Çfarë do të bëjë Elon Musk në Shtëpinë e Bardhë? Ndërkohë, ai duket shumë i gëzuar dhe kënaqet duke postuar vazhdimisht një breshëri memesh komike në profilin e tij X, ku bën deklarata politike të forta dhe provokuese.
Donald Trump është një njeri, të cilit nuk mund t’i zihet verbërisht besë! Kjo është këshilla e sinqertë dhe e pa motivuar nga ndonjë interes personal e një historiani të shquar amerikan si David Nasaw drejtuar multi-miliarderit Elon Musk.
Mund të jetë gjithashtu e vërtetë që në fjalimin e tij të fitores, Trump bëri një koment të bujshëm lavdërues për mikun e tij, për të cilin tha ndër të tjera: “Një ylli i ri ka lindur, dhe ai është Elon Musk!”. Por me shumë gjasa pikërisht këtu qëndron edhe problemi.
Në Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump ka vend vetëm për një gjeni, për një yll. Ai vetë. Në këto kushte, lind pyetja: Sa do të zgjasë roli i DOGE (Departamentit të Efiçencës së Qeverisë) që do drejtohet nga Musk? Nuk ka asnjë dyshim që Trump është një njeri me një karakter të paparashikueshëm.
Por ai nuk ka shumë gjasa të bëjë zgjedhje të ndryshme nga ato të paraardhësve të tij. Dhe Nasaw, si një studiues i shquar i historisë së SHBA-së, e di mirë këtë. Në fakt, ai parashikon që Musk do t’i bashkohet shumë shpejt listës së gjatë të biznesmenëve “gjenialë”, por mbi të gjitha financuesve (dhe jo donatorëve, siç lexojmë kudo) të fushatave presidenciale, të cilëve u janë dhënë duart, sapo e kanë përfunduar rolin e tyre.
Le të kujtojmë pak rastin e biznesmenit Andrew Carnegie, në atë kohë njeriu më i pasur në Amerikë dhe një nga financuesit kryesorë të presidentëve William McKinley dhe Theodore Roosevelt.
Carnegie e kishte marrë si një fakt të mirëqenë, se në këmbim të mbështetjes së tij, falë “gjenialitetit” dhe marrëdhënieve të tij personale me të gjithë krerët e shteteve dhe qeverive evropiane, madje edhe me mbretërit e kurorëzuar, ai do të bëhej këshilltari kryesor për politikën e Jashtme të Teddy Roosevelt, kur në vitin 1901, ky u bë president, pas vrasjes në një atentat të McKinleyt.
Me këtë cilësi ai e “bombardonte” Shtëpinë e Bardhë me opinionet e veta mbi traktatet ndërkombëtare, të arbitruara midis fuqive të mëdha, të cilat sipas Carnegie do të sillnin një shekull të tërë paqeje. Dhe çfarë bëri Roosevelt? Ai iu përgjigj me letra plot me admirim për të.
Por pas këshillave që mori, vendosi që të mos kishte të bënte më me të. Po rastin e Hearst e mbani mend? Miliona ndjekësit e Musk sot, janë shumë të paktë në krahasim me perandorinë botuese që zotëronte dikur William Randolph Hearst:28 gazeta në qytetet kryesore, një agjenci lajmesh, stacione radiofonike, një televizione që jepte lajme të përditshme dhe 13 gazeta dhe revista të përjavshme!
Kontributi i Hearst, manjatit që frymëzoi kryeveprën kinematografike të Orson Wells “Citizen Kane” (Qytetari Kejn), në fushatën e Franklin Delano Roosevelt ishte i jashtëzakonshëm dhe në shumë fusha. Pra shumë më tepër se financiar. Fushata e diskreditimit që ai nisi kundër rivalit të Roosvelt, Herbert Hoover, të cilin ai e kishte mbështetur në zgjedhjet e mëparshme, ishte mbresëlënëse.
Megjithatë “muaji i mjaltit” me Franklin Roosevelt ishte jetëshkurtër. Vetëm disa ditë pas zgjedhjeve, Hearst i dërgoi presidentit të ri listën e tij të kandidatëve të qeverisë, së bashku me një plan për rimëkëmbjen ekonomike të vendit. Por nga Shtëpia e Bardhë nuk pati asnjë përgjigje.
Dy muaj më vonë, Roosevelt e ftoi zyrtarisht Hearst për ta vizituar, por vetëm privatisht. Në këto kushte Herst e refuzoi takimin. Hakmarrja është një pjatë që shërbehet më mirë e ftohtë, dhe thuhet se filmi “Gabrieli në Shtëpinë e Bardhë”, i financuar nga Hearst, në të cilin një engjëll këshillon një president të dobët dhe të paaftë, i është kushtuar Teddy Roosevelt.
Çfarë do të bëjë Elon Musk në Shtëpinë e Bardhë? Ndërkohë, ai duket shumë i gëzuar dhe kënaqet duke postuar vazhdimisht një breshëri memesh komike në profilin e tij X, ku bën deklarata politike të forta dhe provokuese.
Më pas, së bashku me Vivek Ramaswamy, me të cilin do të drejtojë DOGE, ai sapo ka shpallur një ofertë pune të pazakontë: ata kërkojnë të rekrutojnë amerikanë me një koefiçent inteligjence të lartë (IQ), që janë të gatshëm të punojnë më shumë se 10 orë në ditë për të bërë të mundur shkurtimet e shpenzimeve publike, dhe ta bëjnë punën tërësisht falas!/ Përshatati "Pamfleti" Nga ”Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje