
Familjarët e pengjeve të mbajtura nga Hamasi në Rripin e Gazës, protestuan gjatë fjalimit të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
"Kthejini në shtëpi! Tani, tani!", bërtisnin prindërit e pengjeve, duke ndërprerë fjalimin, ndërsa kreu i qeverisë izraelite deklaroi se forcave izraelite u duhej "më shumë kohë" për t'i çliruar ata duke vazhduar operacionet e tyre në enklavën palestineze, ku 156 ushtarë izraelitë janë vrarë që nga fillimi i fazës tokësore të luftës në fund të tetorit.
Një armëpushim njëjavor, i cili përfundoi më 1 dhjetor, lejoi lirimin e 105 pengjeve, përfshirë 80 në këmbim të 240 të burgosurve palestinezë në burgjet izraelite, por 129 persona mbeten peng në Gaza.
“Po të ishte djali juaj?”, “80 ditë, çdo minutë është ferr”, shkruhej në pankartat e mbajtura nga familjet. Netanyahu mbajti një seancë të posaçme parlamentare kushtuar çështjes së pengjeve.
Duke siguruar se do të "bënte çdo përpjekje" për të liruar pengjet, Netanyahu tha se kjo do të ishte e mundur vetëm duke ushtruar presion ushtarak.
“Ne nuk do ta ndalim luftën derisa të arrijmë fitoren kundër atyre që duan jetën tonë. Nuk do të ndalemi para se të arrijmë fitoren”, theksoi ai.
Lini një Përgjigje