TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Maj 2023, 07:46

Raundi i 2 i zgjedhjeve! 60 mln turq i drejtohen sot qendrave të votimit për të zgjedhur presidentin e ri

Shkruar nga Pamfleti

Raundi i 2 i zgjedhjeve! 60 mln turq i drejtohen sot qendrave të votimit

Miliona qytetarë turq votojnë ditën e sotme për raundin e dytë të zgjedhjeve në balotazhin mes presidentit aktual Rexhep Tajip Erdogan dhe Kemal Kiliçdaroglu për një mandat 5-vjeçar.

Udhëheqësi prej dy dekadash në Turqi, Rexhep Tajip Erdogan do të përballet sërish sot me kandidatin e opozitës, Kemal Kiliçdaroglu në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale.

Votimi fillon në orën 8:00 të mëngjesit me kohën lokale dhe do të përfundojë në orën 17:00. Më shumë se 64,1 milionë njerëz janë të regjistruar për të votuar, duke përfshirë edhe ata jashtë vendit. Rreth 1,92 milion shtetas turq kanë votuar tashmë në qendrat e votimit jashtë vendit. Gjithsej 191.885 kuti votimi janë vendosur për votuesit në mbarë vendin.

Zgjedhjet e raundit të parë nënkuptonin se do të jetë një garë e ngushtë, ku Erdogan po përballet me një presion të paparë pas 20 vjetësh në pushtet. Në raundin e parë, më 14 maj, Erdogan ka siguruar 49.51 për qind të votave qartazi më shumë se Kiliçdaroglu me 44.88 për qind, por, për të fituar garën plotësisht, duhen më shumë se gjysma e votave.

Zgjedhjet në Turqi po ndiqen ndërkombëtarisht për të parë drejtimin që do të marrë vendi. Nën sundimin 20-vjeçar të Erdoganit, anëtarja e NATO-s ka kultivuar marrëdhënie më të ngrohta me Rusinë dhe ka anuar krah autoritarizmit, me kontroll të madh mbi media dhe gjyqësor. Qeveria e Erdoganit ka akuzuar, po ashtu, Perëndimin se ka bërë komplot për ta rrëzuar atë, ndërsa kandidatura e Turqisë për anëtarësim në BE ka kohë që është ngrirë. Kiliçdaroglu, i cili ka një qëndrim më pro-perëndimor, ka premtuar se do ta riorientojë vendin si një demokraci dhe se do t’i përmirësojë marrëdhëniet me aleatët e NATO-s.

Fitorja do t’i jepte Erdoganit mandatin e tretë. Herë si kryeministër, herë si president, ai ka qenë në pushtet që prej vitit 2002. Kjo do të thotë se ai ka udhëhequr vendin më gjatë se çdo president turk dhe madje shumë sulltanë otoman.

Fitorja e Kiliçdaroglut, në anën tjetër, do të simbolizonte dëshirën e një pjese të madhe të elektoratit për ndryshime të reja në vend.

Qytetarët turq do t’u drejtohen kutive të votimit edhe në fund të marsit të vitit të ardhshëm, për zgjedhjet lokale. Dy partitë kryesore të opozitës në të kaluarën, kanë propozuar kandidatë të përbashkët, duke ia dalë të fitojnë postet e kryebashkiakëve në zonat kryesore metropolitane.

Analistët thonë se ndarja e mundshme e opozitës do t’i mundësonte partisë së Erdoganit të zgjeronte kontrollin e saj edhe në bashkitë e mëdha, si Stambolli dhe Ankaraja. Në SHBA, senatori Chris Murphy, anëtar i Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, ka thënë se Turqia do të jetë një partnere jetike e SHBA-së, pavarësisht se kush do ta udhëheqë këtë vend.

zgjedhje turq presidenti i ri

Lini një Përgjigje