TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Mars 2025, 17:10

Refuzoi bisedimet për armët bërthamore, SHBA kërcënon Iranin: Do iu përgjigjemi ushtarakisht!

Shkruar nga Pamfleti

Refuzoi bisedimet për armët bërthamore, SHBA kërcënon

SHBA ka paralajmëruar sërish Teheranin se do të përballet me përgjigje ushtarake, nëse nuk pranon arritjen e një marrëveshjeje për programin e saj bërthamor.

Ditën e djeshme lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei refuzoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për bisedime.

“Irani nuk do të pranojë presionin për të hyrë në negociata”, tha lideri suprem i vendit Ayatollah Ali Khamenei.

“Ne shpresojmë se regjimi i Iranit zgjedh interesat e veta më të mira dhe popullin e vet në vend të terrorit”, tha zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Brian Hughes. Ai theksoi deklaratat e presidentit Donald Trump, i cili u shpreh se “nëse detyrohemi të futemi ushtarakisht, do të jetë e tmerrshme”.

Në një intervistë me Fox Business, Trump tha se: Ka dy mënyra për të trajtuar Iranin: ushtarakisht, ose duke bërë një marrëveshje, për te parandaluar Teheranin nga sigurimi i armëve bërthamore.

“U kam shkruar një letër atyre, ku thashë, shpresoj që do të negocioni sepse, nëse duhet të veprojmë ushtarakisht, do të jetë e tmerrshme. Po të isha në vendin e tyre, do të bisedoja për një marrëveshje. Nuk jam i sigurt se të gjithë pajtohen me mua, por ne mund ta arrijmë një marrëveshje që do të ishte po aq e mirë sa një fitore ushtarake”, u shpreh Trump.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli kanë thënë prej kohësh se nuk do ta lejojnë kurrë Teheranin të zotërojë armë bërthamore, ndërsa Irani vazhdon të pasurojë uraniumin në nivele pranë atyre të përdorura për prodhimin e armëve bërthamore. Teherani ka theksuar se është vetëm për qëllime paqësore.

Gjatë mandatit të tij të parë, Trumpi i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore dhe rivendosi sanksionet që ishin hequr sipas kushteve të saj.

Ai argumentoi se kushtet e asaj marrëveshje nuk ishin mjaftueshëm të forta për të parandaluar Iranin, nga sigurimi i armëve bërthamore. Ndërsa akuzoi Teheranin për nxitjen e dhunës ekstremiste në rajon, akuza që Irani i ka mohuar pavarësisht provave të shumta.

Muajin e kaluar Khamenei deklaroi se ishte kundër bisedimeve të drejtpërdrejta me Trumpin, duke argumentuar se ai nuk është i besueshëm pasi braktisi marrëveshjen e vitit 2015.

Lini një Përgjigje