TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Gusht 2024, 21:17

Pse Vladimir Putin i frikësohet zgjerimit të luftës në Lindjen e Mesme?

Shkruar nga Rebekah Koffler

Pse Vladimir Putin i frikësohet zgjerimit të luftës në

Putin u tërhoq në minutën e fundit për dorëzimin e armatimit tek rebelët Huthi në Jemen, ndoshta për t’i treguar Arabisë Saudite dhe SHBA-së, se ndërsa është në një “martesë leverdie” me Teheranin, Moska nuk po synon që të nisë një Luftë të Tretë Botërore.

Ndërsa kriza në Lindjen e Mesme, vazhdon të përshkallëzohet në mesin e shqetësimeve për një sulm të parashikuar të Iranit ndaj Izraelit, si një hakmarrje për vrasjen e shefit të Hamasit Ismail Haniyeh javën e kaluar në Teheran, presidenti rus Vladimir Putin e këshilloi Udhëheqësin e Lartë iranian, Ayatollah Ali Khamenei, që të shmangë viktimat civile izraelite.

Ky mesazh iu përçua nga Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Sergei Shoigu, i cili u takua me liderët iranianë, përfshirë presidentin Masoud Pezeshkian të hënën në Teheran. Po përse do ta bënte këtë “diktatori vrasës” rus, siç e quajti dikur presidenti Joe Biden, në një kohë kur Pentagoni po e shton praninë e tij ushtarake në Lindjen e Mesme, në përgatitje për atë që Sekretari i Shtetit Antony Blinken e quajti një “sulm të afërt” ndaj Izraelit nga Irani dhe Hezbollahu?

Skenari më i keq, të cilit i druhen aktualisht shumë ekspertë të sigurisë kombëtare, është një luftë më e gjerë në Lindjen e Mesme. Dhe nëse kjo ndodh, pyetja kryesore do të jetë:A do të bashkohej me Iranin Rusia, fuqia më e madhe bërthamore në botë, dhe një nga kundërshtaret kryesore të SHBA-së?

Sepse nëse do të ndodhte, kjo do të kishte pasoja katastrofike për rajonin dhe botën. Për momentin në Uashington, dominon supozimi se Putin do të rreshtohej automatikisht në anën e Teheranit dhe kundër Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Tek e fundit, Irani i ka ofruar Moskës qindra raketa balistike, dronë dhe municione të tjera për të luftuar kundër Ukrainës.

Nga ana tjetër SHBA-ja, ka dërguar në Ukrainë armë të teknologjisë së fundit dhe para për të ndihmuar në degradimin e ushtrisë ruse. Por llogaritjet që ndikojnë në vendimin e Putin, nuk janë të thjeshta. Marrëdhënia e tij me Izraelin dhe Teheranin nuk është lineare. Përkundrazi diktohet nga konsiderata komplekse.

Për këtë arsye, është gati e sigurt që ai nuk dëshiron një goditje shkatërruese ndaj Izraelit. Gjatë gjithë presidencës së tij dhe deri në pushtimin e Ukrainës, Putin ka ndjekur një politikë kryesisht pro-izraelite. Jo sepse është një burrë i mirë, por sepse është pragmatist.

Që kur u bë president në vitin 2000, Putin i ka përmirësuar ndjeshëm marrëdhëniet ruso-izraelite. Pas disa dekada raportesh armiqësore midis Bashkimit Sovjetik dhe Izraelit, Putin u bë lideri i parë i Kremlinit që vizitoi Izraelin në vitin 2005. Më vonë, miratoi ndërtimin e një muzeu të madh hebre me kosto 60 milionë dollarë dhe të Qendrës së Tolerancës, të cilës i dhuroi pagën e tij të një muaji si kreu i shtetit.

Pasi u hap në Moskë në vitin 2012, muzeu e pranoi historinë e antisemitizmit të Rusisë dhe Bashkimin Sovjetik, dhe njohu kontributin e hebrenjve në jetën sovjetike. Duke qenë praktik, Putin ka të ngjarë të llogarisë se 1.2 milionë emigrantë rusë dhe ish-sovjetikë që jetojnë në

Izrael, përfaqësojnë një grup të mirë emigrantësh që mund të kthehen në atdheun e tyre apo të prindërve, duke e shtuar kapitalin njerëzor të arsimuar në një Rusi që po has jo pak vështirësi demografike.

Ai i sheh gjithashtu emigrantët hebrenj në Izrael, Evropë dhe Shtetet e Bashkuara si një burim potencial investimi në Rusi, veçanërisht në teknologjinë e lartë, tani që Rusia është e mënjanuar nga Perëndimi për shkak të luftës së saj kundër Ukrainës.

Putin takohet shpesh me Kryerabinin e Rusisë Berel Lazar. Ata shkruajnë urime të përbashkëta në rastin e festave për komunitetin hebre në Rusi. Putin përsërit ndonjëherë batutat që i thotë Lazar. Kur flet për popullsinë rusisht-folëse izraelite, Putini i quan ata “hebrenjtë tanë” (Nashi Yevrei).

Për më tepër, Putini sheh ndoshta një shans për të ndikuar mbi politikën e shtetit hebre, pasi Izraeli është bërë shtëpia e popullsisë më të madhe në botë të hebrenjve që vijnë nga ish-Bashkimi Sovjetik, dhe 15-17 për qind e popullsisë izraelite flet edhe rusisht.

Putin ka pasur dikur një marrëdhënie të shkëlqyer me kryeministrin Benjamin Netanyahu, i cili e sheh popullsinë e emigrantëve rusë si çelësin e suksesit dhe të mbijetesës së tij politike. Në fakt, emigrantët hebrenj dhe pasardhësit e tyre janë bërë një bllok i konsiderueshëm politik nacionalist laik, i cili ka siguruar sundimin e krahut të djathtë deri më sot.

Gjatë fushatës së tij elektorale në vitin 2019, Netanyahu vendosi reklama dhe tabela në rusisht, duke theksuar lidhjet e tij me Putinin, dhe e shtoi numrin e intervistave të mediave në gjuhën ruse, me shpresën se do të merrte votat e ruso-izraelitëve.

Raporti personal midis Putinit dhe Netanyahut, që të dy ithtarë të real-politikës dhe pragmatistë, i forcoi marrëdhëniet ruso-izraelite. Që të dy udhëheqësit, ndajnë besimin se ekstremizmi islamik është një armik i përbashkët dhe me të cilin nuk mund të ketë kompromis. Izraeli nuk e kritikoi Moskën për luftërat e saj në Çeçeninë myslimane, dhe as nuk shprehu ndonjë reagim negativ ndaj aneksimit të Krimesë nga Putin.

Në fakt, Izraeli mbajti me kujdes një qëndrim neutral gjatë fazave fillestare të konfliktit Rusi-Ukrainë, pasi u përmbajt nga kritikimi i Putinit për pushtimin, refuzoi t’i bashkohej sanksioneve të SHBA-së dhe BE-së kundër Moskës, dhe vendosi të sigurojë vetëm ndihmë humanitare për Ukrainën dhe jo pajisje ushtarake.

Ishte një vendim strategjik i Izraelit, i cili e shihte Rusinë si një ndërmjetës të ri fuqie në rajon, jetik për aftësinë e saj për të menaxhuar kërcënimin nga Irani. Duke rrezikuar zemërimin e Uashingtonit, Izraeli i dha përparësi koordinimit të nevojshëm në fushën e sigurisë midis ushtrisë ruse dhe Forcave të Mbrojtjes të Izraelit në Siri, ku Rusia kontrollon qiejt, dhe e cila ka lejuar në heshtje avionët luftarakë izraelitë të kryejnë sulme ndaj milicive të mbështetura nga Irani.

Moska nuk ka qenë gjithnjë një mike e Ajatollahëve, pasi ka pasur një histori të trazuar me Teheranin. Në vitin 2010, Kremlini - duke iu bindur sanksioneve të OKB-së - ndaloi me një dekret presidencial shitjen tek Irani të sistemit raketor të mbrojtjes ajrore S-300, i cili do ta kishte forcuar mbrojtjen e bazave bërthamore iraniane nga sulmet ajrore.

Dhe në vitin 2019, në mesin e tensioneve në rritje në Gjirin Persik, Putini e refuzoi kërkesën e Iranit për të blerë sistemin e avancuar të mbrojtjes raketore S-400. Ky refuzim, ishte ndoshta si përgjigje ndaj shqetësimeve të përbashkëta nga Izraeli dhe Arabia Saudite, por edhe sepse ai kërkoi që të mbante një marrëdhënie pozitive me të dyja vendet.

Megjithatë administrata Biden, ka krijuar përçarje midis Moskës dhe Jerusalemit, duke e shtyrë Rusinë më afër se kurrë me Iranin. Nën një presion të pamëshirshëm, Uashingtoni e detyroi Izraelin të furnizonte Ukrainën me pajisje ushtarake për të luftuar kundër Rusisë.

Putin ka shumë pak gjasa të rrezikojë ta humbë gjithë këtë kapital politik dhe personal që ndërtoi me hebrenjtë ruso-izraelitë dhe shtetin e Izraelit gjatë thuajse një çerek shekulli, dhe të armiqësohet me Arabinë Saudite, duke e lënë veten të perceptohet si një ndihmës i Iranit për të goditur Izraelin.

Publikisht, Moska do të ruajë retorikën pro-Iranit dhe anti-perëndimore, por duke synuar ta mbajë Iranin në anën e tij dhe të forcojë peshën e saj negociuese me Shtetet e Bashkuara mbi Ukrainën dhe sanksionet ekonomike perëndimore. Putini kërkon që t’i tregojë SHBA-së dhe botës, se me të mund të negociohet mbi baza transaksionale.

Shkëmbimi i fundit i madh të burgosurve me SHBA-në dhe disa vende evropiane, është një shembull i qartë i kësaj qasje. Shkëmbimi i të burgosurve, u bë në një kohë kur Ukraina po merr më në fund avionët amerikanë F-16, të cilët do ta vrasin forcat ruse në front.

Të premten, Putin u tërhoq në minutën e fundit për dorëzimin e armatimit tek rebelët Huthi në Jemen, ndoshta për t’i treguar Arabisë Saudite dhe SHBA-së, se ndërsa është në një “martesë leverdie” me Teheranin, Moska nuk po synon që të nisë një Luftë të Tretë Botërore.

Retorika që del nga administrata Biden për Putinin si “një diktator vrasës” dhe për Rusinë si “pikë karburanti, e maskuar si një vend” - na tregon se emocionet dhe jo llogaritjet racionale po diktojnë aktualisht politikat e Uashingtonit. Kjo qasje e paaftë dhe fëminore po i vë flakën botës.

Ndërsa nëntori po afrohet gjithnjë e më shumë, amerikanët duhet të vendosin se cilin ekip - Trump apo Harris - zotëron fuqinë intelektuale, kompetencën dhe kuptimin e nuancuar të botës, për të siguruar së pari sigurinë e Amerikës dhe të aleatëve të saj të vërtetë.

Putin mund të jetë vërtet një vrasës dhe diktator, por ai është një realist politik deri në palcë, duke luajtur me mjeshtëri në skakierën e gjeopolitikës globale. Llogaritja e vendimeve të tij nuk është e arsyeshme. Për ta mposhtur atë, çdo udhëheqës amerikan duhet të kuptojë së pari mendimin që dominon në gjirin e shërbimeve sekrete ruse./Përshtati "Pamfleti" nga “Fox News”

*Shënim: Rebekah Koffler, analiste e çështjeve strategjike dhe të shërbimeve sekrete ushtarake.

putin

Lini një Përgjigje