TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Qershor 2025, 20:34

Publikohen shifrat, fatura e kripur që po paguan Evropa nga lufta tregtare me Trump

Shkruar nga Pamfleti

Publikohen shifrat, fatura e kripur që po paguan Evropa nga lufta tregtare

Europa në shënjestër: Si tarifat e Trump po tronditin tregtinë kontinentale

Pas fjalëve, akuzave të ndërsjella, tarifave, kundër-tarifave, tërheqjeve dhe rikthimeve me retorikë agresive, po vijnë faktet konkrete. Pasojat reale të luftërave tregtare të nisura nga Donald Trump sapo kanë mbërritur në tabelat e tregtisë së Shteteve të Bashkuara – sipas vlerës – të publikuara së fundmi nga US Census Bureau. Mjafton një shikim për të kuptuar përmbysjen e madhe që kanë shkaktuar tarifat pas asaj që u quajt "Dita e Çlirimit".

Tarifat e ndërsjella

Njoftimi për tarifat "reciproke" u bë më 2 prill, prandaj është muaji që duhet vëzhguar për të parë efektet e tyre. Deficiti tregtar amerikan rezulton pothuajse i përgjysmuar (–46%) krahasuar me muajin e mëparshëm, si pasojë e një rënieje prej rreth 70 miliardë dollarësh në importe krahasuar me marsin dhe një rritje prej rreth tetë miliardë dollarësh në eksporte. Veçanërisht, ndikimi mbi Kinën është shumë i fortë. Në janar, muajin e fundit përpara tarifave të reja dypalëshe, SHBA kishin importuar mallra nga Kina në vlerë mbi 41 miliardë dollarë; në prill, kjo faturë ra në vetëm 25 miliardë – një rënie prej 39% krahasuar me periudhën e mëparshme dhe 20% më pak krahasuar me prillin e vitit 2024.

Ndikimi në shkëmbimet tregtare

Ndikimi në shkëmbimet tregtare midis dy ekonomive më të mëdha në botë – që përbëjnë gati gjysmën e qarkullimit global – është i gjerë. Edhe për Evropën efektet janë të dukshme. Eksportet e Bashkimit Evropian drejt SHBA ranë me 35% në prill krahasuar me marsin, muajin e fundit përpara tarifave “reciproke”, ndonëse mbetën praktikisht të pandryshuara krahasuar me prillin e vitit të kaluar.

Më problematike është situata për Gjermaninë. Rënia e shitjeve të produkteve gjermane në SHBA, pas vendosjes së tarifave “reciproke” (edhe pse më pas u reduktuan në 10%, përjashtuar çelikun, aluminin dhe sidomos makinat që u taksuan me 25% në dy muajt e fundit), është e ashpër: –16% në prill krahasuar me marsin dhe –8.6% krahasuar me prillin e 2024. Ka shumë gjasa që goditja më e rëndë po bie mbi industrinë e makinave gjermane, të cilës Italia i furnizon komponentë drejtpërdrejt.

Edhe për produktet "Made in Italy" efektet e tarifave kanë filluar të ndihen. Por tërmeti i madh i tarifave të Trumpit po vjen në një mënyrë disi ndryshe nga vendet e tjera. Rënia e eksporteve është 10% në prill krahasuar me marsin, pra përpara “Ditës së Çlirimit”, dhe 4.4% më pak krahasuar me prillin e vitit 2024.

Deficiti tregtar amerikan

Paradoksi është se gjithë ky përmbysje e madhe ka bërë që deficiti tregtar amerikan të rritet me rreth 70 miliardë dollarë – jo të bjerë – në katër muajt e parë të vitit 2025, krahasuar me 2024. Së shpejti, efektet negative të frenimit të importeve amerikane do të ndihen në ekonomitë eksportuese. Askush nuk mund të thotë se në çfarë niveli do të jenë tarifat e Trump në të ardhmen, prandaj parashikimi i efekteve është i pamundur. Por destabilizimi i madh tashmë ka ndodhur. Dhe kjo tani reflektohet në të dhënat zyrtare të ekonomisë reale. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”

Lini një Përgjigje