Për momentin, një “ushtri evropiane” e vërtetë duket ende si fantashkencë...
Lufta në Ukrainë po hyn në vitin e saj të tretë, dhe për momentin në horizont nuk ka asnjë rrugëdalje ushtarake nga ky konflikt. Por më shumë se sa ecuria e luftës në front, Brukselin e shqetëson më shumë ajo që mund të ndodhë në anën tjetër të Atlantikut, pra kthimi i mundshëm i Donald Trump në krye të SHBA-së pas zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.
Nëse manjati i Nju Jorkut do të ri-hynte në Shtëpinë e Bardhë në fillim të vitit 2025 (një skenar jo shumë i pamundur sipas sondazheve), Evropa mund ta gjente veten pa mbështetjen e pakushtëzuar të aleatit të saj të plotfuqishëm, Uashingtonit.
Aktualisht, republikanët po e bllokojnë ndihmën e re ushtarake të SHBA-së për Ukrainën. Dhe me Trumpin në krye të SHBA-së, anëtarët evropianë të NATO-s mund të detyrohen të mbështesin vetëm Kievin. Por jo vetëm kaq: sipas disa ekspertëve, presidenti rus Vladimir Putin mund të shkojë përtej kufijve të Ukrainës dhe të sulmojë drejtpërdrejt Evropën në një të ardhme jo shumë të largët.
Për këtë arsye, pyetja që po qarkullon gjithnjë e më shumë në kancelaritë e BE-së është nëse përballë agresionit rus, Evropa do të ishte në gjendje të mbrohej vetë, pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Kësaj pyetjeje janë munduar t'i japin përgjigje gazetarët e “Politico”. Dhe përfundimet në të cilat arritën nuk janë inkurajuese. Problemi i parë ka të bëjë me kapacitetin e shpenzimeve të mbrojtjes.
Pavarësisht presionit të SHBA-së nën presidentë të ndryshëm (nga Barack Obama te Donald Trump) që vendet evropiane të NATO-s të shpenzojmë më shumë duke i rritur ato në të paktën 2 për qind të PBB-së së tyre, dhe pavarësisht gati 2 viteve luftë në Ukrainë, deri më sot vetëm 12 shtetet evropiane nga 31 që ka NATO e kanë arritur këtë prag.
Vitin që kaloi Italia shpenzoi më pak se 1.5 për qind të PBB-së së saj. Kjo do të thotë se për të rifituar terrenin e humbur, dhe për të rindërtuar jo vetëm aparatin ushtarak, por edhe bazën e nevojshme industriale, gjatë viteve të ardhshme kërkohen investime të mëdha.
Por vullneti politik për t'i mbështetur ato nuk është aspak i sigurt: si në nivel kombëtar, dhe aq më tepër në nivel evropian, siç po shihet nga ngërçi ku është futur diskutimi mbi “autonominë strategjike” të BE-së.
Të dhënat e zbuluara nga “Politico”, konfirmojnë se sot për sot nuk ka të krahasuar midis aftësive ushtarake të Rusisë dhe atyre të vendeve të BE-së. Me gjithë humbjet e mëdha të pësuar në fushat e betejës së Ukrainës, ushtria ruse ka mbi 3.2 milionë njerëz, nga të cilët ata në shërbim aktiv përfaqësojnë rreth gjysmën (nga të cilët rreth 600 mijë janë të angazhuar aktualisht në frontin ukrainas), falë gjysmë-mobilizimit të përhershëm të urdhëruar nga Putin.
Megjithatë, gjatë viteve 1989- 2022, numri i ushtarëve në BE ra nga 3.4 në 1.3 milionë në total, edhe për shkak të braktisjes së rekrutimit të detyrueshëm në shumë shtete anëtare. Italia ka 355 mijë ushtarë aktivë dhe në rezervë, më pak se Franca (375 mijë) por më shumë se Britania e Madhe (222 mijë) dhe Gjermania (rreth 216 mijë).
Ndërsa sa i përket automjeteve, të cilat Moska arrin ende t’i riparojë dhe zëvendësojë pavarësisht sanksioneve të Perëndimit, numri i tankeve, avionëve, automjeteve të ndryshme të blinduara dhe sistemeve të artilerisë, e tejkalon shumë atë që kanë në dispozicion anëtarët evropianë të NATO-s, edhe pse cilësia e këtyre të fundit është padyshim më e lartë. Flitet për rreth 6800 tanke ruse përkundrejt 647 tanke polake, 376 gjermane, 215 franceze dhe 150 italiane. Sa i përket artilerisë, Moska ka rreth 20.430 sisteme armatimi, ndërsa Madridi mund të përdorë gjithsej 1.550, Varshava dhe Roma nga 770 secila, dhe Londra 600.
Nga ana tjetër Rusia ka mbi 11.350 automjete të blinduara, krahasuar me 2.500 të Francës, 900 të Spanjës, rreth 800 të Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, dhe 380 që ka Italia.
Dhe këto janë vetëm disa të dhëna mbi forcat konvencionale. Por hendeku më i madh midis Rusisë dhe Evropës, mbetet arsenali bërthamor, i cili që nga viti 1945 ka vazhduar të përbëjë pengesën strategjike kryesore dhe më efektive.
Moska ka numrin më të madh të bombave bërthamore në botë (gati 5.900), e ndjekur nga Uashingtoni (mbi 5.200) dhe Pekini (500). Ndërkohë Parisi dhe Londra kanë përkatësisht 290 dhe 225 bomba bërthamore. Prandaj nëse SHBA tërheq armët e saj nukleare nga Evropa, kjo e fundit nuk ka asnjë mënyrë sesi të ketë një mekanizëm parandalues të besueshëm ndaj një sulmi bërthamor të Rusisë.
Disa prej tyre, si Polonia, kanë nisur të ndërtojnë bombat e tyre atomike, por ky është një proces që kërkon kohë dhe burime, që për momentin mund të mos jenë gati. Nëse Rusia do të sulmonte Evropën, të parat që do të vuanin pasojat ndoshta do të ishin vendet baltike.
Para rënies së Murit të Berlinit, Estonia, Letonia dhe Lituania ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik, dhe Putin ka vënë disa herë në pikëpyetje sovranitetin e këtyre shteteve, siç ndodhi me Ukrainën para pushtimit. Dhe pikërisht atje, NATO mund të ketë “Thembrën e Akilit”: të ashtuquajturin “Korridori” i Suwalkit, një rrip toke që përbën të vetmen lidhje midis Lituanisë dhe Polonisë, dhe që e ndan Bjellorusinë nga enklava ruse e Kaliningradit, një nga zonat më të militarizuara në kontinent.
Sipas ekspertëve, forcat e Kremlinit mund të izolojnë republikat baltike duke pushtuar këtë korridor dhe më pas t’i pushtojnë ato brenda disa javësh, përpara se NATO të arrijë të organizojë përgjigjen e duhur. Prania pararojë e stacionuar në zonë, përfshin mbi 12 mijë ushtarë të NATO-s që vijnë nga vende të ndryshme anëtare,
Nuk është një forcë e vërtetë mbrojtëse, por më shumë një sistem alarmi që nëse aktivizohet, do ta lejonte të fitonte kohë duke pritur mbërritjen e “kalorësisë”. Kjo për sa kohë që Shtëpia e Bardhë dëshiron ta dërgojë atë. Hyrja në NATO e Helsinkit dhe Stokholmit (kjo e fundit është ende në mëshirën e parlamentit hungarez) mund të ri-balancojë forcat në terren.
Por krahu lindor mbetet ende i dobët përballë kërcënimit të një sulmi të fuqishëm nga Moska dhe Minsk. Pra aktualisht jemi shumë të cenueshëm. Dhe nuk po ecim aq shpejt sa për të ndryshuar kurs. “Evropa jo vetëm që është e papërgatitur për luftë, por ajo nuk po përgatitet as tani”- thotë Benjamin Tallis, nga institut gjerman DGAP. Prandaj, pa një mbështetje thelbësore të SHBA-së, evropianët nuk kanë as burra dhe as pajisjet e duhura për të përballuar një konflikt me intensitet të lartë kundër Rusisë.
Dhe ndërsa Kremlini po shpenzon tashmë më shumë se 4.4 për qind të PBB-së ruse për mbrojtjen, vendet e BE-së nuk i kanë rimbushur ende plotësisht arsenalet që janë pakësuar për shkak të mbështetjes ushtarake të Kievit. Sigurisht, ka pasur progres në vëllimet dhe ritmet e prodhimit të industrisë ushtarake, por jo ende në nivele të mjaftueshme.
Dhe angazhimi financiar që nevojitet për të arritur në këtë nivel është shumë i vështirë për t’iu paketuar politikisht opinionit publik, sidomos në një vit të nxehtë elektoral. Së fundi,
ka një mungesë koordinimi strategjik midis kryeqyteteve evropiane sa i përket mbrojtjes së përbashkët, gjë që do të reduktonte ndjeshëm nevojën për investime individuale.
Përveç aftësive të përbashkëta të prodhimit, do të nevojitet një ndërveprim më i madh ndërmjet armëve dhe sistemeve të transportit të vendeve anëtare, si dhe një përafrim i buxheteve të tyre ushtarake. Megjithatë për momentin, një “ushtri evropiane” e vërtetë duket ende si fantashkencë./Përshtati Pamfleti nga “Europa Today”
Lini një Përgjigje