
Në një takim të parë zyrtar që mund të shënojë konturet e një kapitulli të ri transatlantik, Presidenti amerikan Donald Trump ka pritur në Zyrën Ovale kancelarin e ri gjerman, Friedrich Merz.
Me tone pozitive dhe theks në “bashkëpunim të shkëlqyer”, të dy liderët konfirmuan gatishmërinë për të forcuar marrëdhëniet SHBA-Gjermani – por pa hyrë në thellësi mbi temat më të nxehta të momentit, si Ukraina apo mbrojtja europiane.
“Do të kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me Gjermaninë,” deklaroi Trump, duke nënvizuar se SHBA vlerëson partneritetin me Berlinin dhe rolin e ri të kancelarit Merz në Evropë. Nga ana e tij, Merz e falënderoi presidentin për mikpritjen dhe theksoi se “dy vendet tona ndajnë një bazë të fortë për bashkëpunim”.
Por kur tema kaloi te Ukraina – çështja më urgjente e sigurisë globale – Trump nuk dha asnjë sinjal për ndryshim strategjik. Ai u shpreh shkurtimisht: “Është e trishtueshme ajo që po ndodh me Rusinë dhe Ukrainën”. Pa ndonjë ofertë konkrete për ndihmë, pa një plan paqeje, dhe me një distancë të qëllimshme nga retorika e luftës, mesazhi i Trump mbetet i vakët për një Evropë që kërkon garanci dhe lidership.
Vetëm një ditë më parë, Trump kishte deklaruar se kishte pasur një “bisedë të mirë” me presidentin rus Vladimir Putin, por shtoi se “nuk ishte një bisedë që do të çonte në paqe të menjëhershme”. Kjo i ka shtuar shqetësimet në Berlin dhe kryeqytetet e tjera europiane, për qëndrimin e vërtetë të SHBA-së ndaj Kremlinit.
Ndërkohë, nga takimi nuk doli asnjë deklaratë për rritjen e mbështetjes ushtarake ndaj Kievit apo presion të përbashkët ndaj Moskës. Kjo heshtje flet më shumë se fjalët – dhe sugjeron se në skenën gjeopolitike, Berlini duhet të përgatitet për më shumë vetëpërgjegjësi në mbrojtjen e kontinentit.
Lini një Përgjigje