TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Maj 2026, 14:12

Ku ndodhet Udhëheqësi Suprem i Iranit?

Shkruar nga Pamfleti

Ku ndodhet Udhëheqësi Suprem i Iranit?

Mungesa publike e Mojtaba Khameneit, ka nxitur prej muajsh spekulime mbi shëndetin e tij dhe kontrollin real të pushtetit në Iran. Ndërsa regjimi përpiqet të tregojë se ai vazhdon të jetë në krye, tensionet me SHBA-në dhe Izraelin kanë shtuar dyshimet se kush po merr vendimet në Teheran.

Më shumë se dy muaj pasi u zgjodh Udhëheqësi Suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei nuk është shfaqur ende dhe as nuk ka folur publikisht. Megjithatë, ndërsa është shtuar misteri mbi shëndetin dhe vendndodhjen e tij, zyrtarët iranianë kanë nisur javët e fundit të publikojnë informacione të pjesshme për gjendjen e tij shëndetësore, duke u përpjekur të krijojnë përshtypjen se ai jo vetëm është mirë, por edhe se vazhdon të ketë kontroll të plotë mbi shtetin.

Presidenti Masoud Pezeshkian deklaroi për herë të parë këtë muaj, se kishte zhvilluar një takim me Khamenein. Pak ditë më vonë u njoftua se Udhëheqësi Suprem kishte zhvilluar bisedime me komandantin e Shtabit Qendror “Khatam al-Anbiya”, qendra kryesore komanduese e ushtrisë iraniane.

Republika Islamike publikoi gjithashtu versionin më të detajuar deri tani mbi plagët që Khamenei kishte marrë gjatë sulmit të 28 shkurtit ndaj rezidencës së babait të tij, ish-Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, në fillim të luftës SHBA-Izrael.

Synimi ishte të hidhej poshtë raportimi, se atij i ishte amputuar këmba dhe se kishte pësuar dëmtime të rënda në fytyrë. Mazaher Hosseini, klerik dhe drejtues i protokollit në zyrën e Udhëheqësit Suprem, deklaroi këtë muaj se Khamenei kishte mbijetuar nga bombardimet ku u vranë babai i tij, bashkëshortja dhe të afërm të tjerë, vetëm sepse ndodhej pak metra larg ndërtesës së goditur.

“Ai ishte rrugës dhe po ngjiste shkallët kur raketa e goditi objektivin…Ajatollah Mojtaba u përplas nga vala shpërthyese dhe u hodh përtokë. Kupa e njërit gju dhe shpina iu dëmtuan lehtë. Shpina është rikuperuar gjatë kësaj kohe. Edhe gjuri do të shërohet së shpejti. Duhet të tregoni durim. Kur të vijë momenti i duhur, ai do të dalë dhe do t’ju drejtohet qytetaëve me fjalime”, deklaroi Hosseini.

Seria e deklaratave zyrtare për Khamenein, synon të përcjellë idenë se ai vazhdon të jetë figura kryesore vendimmarrëse dhe se do të jetë ai njeriu që do të vendosë në fund, nëse Teherani do të pranojë apo jo një marrëveshje me SHBA-në për t’i dhënë fund luftës.

Kjo vjen pas javësh negociatash të tensionuara për programin bërthamor iranian dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Zyrtarët iranianë kanë filluar të flasin më hapur për gjendjen e Khameneit pas kritikave të ashpra ndaj negociatave nga ultrakonservatorët, të cilët kundërshtojnë çdo lëshim ndaj Perëndimit.

Njëkohësisht, regjimi po përpiqet të frenojë spekulimet se në realitet pushtetin e drejton Garda Revolucionare Islamike. “Ata po përpiqen të tregojnë se asgjë nuk ka ndryshuar… se Udhëheqësi Suprem ishte dhe mbetet maja e sistemit”, thotë Vali Nasr, ish-zyrtar amerikan dhe profesor në Universitetin Johns Hopkins.

“Mesazhi është se ai është gjallë, funksional dhe në kontrollin e situatës”, shton eksperti. Sipas tij, edhe Garda Revolucionare synon të tregojë se “nuk është ajo që drejton gjithçka dhe se Khamenei nuk është thjesht një figurë simbolike”.

Presidenti amerikan Donald Trump, i nervozuar nga mungesa e përparimeve në negociatat e fshehta dhe nga refuzimi i Teheranit për t’u dorëzuar ndaj kërkesave të tij, deklaroi muajin e kaluar se udhëheqja iraniane ishte “plotësisht e çorientuar”, dhe se “nuk dinë më kush është lideri i tyre”.

Këto perceptime janë ushqyer pjesërisht nga kritikat publike që deputetët ultrakonservatorë të fraksionit “Paydari” kanë bërë ndaj negociatave, duke nxitur spekulime për përçarje brenda elitës qeverisëse iraniane.

Sistemi teokratik iranian, ka qenë prej kohësh i përbërë nga kampe rivale politike dhe qendra të ndryshme pushteti, ndërsa Udhëheqësi Suprem ka qenë tradicionalisht arbitri përfundimtar në çështjet kyçe të politikës së brendshme dhe të jashtme.

Babai i Mojtaba-s, Ali Khamenei, i cili sundoi Iranin për 37 vjet, kishte dekada përvojë në menaxhimin e rivaliteteve të brendshme. Iranianët ishin mësuar ta shihnin rregullisht në dalje publike dhe fjalime politike. Por Mojtaba, tashmë 56 vjeç, ka mbajtur gjithmonë profil të ulët, edhe përpara se të pasonte të atin në detyrë.

Zëri i tij u dëgjua publikisht për herë të parë vetëm në vitin 2024, në një video të shkurtër ku njoftonte pezullimin e studimeve fetare në Qom. Në mars të këtij viti, televizioni shtetëror publikoi një tjetër video ku ai ligjëronte para studentëve të teologjisë, por pa specifikuar datën e regjistrimit, që besohet të ishte bërë para luftës.

Që prej emërimit si Udhëheqës Suprem në mars, pas takimeve sekrete të Asamblesë së Ekspertëve, Khamenei ka lëshuar vetëm deklarata të shkruara për mediat shtetërore. Fillimisht pati madje dyshime nëse ai ishte ende gjallë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Hossein Kermanpour, deklaroi këtë javë se fytyra e Khameneit nuk ishte dëmtuar dhe se ai nuk kishte humbur asnjë gjymtyrë. Diplomatë të ndryshëm thonë se ai vazhdon të funksionojë si udhëheqës.

Por komunikimi mes Khameneit, qeverisë dhe ushtrisë është bërë shumë i vështirë për shkak të masave ekstreme të sigurisë, nga frika se Izraeli mund të tentojë eliminimin e tij. Sipas tyre, mesazhet janë përcjellë fizikisht, dorë më dorë, për të shmangur përdorimin e pajisjeve elektronike që mund të gjurmohen.

Një diplomat tha se Khamenei ka krijuar një strukturë të posaçme drejtimi, me dy komitete që menaxhojnë përpjekjet negociuese dhe i raportojnë drejtpërdrejt atij. Në këto struktura përfshihen komandantë ushtarakë, politikanë dhe ish-zyrtarë të lartë shtetërorë.

Një diplomat tjetër tha se Garda Revolucionare, forca më e fuqishme ushtarake në Iran, është ekskluzivisht përgjegjëse për sigurinë e tij. Mojtaba Khamenei krijoi lidhje të forta me Gardën që gjatë luftës Iran-Irak në vitet 1980, kur shërbeu si vullnetar.

CNN raportoi këtë muaj se inteligjenca amerikane beson se Khamenei luan një rol kyç në përcaktimin e strategjisë së luftës së bashku me zyrtarët më të lartë iranianë. Ndërkohë, Pezeshkian deklaroi se takimi i tij me udhëheqësin e ri kishte zgjatur gati dy orë e gjysmë dhe ishte “i përzemërt”, “i drejtpërdrejtë” dhe “i sinqertë”.

Analisti iranian Saeed Laylaz, shprehet se një plan i përgatitur para luftës nga Ali Khamenei për decentralizimin e vendimmarrjes në rastin e një sulmi SHBA-Izrael, u kishte dhënë komandantëve ushtarakë më shumë autonomi në ditët e para të konfliktit.

Ai shtoi se, me vrasjen e shumë figurave të rëndësishme politike dhe ushtarake gjatë luftës, do të duhet kohë që udhëheqja e re të konsolidojë strukturat e saj. “Do të duhet kohë që Khamenei i ri të fitojë të njëjtin kontroll mbi të gjithë mekanizmin shtetëror iranian, veçanërisht në nivel ushtarak, siç kishte babai i tij. Nga sa e kuptojmë ne, çështjet gjeopolitike dhe strategjike vendosen personalisht nga Ajatollah Khamenei, natyrisht me ndihmën e elitës më të lartë ushtarake”, thekson Laylaz.

Por Ali Vaez, ekspert për Iranin në organizatën Crisis Group, mendon se Khamenei po vepron më shumë si një figurë formale që vulos vendimet e marra nga komandantët e Gardës Revolucionare dhe zyrtarë të tjerë të fuqishëm.

Mes tyre përmenden Ahmad Vahidi, kreu i ri i Gardës, Mohammad Bagher Ghalibaf, kryetari i plotfuqishëm i parlamentit iranian dhe drejtues i negociatave me SHBA-në apo Mohammad Bagher Zolghadr, veteran i Gardës Revolucionare dhe sekretar i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare.

Ghalibaf, i cili udhëhoqi delegacionin iranian në bisedimet me SHBA-në në Islamabad muajin e kaluar, nuk është parë publikisht në Iran që nga ditët e para të luftës, ndërsa Vahidi dhe Zolghadr nuk kanë bërë asnjë dalje publike. Ndërkohë, Pezeshkian drejton Këshillin e Sigurisë dhe administrimin e përditshëm të shtetit.

Por analistët thonë se ai ka rol periferik në diplomacinë me SHBA-në dhe çështjet ushtarake.

“Nuk është Khamenei, ai që po merr vendimet kryesore por një grup i vogël drejtuesish të Gardës Revolucionare që kanë bashkëpunuar prej kohësh, pra figura si Ghalibaf, Vahidi dhe Zolghadr. Pyetja themelore mbetet ende pa përgjigje: a do të rikthehet ai në daljet publike?”, thotë Vaez.

Megjithatë, Vali Nasr argumenton se, edhe pse lufta e ka rritur ndikimin dhe fuqinë e Gardës Revolucionare, situata nuk është e krahasueshme me ushtrinë pakistaneze, e cila kontrollon pothuajse të gjitha vendimet madhore të politikës së jashtme.

“Ai duhet t’i dëgjojë Gardën, sepse ajo po lufton dhe mban përgjegjësi për mbrojtjen e vendit. Pra natyrisht që ajo ndikon tek ai. Por të thuash se është plotësisht nën kontrollin e gardistëve është e tepruar. Është e vështirë të kuptohet nëse ai nuk po takon shumë njerëz sepse nuk e lejojnë, apo sepse rreziku për sigurinë e tij është tepër i madh. Kjo paqartësi do të vazhdojë edhe për një kohë”, deklaron Nasr.

Analistët besojnë se kjo mjegullnajë do të vazhdojë, për aq kohë sa regjimi iranian ta konsiderojë real kërcënimin e rifillimit të luftës dhe të atentateve të tjera ndaj udhëheqjes së vendit.

“Njerëzit që marrin vendime të tilla, duan të sigurohen që vendi të mos detyrohet të zgjedhë një lider të ri çdo pak javë apo muaj. Masat e sigurisë po organizohen në një mënyrë të tillë që Benjamin Netanyahu të mos ketë mundësi të eliminojë më liderët tanë”, thotë Foad Izadi, profesor në Universitetin e Teheranit./ Përshtati "Pamfleti" nga “Financial Times”

mojtaba khamenei teheran

Lini një Përgjigje