
Vetëm disa ditë pasi u masakruan mbi 8000 myslimanë nga ushtria kriminale serbe në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinës në 1995, Aleksandër Vuçiç deklaronte se: “Për çdo serb të vrarë, ata do vrisnin 100 myslimanë”.
Që nga ajo kohë, Vuçiç asnjëherë nuk ka kërkuar falje, madje ka shkuar aq larg saqë e ka mohuar gjenocidin e kryer nga Serbia në Bosnjë dhe Hercegovinë.
“Ejani të na bombardoni, vritni një serb dhe ne do të vrasim 100 myslimanë. Dhe pastaj do të shohim nëse bashkësia ndërkombëtare guxon të sulmojë pozicionet serbe dhe ta trajtojë popullin serb në këtë mënyrë”, shprehej Vuçiç 9 ditë pas gjenocidit të tmerrshëm, më 20 korrik 1995.
Ai e filloi karrierën e tij politike si anëtar dhe më pas deputet i Partisë Radikale Serbe, një parti nacionaliste serbe e ekstremit të djathtë që synonte krijimin e Serbisë së Madhe duke i eliminuar vendet fqinje, edhe me gjenocid.
Vuçiç më pas mbajti postin kyç të ministrit të Informacionit në regjimin gjenocidal serb nën Millosheviçin gjatë masakrave në Kosovë, përfshirë masakrën e Reçakut, në të cilën forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.
Edhe për këtë masakër dhe të gjitha të tjerat që kanë ndodhur në Kosovë, Vuçiç nuk ka kërkuar falje dhe as është penduar, por vazhdimisht duke i mohuar krimet çnjerëzore. Ai e ka mohuar të ketë ndodhur ndonjëherë masakra e Reçakut.
“Gjithçka u shpik nga ai mashtrues, mashtrues dhe mashtrues global, Walker”, deklaronte ai.
Bosnja e Hercegovina sot shënon 28-vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.
Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karadziç lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre.
Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës filluan të bombardojnë Srebrenicën. Forcat holandeze kërcënuan serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes.
Dhe të nesërmen, avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës. Forcat serbe kërcënuan të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur holandezë. Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiç hyri në Srebrenicë.
Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën e sigurt.
Mlladiç u përpoq t’i qetësonte duke u thënë se nuk kishin pse të kishin frikë. Forcat serbe të Bosnjës i futën refugjatët e frikësuar nëpër autobusë, për kinse të largoheshin. Shumë nga refugjatët u evakuuan në Kladanj, 50 kilometra larg dhe prej andej filluan të ecnin për të gjetur një strehë të sigurt.
Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe filluan të shqetësohen për fatin e burrave.
Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.
Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djem mendohet se u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.
Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre.
Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçarit.
Lini një Përgjigje