
Pavarësisht se ende nuk ka një konfirmim zyrtar, kundërofensiva ukrainase duket se ka nisur. Zv/ministrja e Mbrojtjes, Hanna Maliar në një intervistë për një televizion ukrainas ditën e sotme tha se ofensiva ukrainase po zhvillohet në disa drejtime.
“Nuk ka të bëjë vetëm me Bakhmutin. Ofensiva po zhvillohet në disa drejtime. Jemi të lumtur për çdo metër. Sot është një ditë e suksesshme për forcat tona”, tha ajo.
Më herët, Maliar tha në aplikacionin e mesazheve Telegram se trupat e vendit po kryenin veprime sulmuese në frontin lindor dhe kishin përparuar në disa drejtime rreth qytetit Bakhmut, afër vendbanimeve Orikhovo-Vasylivka dhe Paraskoviivka në veri dhe afër Ivanivske dhe Klishchiivka në jugperëndim.
Ndërkohë zëdhënësi për Grupin Lindor të Forcave të Armatosura të Ukrainës, Serhii Cherevatyi foli gjithashtu për një sulm nga ukrainasit në krahët jugore dhe veriore të Bakhmut.
"Këto veprime ishin të suksesshme. Megjithë rezistencën e ashpër të armikut, njësitë tona të sulmit ajror dhe të mekanizuar arritën të përparojnë përgjatë kanalit Siverskyi Donets-Donbas në drejtim të Klishchiivka, Orikhovo-Vasylivka, Zaliznianske dhe Bohdanivka në një distancë prej 300 metra deri në 1 kilometra në pjesë të ndryshme të vijën e parë”, tha ai.
Lini një Përgjigje