Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë futur në listën e zezë një prej besnikëve të Aleksandar Vuçiç.
Drejtori i Agjencisë për Siguri dhe Informacion i Serbisë (BIA), Aleksandar Vulin, është sanksionuar finaciarisht nga Departamenti i Thesarit. Ai shihet si kërcënim për të gjithë rajonin dhe SHBA ka marrë masa duke i bllokuar pasuritë.
Departamenti i Thesarit njofton se sanksionimi i Vulin vjen pasi, ai është përfshirë në afera korrupsioni dhe ka bashkëpunur me grupe kriminale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Thesari nuk do të hezitojë të synojë aktorët që abuzojnë me pozitat e tyre për përfitime personale duke minuar qeverisjen efektive dhe demokratike në Ballkanin Perëndimor”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizmin dhe Inteligjencën Financiare, Brian E. Nelson. Veprimi i sotëm bën përgjegjës Aleksander Vulin për aktet korruptive dhe destabilizuese që kanë lehtësuar gjithashtu aktivitetet keqdashëse të Rusisë në rajon, deklaroi ai.
Sipas SHBA, Vulin ka qenë i implikuar në krimin e organizuar transnacional, operacione të paligjshme të narkotikëve dhe keqpërdorim të detyrës publike. Në njoftim thuhet se Vulin ka mbajtur një marrëdhënie të ngushtë me tregtarin serb të armëve të snaksionuar nga SHBA-ja, Slobodan Tesiç. Kreu i spiunazhit rus ka ndihmuar që armët e Tesiçit të lëvizin lirshëm nëpër kufijtë e Serbisë.
“Veprimet e Vulin kanë avancuar korrupsionin brenda institucioneve qeverisëse të Serbisë. Këto akte përfshijnë shfrytëzimin e autoritetit për përfitime personale, duke përfshirë përfshirjen në një rrjet të trafikut të drogës. Ai ka përdorur pozicionet publike për të mbështetur Rusinë, duke lehtësuar aktivitetet keqdashëse të Rusisë që degradojnë sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe duke i ofruar Rusisë një platformë për të dërguar më tej ndikimin e saj në rajon”, njofton Departamenti i Thesarit.
Si rezultat i sanksionimit nga SHBA të gjitha pronat e Vulin në SHBA janë bllokuar. Gjithashtu, çdo subjekt që është në pronësi të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, individualisht ose në total, 50 për qind ose më shumë nga një ose më shumë persona të bllokuar gjithashtu bllokohet. Të gjitha transaksionet nga personat amerikanë brenda (ose që kalojnë tranzit) në Shtetet e Bashkuara që përfshijnë ndonjë pronë ose interes në pronën e personave të caktuar ose të bllokuar ndryshe, janë të ndaluara, përveç nëse autorizohen nga një licencë e përgjithshme ose specifike e lëshuar nga OFAC, ose përjashtohen. Ndalimet përfshijnë dhënien e çdo kontributi ose ofrimin e fondeve, mallrave ose shërbimeve nga, për ose për të mirën e çdo personi të bllokuar, njofton Thesari.
Shpallja e tij “non grata” është dhe një goditje ndaj presidentit Vuçiç. Vulin është drejtor i Agjencisë Informative të Sigurisë së Serbisë. Më herët ka shërbyer si Ministër i Mbrojtjes dhe Ministër i Brendshëm. Pra ka qenë dhe është shumë besnik ndaj presidentit.
Lini një Përgjigje