Presidenti rus, duke iu përgjigjur pyetjeve gjatë një vizite në një qendër kërkimore bërthamore, tha se ishte i sigurt se cilësitë udhëheqëse të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, do të ndihmonin në rivendosjen e marrëdhënieve nga nivelet më të ulëta të kohëve të fundit.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka folur për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara pas samitit në Alaskë me 15 Gusht.
Shefi i Kremlinit shprehet se marrdhëniet me SHBA janë në pikën më të ulët që nga Lufta e Dytë Botërore.
Por Putin theksoi se me ardhjen e Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë gjërat kanë ndryshuar dhe se po shikon dritë në fund të tunelit. Putin theksoi se Washingtoni dhe Perëndimi ka përgjegjësinë më të madhe për uljen e tensioneve
"Sa i përket marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara, ato janë në nivelin më të ulët që nga Lufta e Dytë Botërore. E kam thënë këtë shumë herë. Por me ardhjen e Presidentit Trump po fillojmë të shohim dritë në fund të tunelit. Dhe kohët e fundit kemi pasur një takim shumë të mirë dhe të sinqertë në Alaska. Kontaktet vazhdojnë në nivel ministror, zyrtar dhe biznesi. Shpresoj vërtet që hapat e parë që janë ndërmarrë janë vetëm fillimi i një rivendosjeje të plotë të marrëdhënieve tona (midis Rusisë dhe SHBA-së). Kjo nuk varet nga ne.
Varet para së gjithash nga partnerët tanë perëndimorë. Në kuptimin më të gjerë. Sepse SHBA-të janë të lidhura nga detyrime të caktuara në shoqata të ndryshme, përfshirë Bllokun e Atlantikut të Veriut. Prandaj, hapat e ardhshëm tani varen nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara. Por jam i sigurt se cilësitë e lidershipit të presidentit aktual, Presidentit Trump, janë një garanci e mirë se marrëdhëniet do të rivendosen. Dhe shpresoj që ritmi i punës sonë të përbashkët mbi këto baza do të vazhdojë.", tha Putin.
Paqja në Ukrainë, takimi me Zelenskyn i pamundur
Një samit i afërt midis Presidentit rus, Vladimir Putin dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky është jorealist për Rusinë.
Sipas Moskës kushtet e samitit dypalësh nuk janë përmbushur "Putin është gati të takohet me Zelenski pasi të jetë përgatitur një axhendë për samitin, dhe kjo axhendë është larg të qenit e plotë", tha Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov për rrjetin televiziv amerikan NBC.
Lavrov tha tani se çështjet që duhet të zgjidhen para një takimi të tillë përfshijnë lëshimet territoriale dhe heqjen dorë nga anëtarësimi i Ukrainës në aleancën ushtarake perëndimore, NATO.
Ndërkohë presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte bërë thirrje për një takim të tillë për t'i dhënë fund luftës agresionale të Rusisë në Ukrainë.
Moska deri më tani kishte qenë e paqartë për këtë çështje. Por edhe Trump i ka shuar shpresat për një takim midis Presidentit rus Vladimir Putin dhe homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ka përmendur rishtazi mundësinë e sanksioneve. Ai do të marrë një vendim të rëndësishëm në lidhje me përpjekjet e tij për të sjellë paqe në Ukrainë brenda dy javësh, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë. Mund të ketë sanksione masive kundër Moskës ose ai "nuk do të bëjë asgjë", theksoi Trump.
Më parë në takimin me krerët evropianë në Shtëpinë e Bardhë, Trump ishte shprehur, se "do të shohim nëse Putini dhe Zelensky do të punojnë së bashku".
"E dini, është pak si vaji dhe uthulla. Ata nuk shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, për arsye që dihen."
Lini një Përgjigje