusisë. Vetë presidenti Vladimir Putin komentoi orientimin e ri gjeopolitik të Armenisë drejt Bashkimit Evropian, duke sugjeruar se çështja duhej të zgjidhej me referendum.

Megjithatë, ai bëri edhe një paralajmërim të tërthortë, duke thënë: “Të gjithë e shohim se çfarë po ndodh me Ukrainën tani. Por ku filloi e gjitha? Me përpjekjen e Ukrainës për t’u bashkuar me BE-në…”

Në këtë sfond, zgjedhjet e 7 qershorit po shihen si një test vendimtar për balancën e pushtetit në Armeni. Partia e Pashinyan, Kontrata Civile, përballet me një opozitë të fragmentuar, ku përfshihen figura të fuqishme si miliarderi Samvel Karapetyan dhe ish-presidenti Robert Kocharyan, të cilët konsiderohen gjerësisht si më të afërt me Moskën.

Sipas dokumenteve dhe raportimeve të rrjedhura, Rusia ka thelluar përpjekjet për ndikim në procesin zgjedhor armen. Në qendër të këtyre operacioneve përmendet Sergei Kiriyenko, një nga zyrtarët më të lartë të Kremlinit përgjegjës për politikat ndaj territoreve të pushtuara në Ukrainë dhe Gjeorgji.

Burime të ndryshme tregojnë se rrjete të lidhura me FSB-në dhe SVR-në kanë rritur aktivitetin në terren, duke përfshirë operacione informative, fushata dezinformimi dhe përpjekje për të ndikuar opinionin publik armen.

Autoritetet në Jerevan kanë ngritur gjithashtu akuza për presione të Moskës ndaj diasporës së madhe armene, me qëllim orientimin e votës drejt forcave opozitare të konsideruara pro-ruse. Paralelisht, janë raportuar fushata të koordinuara në media dhe rrjete sociale që synojnë delegjitimimin e qeverisë aktuale.

Një shqetësim i veçantë për qeverinë armene është mundësia e ndërhyrjeve në ditën e zgjedhjeve, përmes taktikave të njohura nga hapësira post-sovjetike: mobilizim i organizuar i votuesve, blerje votash dhe ulje e qëllimshme e pjesëmarrjes për të deformuar rezultatin.

Përvoja të ngjashme në vende të tjera të rajonit kanë ushqyer frikën për skenarë të ngjashëm edhe në Armeni. Megjithatë, situata politike nuk duket krejtësisht e favorshme për Moskën.

Sondazhet aktuale tregojnë se Kontrata Civile e Pashinyanit ruan një epërsi të qartë me rreth 33 për qind të mbështetjes, ndërsa rivalët kryesorë mbeten dukshëm më poshtë.

Opozita paraqitet e ndarë dhe e dobësuar, shpesh e lidhur me figura të së kaluarës ose me akuza për varësi ndaj interesave ruse. Nga ana tjetër, Pashinyan e ka forcuar ndjeshëm orientimin perëndimor të vendit, duke thelluar marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, duke diversifikuar partneritetet ushtarake dhe duke u larguar nga varësia tradicionale ndaj Rusisë.

Po ashtu, Armenia ka kërkuar vendosjen e misioneve monitoruese të BE-së, një hap që shihet si kundërpeshë ndaj ndikimit rus në procesin zgjedhor. Edhe pse Rusia vazhdon të ketë ndikim të konsiderueshëm ekonomik mbi Armeninë, veçanërisht përmes sektorit të energjisë dhe infrastrukturës kritike, tendenca afatgjatë tregon një dobësim të rolit të saj në rajon.

Që nga viti 2022, shumica e shteteve post-sovjetike janë përpjekur të balancojnë marrëdhëniet e tyre midis Moskës dhe Perëndimit, duke e zbehur varësinë nga Rusia. Në këtë kontekst, Armenia duket se po largohet gradualisht nga orbita ruse.

Zgjedhjet e 7 qershorit mund ta përshpejtojnë ose ta ngadalësojnë këtë proces, por vështirë se mund ta përmbysin plotësisht. Për Moskën, sfida kryesore mbetet nëse mund të rikthejë ndikimin mbi një aleat strategjik që po i rrëshqet gjithnjë e më shumë nga kontrolli./ Përshtati "Pamfleti" nga “The Moscow Times”

kryeministri i armenisë nikol pashinyan zgjedhje 7 qershor

Lini një Përgjigje