
Gjendja shëndetësore e Papa Françeskut sa vjen dhe po përmirësohet. Ati i Shenjtë, ka ndarë një mesazh nga spitali, teksa falënderon stafin mjekësor si dhe të gjithë ata që treguan kujdes duke iu gjendur pranë, teksa po vijon shërimin e tij nga pneumonia.
Pasi ka qëndruar për më shumë se tri javë në kujdes intensiv në spitalin Gemelli të Romës, Papa është duke iu përgjigjur mirë trajtimit.
“Po shfaq përmirësim të vazhdueshëm”, thonë doktorët e spitalit, teksa për të Shtunën e katërt me radhë, Papa Françesku nuk u paraqit në meshën e mesditës. Megjithatë, Vatikani e përcolli mesazhin e tij.
“Motra dhe vëllezër, gjatë qëndrimit të zgjatur në hospitalizim, kam përjetuar një shërbim dhe kujdes të ngrohtë, në veçanti nga mjekët dhe punonjësit e shërbimit mjekësor të cilët i falenderoj nga thellësia e zemrës”, shkruhej në mesazhin e Papës nga spitali në Gemelli.
Më tej, Papa Françesku u shpreh se ai ka menduar për shumë njerëz që në mënyra të ndryshme u janë gjendur pranë të sëmurëve, duke i konsideruar me “bekim” si shenjë e pranisë së Zotit.
Ati i Shenjtë, i cili po përjeton një sëmundje kronike të mushkërive, ku në javën e fundit ka paraqitur dhe kriza në frymëmarrje, duket se i ka hedhur pas krahëve momentet e tij të vështira, duke shfaqur në gjendje më të qëndrueshme, pa ethe si dhe parametra pozitivë të oksigjenit në gjak.
Kjo ishte dhe hera e parë që Papa Françesku i është përgjigjur pozitivisht trajtimit për infeksionin e mushkërive, që prej ditës së parë kur u shtrua në spital më 14 Shkurt dhe që vazhdon të ndjekë rikuperimin e tij.
Lini një Përgjigje