
Teksa tensionet në rajon janë rritur, Serbia ka propozuar futjen e shërbimit ushtarak me detyrim...
Shtabi Ushtarak serb ka propozuar rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në vend, teksa tensionet në Ballkan po rriten.
Njoftimi ka ardhur nga Ministria e Mbrojtjes, e cila ka deklaruar se të rinjtë duhet të ushtrojnë një shërbim deri në katër muaj. Sipas saj, kjo bëhet “për të rritur aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura Serbe, përmes përtëritjes dhe përmirësimit të stërvitjes së forcave aktive dhe rezervë”.
Sipas ministrit të Mbrojtjes, propozimi nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Serbe vjen pas "një shqyrtimi të detajuar të situatës së përgjithshme të sigurisë dhe sfidave aktuale me të cilat përballet Republika e Serbisë si një vend ushtarakisht neutral".
Ai shtoi se propozimi i është përcjellë presidentit serb Aleksandar Vuçiç, për shqyrtim.
Serbia pezulloi shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011, mes përpjekjeve për profesionalizimin e forcave të armatosura.
Tani, vendi duket afër rikthimit të shërbimit të detyrueshëm, pavarësisht shqetësimeve se qeveria mund të paguajë një faturë të lartë për një rekrutim kaq masiv.
Në vitet 1990, rajoni kaloi nëpër një shpërbërje të përgjakshme të ish-Jugosllavisë. Tensionet kanë qenë të larta në Ballkan që atëherë.
Edhe pse zyrtarisht neutrale, ushtria serbe ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë, nga ku ka blerë shumicën e armëve të saj, duke përfshirë avionë luftarakë dhe tanke.
Pavarësisht se zyrtarisht kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, Serbia ka refuzuar të vendosë sanksione kundër Rusisë për agresionin e saj ndaj Ukrainës.
Tensionet janë rrotulluar kryesisht rreth ish-krahinës së Serbisë, Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008, diçka që Serbia dhe aleatët Rusia dhe Kina nuk e njohin.
Beogradi ka ngritur disa herë gatishmërinë luftarake të forcave të tij në kufirin me Kosovën, gjatë muajve të fundit.
Serbia ka mbajtur gjithashtu marrëdhënie të përzemërta me NATO-n, trupat paqeruajtëse të së cilës janë vendosur në Kosovë që nga viti 1999, kur aleanca ushtarake perëndimore ndërhyri për të ndaluar goditjen e përgjakshme të Beogradit kundër shqiptarëve të Kosovës.
Një rajon tjetër i paqëndrueshëm është Bosnja, ku një udhëheqës separatist boshnjak-serb ka kërcënuar të shpallë gjysmën e Bosnjës të kontrolluar nga serbët të pavarur dhe ta bashkojë atë me Serbinë fqinje. /Përshtati “Pamfleti” nga “Euro News”
Lini një Përgjigje