
"Izraeli do të ndërpresë menjëherë linjën e energjisë elektrike në Rripin e Gazës", njoftoi ministri izraelit i Energjisë Eli Cohen në një deklaratë për mediat.
“Sapo firmosa një urdhër për ndalimin e menjëhershëm të energjisë elektrike në Rripin e Gazës. Ne do të përdorim të gjitha mjetet që janë në dispozicionin tonë, për të siguruar kthimin e të gjithë pengjeve”, tha Cohen.
Ky veprim vjen pasi bisedimet e ndërmjetësuara mbi armëpushimin dhe marrëveshjen e pengjeve janë duke u zhvilluar, ndërkohë që Hamasi kërkon fillimin “e menjëhershëm” të bisedimeve për fazën e dytë të marrëveshjes së armëpushimit të Gazës, të cilën Izraeli e kundërshton.
Izraeli dëshiron të zgjasë fazën e parë të marrëveshjes për të vazhduar shkëmbimin e pengjeve – por pa ndonjë angazhim për përfundimin e përhershëm të luftës.
Javën e kaluar, Izraeli njoftoi bllokadë të të gjithë ndihmave në enklavë për t’i bërë presion Hamasit që të pranonte kushte të reja për një zgjatje të marrëveshjes aktuale të armëpushimit.
Një delegacion i Hamasit mbërriti në Kajro të premten për të diskutuar marrëveshjen e armëpushimit dhe për të nxitur një fazë të dytë të mundshme të marrëveshjes.
Nga ana e tij Izraeli tha se ka “marrë ftesë” nga ndërmjetësuesit e mbështetur nga SHBA për të dërguar një delegacion izraelit në Doha të hënën, në një përpjekje për të çuar përpara negociatat.
Një burim izraelit tha për CNN më herët se Izraeli “po i jepte një shans negociatave” përpara se të kthehej në luftime në Gaza.
Lini një Përgjigje