Partnerët e koalicionit të kryeministrit Ilie Bolojan e akuzojnë se po dëmton “bazën tonë sociale” me programin e masave shtrënguese…
Socialdemokratët e Rumanisë kanë nisur procedurat për largimin e kryeministrit Ilie Bolojan, duke hapur një krizë të re politike në një vend që tashmë ka kaluar një periudhë të gjatë paqëndrueshmërie.
Partia, e cila qeveris në koalicion me liberalët e Bolojanit, votoi të hënën me shumicë dërrmuese për t’i tërhequr mbështetjen politike kryeministrit. Socialdemokratët mbajnë numrin më të madh të votave në parlamentin rumun.
Kreu i partisë, Sorin Grindeanu, e akuzoi Bolojanin, që drejton Partinë Kombëtare Liberale të qendrës së djathtë, se ka ndjekur një politikë shtrënguese që, sipas tij, ka dëmtuar ekonominë dhe ka rritur koston e jetesës për qytetarët rumunë.
“PSD nuk mund të mbahet më peng, ndërsa baza jonë sociale po shkatërrohet,” u tha Grindeanu drejtuesve të lartë të partisë në Bukuresht, duke përdorur shkurtimin e Partisë Socialdemokrate.
Sipas mediave vendase, qindra persona u mblodhën në kryeqytet në një tubim mbrëmjeje në mbështetje të Bolojanit. Në një deklaratë për shtyp, ai tha se nuk do të japë dorëheqjen. Kryeministri i akuzoi socialdemokratët se po shmangen nga përgjegjësia për vendime që, sipas tij, i kanë marrë së bashku.
“Ajo që po shohim sot është vënia në rrezik e financave të vendit tonë, shpërbërja e qeverisjes, dhe e gjitha kjo me mungesë të plotë respekti ndaj qytetarëve të vendit”, deklaroi Bolojan.
Ai fajësoi partnerët e koalicionit për destabilizimin e vendit në një moment kur në Lindjen e Mesme po zhvillohet luftë dhe ekonomia europiane vijon të mbetet në stanjacion.
Rumania hyri në krizë politike në vitin 2024, pasi zgjedhjet presidenciale u anuluan në mënyrë të debatueshme për shkak të dyshimeve për ndërhyrje të huaj.
Megjithëse socialdemokratët fituan numrin më të madh të vendeve në parlament në zgjedhjet e fundvitit 2024, sondazhet më të fundit tregojnë rritje të mbështetjes për opozitën e djathtë, Aleanca për Bashkimin e Rumunëve, e cila doli e dyta në atë proces zgjedhor. Kreu i saj, George Simion, kërkoi të hënën zgjedhje të parakohshme, madje përpara se socialdemokratët të votonin për t’i tërhequr mbështetjen Bolojanit.
Socialdemokratët dhe liberalët formuan një qeveri të brishtë me dy parti të tjera në fillim të vitit 2025, por koalicioni u shoqërua vazhdimisht me tensione politike të vjetra dhe me kundërshtimin e socialdemokratëve ndaj masave shtrënguese. Rumania parashikonte deficitin më të lartë buxhetor në Bashkimin Europian në vitin 2025, rreth 9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Qeveria kishte rënë dakord fillimisht që Bolojan të drejtonte vendin për dy vitet e para, përpara se drejtimi t’i kalonte një përfaqësuesi të socialdemokratëve.
Sipas raportimeve të mediave rumune, Bolojan pritet të përballet javën e ardhshme me një mocion mosbesimi në parlament. Reuters raportoi se socialdemokratët kanë kërcënuar gjithashtu se do të tërheqin gjashtë ministrat e tyre nga kabineti më vonë gjatë kësaj jave.
Lini një Përgjigje