Vdekja e Alexei Navalny peshon shumë në ndërgjegjen e udhëheqësve perëndimorë, që ishin shumë të ngadaltë në njohjen e kërcënimit që vinte nga korrupsioni dhe autoritarizmi rus. Dhe kështu duhet të jetë. Megjithatë, do të jetë e kotë nëse nuk merren masat akoma më shtrënguese dhe kufizuese mbi pasuritë e njerëzve që e vranë atë...
Natyrisht, premtimi i presidentit Joe Biden se Moska do të përballet me “pasoja shkatërruese” në rast se Navalny vdes në burg, u bë 7 muaj para pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia. Shumica e sanksioneve dhe masave të tjera që mund të ishin në tryezë në fillim të vitit 2021, janë vendosur tashmë.
Megjithatë, kjo s'do të thotë se Uashingtoni nuk ka më opsione të tjera. Në fakt, unë mendoj se 5 janë mënyrat e kundërpërgjigjes. Nëse këto masa zbatohen në mënyrë të vazhdueshme dhe në harmoni me aleatët e SHBA-së, mund të kenë një ndikim të vërtetë mbi Kremlin, tek perspektivat e Putinin, të atyre që e sfidojnë atë, si dhe mbi të ardhmen afatgjatë të politikës ruse.
Së pari, SHBA-ja duhet ta vendosë në qendër të politikës së saj ndaj Rusisë fatin e të burgosurve politikë. Ndonëse ishte i burgosuri politik më i shquar, Navalny nuk ishte i vetmi. Organizata ruse e të drejtave të njeriut Memorial, tani e detyruar të veprojë në mërgim, vlerëson se të paktën 700 njerëz po mbahen aktualisht në burgjet ruse, vetëm sepse janë mjaftueshëm të guximshëm për t'u ngritur kundër Putinit, luftës së tij dhe fushatave të represionit të brendshëm. Në listë përfshihen politikanë të tjerë të shquar të opozitës, si Vladimir Kara-Murza dhe Ilya Yashin, gazetarë si Evan Gershkovich dhe Alsu Kurmasheva (që të dy jo rastësisht, qytetarë amerikanë) dhe shumë e shumë njerëz, emrat e të cilëve janë më pak të njohur, por rreziku ndaj të cilëve nuk është më i vogël.
Shtetet e Bashkuara duhet të bëjë gjithçka që kanë në dorë për t'i mbajtur gjallë këta njerëz. Një parim thelbësor i diplomacisë së SHBA-së gjatë Luftës së Ftohtë, ishte vëmendja e vazhdueshme ndaj mënyrës sesi Bashkimi Sovjetik i trajtonte të burgosurit politikë.
Një fokus i tillë, ia bënte më të vështirë Kremlinit eleminimin e tyre. Ndërsa fama nuk e mbajti dot gjallë Navalny, ky nuk është një justifikim për të hequr dorë nga pjesa tjetër. Për më tepër, shndërrimi i të burgosurve politikë në Rusi në një prioritet politik të dukshëm për SHBA-në, u përçon atyre që janë mjaft të guximshëm për të vazhduar kundër Putinit mesazhin se Amerika do të jetë në krah të tyre. Për një aktivist, kjo ndjenjë mbështetjeje dhe solidariteti, mund të bëjë dallimin midis heqjes dorë dhe vazhdimit të rezistencës.
Së dyti, politikë-bërësit amerikanë duhet të forcojnë mbështetjen për të burgosurit politikë përmes ndihmës materiale reale. Siç e bën të qartë një studim i ri nga Qendra për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA), edhe pse Putin mund të zëvendësohet nga dikush që dëshiron të rindërtojë urat e bashkëpunimit me Perëndimin, strukturat dhe instinktet e autokracisë do të jenë po aty. Ndërsa mbështetja për demokracinë ruse nuk mund të zëvendësojë mbështetjen për sovranitetin ukrainas, duhet t'i bëhet e qartë si Putinit po ashtu edhe kujtdo që mund ta pasojë atë në krye të Rusisë, se nuk mund të ketë lehtësim të sanksioneve për sa kohë që nuk lirohen të burgosurit politikë.
Së treti, SHBA-ja dhe Evropa duhet t'u japin të drejtën e azilit dhe strehimit të gjithë qytetarëve rusë që ikin nga represioni dhe lufta. Ndjenja e dinjitetit dhe qëllimit që kishte Alexei Navalny, e nxiti atë të vinte veten në rrezik. Por kjo është një sakrificë, të cilën ne nuk mund dhe s'duhet ta kërkojmë nga të gjithë kundërshtarët e Putinit.
Dështimi për të siguruar një mbrojtje ligjore për refugjatët politikë nga Rusia - e ngjashme me mbështetjen që SHBA ofron për kubanezët, venezuelianët dhe të tjerët - është i pajustifikueshëm nga pikëpamja morale dhe pragmatike. Detyrimi i disidentëve rusë që të qëndrojnë në Rusi apo të kthehen në shtëpi për shkak të problemeve me integrimin atje ku kanë emigruar, i jep Putinit më shumë viktima dhe i detyron kundërshtarët e tij të zgjedhin midis sigurisë dhe ndërgjegjes së tyre. Asnjë nga këto rezultate nuk është në interesin e Amerikës.
Së katërti, dhe në lidhje me pikat e trajtuara me lart, derisa të lirohen të gjithë të burgosurit politikë, dhe të nxirren para drejtësisë ata që janë përgjegjës për vdekjen e Navalny, SHBA-ja dhe Evropa duhet të ndërpresin zyrtarisht lidhjet me autoritetet ruse të zbatimit të ligjit.
Mungesa jo vetëm e një procesit të rregullt ligjor, por edhe e respektit minimal për jetën njerëzore, e bën Rusinë një partnere jo të besueshme për bashkëpunim kundër trafiqeve, krimit të organizuar, kundër terrorizmit dhe pastrimin e parave. Kjo do të thotë se asnjë gjykatë apo autoritet perëndimor nuk duhet të vendosë ekstradimin në Rusi të ndonjë të dyshuari për ndonjë krim. Apo të dëbojë, qoftë edhe në një vend të tretë, çdo shtetas rus që ka të ngjarë të përballet me gjyqin në shtëpi.
Së pesti, mënyra më e qartë për të nderuar trashëgiminë e Navalny-t, është që ne në Perëndim të angazhohemi për humbjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Disa nga ne mund të tundohen të besojnë se de-përshkallëzimi i veprimeve në Ukrainë mund të çojë në de-përshkallëzimin e situatës brenda Rusisë, duke krijuar më shumë hapësirë për demokratët.
Por askush në opozitën demokratike të Rusisë nuk beson se kjo është e vërtetë. Vetë Navalny argumentonte shpeshherë se demokracia nuk mund të rivendoset asnjëherë në Rusi për sa kohë që vendi ruan ambiciet e tij perandorake, dhe këto ambicie do të vazhdojnë për aq kohë sa Kremlini, nën çdo udhëheqje, mund të arrijë të bindë popullsinë se aventura e tij në Ukrainë është gjithçka përveçse jo një katastrofë e tmerrshme.
Ndërmarrja e këtyre 5 hapave, nuk do të sjellë menjëherë rënien e regjimit të Putinit dhe as nuk do të garantojnë sigurinë e të burgosurve të tjerë politikë në Rusi. Duke parë me durim sesi Putin e ndërtoi autokracinë e tij, udhëheqësit perëndimorë nuk duhet të habiten apo të tremben nga mungesa e zgjidhjeve të menjëhershme.
Megjithatë, ata mund t'i imponojnë Kremlinit kosto reale, duke e forcuar aftësinë e opozitës për t'i bërë ballë represionit, duke e minuar efektivitetin e shtetit policor të Putinit, duke u angazhuar për ta mposhtur Putinin në fushën e tij më të rëndësishme të betejës, dhe duke u dhënë udhëheqësve të ardhshëm të Rusisë stimuj të qartë për të kryer ndryshime thelbësore./ Përshtati Pamfleti nga “National Interest”
Lini një Përgjigje