Presidenti rus Vladimir Putin ka vizituar pjesët e pushtuara të rajonit ukrainas në Kherson, sipas Kremlinit.
Ai ka marrë pjesë në një takim të komandës ushtarake për të dëgjuar raporte nga komandantët ushtarakë.
Putin mendohet se ka vizituar gjithashtu rajonin e Luhanskut që Rusia e aneksoi vitin e kaluar.
Udhëtime të tilla të liderit rus janë të rralla, megjithëse ai bëri një vizitë të papritur në qytetin e Mariupolit në mars.
Nuk dihet se kur u zhvillua udhëtimi në Kherson, por mediat ruse raportuan se zoti Putin u interesua gjithashtu për situatën në rajonin e Zaporizhzhia, të cilin Moska e ka pretenduar gjithashtu si pjesë e Rusisë.
Ai citohet të ketë thënë në mbledhjen ushtarake në Kherson se megjithëse nuk donte t’i largonte ata nga detyrat e tyre, “është e rëndësishme për mua të dëgjoj mendimin tuaj se si po zhvillohet situata, t’ju dëgjoj, të shkëmbejmë informacione”.
Trupat ruse u tërhoqën nga qyteti i Khersonit në fund të vitit të kaluar , duke humbur të vetmin kryeqytet rajonal që kishte arritur të kapte që kur Moska pushtoi Ukrainën në shkurt 2022.
Megjithatë, një pjesë e rajonit mbetet nën kontrollin rus.
Kjo është vizita e dytë zyrtare e Putinit në rajonet e pushtuara që nga pushtimi i nisur më 24 shkurt 2022.
Shqetësimi po rritet në Moskë për shkak të përgatitjeve ushtarake ukrainase që synojnë ripushtimin e zonave të pushtuara nga rusët. Një kundërofensivë, e cila sipas drejtuesve të qeverisë Zelensky synon jo vetëm të çlirojë rajonet e pushtuara në 14 muajt e fundit të luftës, por edhe Krimenë dhe zonat e Donbas të humbura në konfliktin e 2014-ës, të kthehet në kufijtë ndërkombëtarë të vitit 1991.
Fakti që ofensiva dimërore ruse në thelb ka dështuar, dhe gjithashtu beteja për qytetin Bakhmut vazhdon të marrë mijëra viktima mes ushtarëve me pak rezultate në terren, mbetet një nga treguesit më seriozë të papërgatitjes së ushtrisë ndaj Putinit.
Lini një Përgjigje