TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota25 Qershor 2026, 07:12

Pamje dramatike nga Venezuela, ndërtesat shemben para syve të banorëve (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Pamje dramatike nga Venezuela, ndërtesat shemben para syve të

Nuk është publikuar ende një bilanc zyrtar i viktimave...

Dy tërmete shumë të fuqishme, me magnitudë 7.2 dhe 7.5 sipas Institutit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), goditën njëri pas tjetrit Venezuelën të mërkurën, duke shkaktuar shembjen e shumë ndërtesave dhe panik te banorët e kryeqytetit, Karakas.

Deri tani nuk është publikuar asnjë bilanc zyrtar për viktimat.

Presidentja në detyrë, Delcy Rodríguez, shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe njoftoi se aeroporti ndërkombëtar që shërben kryeqytetin ka pësuar dëme të rënda, ndërsa aktiviteti i tij është pezulluar deri në një njoftim të ri.

Rodríguez u shprehu ngushëllimet familjeve të personave që humbën jetën, por shmangu publikimin e çdo shifre për numrin e të vdekurve dhe të plagosurve.

Sipas presidentes në detyrë, autoritetet pezulluan gjithashtu funksionimin e shkollave dhe të transportit hekurudhor.

Sipas të dhënave të USGS-së, tërmeti i parë, të cilin instituti e cilësoi si paraprirës, me magnitudë 7.2, u regjistrua në orën 18:04 me orën lokale, në një thellësi prej 21.9 kilometrash, rreth 200 kilometra në perëndim të Karakasit.

Tërmeti i dytë, me magnitudë 7.5 dhe thellësi fokale 10 kilometra, ndodhi vetëm 39 sekonda më vonë, rreth 45 kilometra larg epiqendrës së parë. Më pas u regjistruan rreth 20 pasgoditje të forta.

USGS paralajmëroi se ky "tërmet i dyfishtë" mund të shkaktojë dëme në shkallë të gjerë dhe "mijëra" viktima.

Në Karakas, fotoreporterët e Agjencisë Franceze të Lajmeve (AFP) panë ekipet e kërkim-shpëtimit të organizoheshin pranë ndërtesave të shembura. Ekipet e shpëtimit nxirrnin njerëz nga rrënojat me barela, ndërsa të tjerë transportoheshin me ambulanca drejt spitaleve.

Korrespondentja e AFP-së pa një pallat 22-katësh të shembur plotësisht në lagjen Altamira. Jashtë ndërtesës, njerëzit thërrisnin emrat e të afërmve të tyre, ndërsa vullnetarët ngjiteshin mbi rrënoja në kërkim të të mbijetuarve.

"Na duhen elektrikë dore", bërtiste njëri prej tyre ndërsa binte nata.

Ministri i Brendshëm, Diosdado Cabello, konfirmoi se disa ndërtesa janë shembur në kryeqytet dhe shtoi se kishte urdhëruar ndërprerjen e furnizimit me gaz natyror.

"Disa ndërtesa kanë pësuar dëme dhe duam të shmangim çdo aksident që mund të lidhet me rrjedhjet e gazit", shpjegoi ai.

Ai foli gjithashtu për të plagosur, por nuk dha asnjë bilanc zyrtar.

Situata mbetet ende e paqartë në qytetet Puerto Cabello dhe San Felipe, të cilat ndodhen më afër epiqendrës dhe kanë një popullsi prej mbi 400 mijë banorësh.

"Ishte e pabesueshme..."

Shumë banorë të frikësuar dolën me nxitim në rrugë. Ata qëndruan jashtë edhe gjatë natës, pasi kishin frikë të ktheheshin në shtëpitë e tyre për shkak të mundësisë së pasgoditjeve dhe shembjes së ndërtesave.

"Ishte e pabesueshme. Nuk e di sa zgjati. Isha në katin e fundit dhe sendet filluan të binin", tregoi 42-vjeçarja Heidi Romero, pronare e një dyqani që punon në një qendër tregtare në Altamira.

"I gjithë muri u mbush me çarje, nga tavani binin copa. Ishte e tmerrshme", tha Odalis Escalona, 54 vjeçe, punonjëse banke.

Në kryeqytet u raportuan ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa shumë rrugë ishin mbuluar me copa xhami.

69-vjeçarja Carmen Guedes ndodhej në dhomën e motrës së saj të sëmurë, e cila është e shtrirë në shtrat, kur toka nisi të dridhej.

"Intensiteti vetëm sa shtohej", tha ajo.

"Nisa të shihja dritaret duke u dridhur dhe më pas lëkundej gjithçka. Unë, motra ime dhe një fqinje u përqafuam fort me njëra-tjetrën. Nuk mundëm të dilnim jashtë", shtoi ajo.

Mbyllet aeroporti

Aeroporti Ndërkombëtar "Simón Bolívar", në Maiquetía të shtetit La Guaira, rreth 40 kilometra nga Karakasi, u mbyll "për shkak të dëmeve të rënda", deklaroi presidentja në detyrë Delcy Rodríguez në fjalimin e saj drejtuar kombit.

Pamjet e publikuara nga deputeti Wilmer Azuaje tregojnë pjesë të tavanit të shembura në terminalin e aeroportit dhe pasagjerë që largohen të tmerruar.

Lëkundjet u ndjenë fuqishëm edhe në Kolumbinë fqinje, megjithëse Bogota ndodhet rreth 1.000 kilometra larg Karakasit në vijë ajrore.

Sipas Njësisë Kombëtare për Menaxhimin e Rrezikut dhe Fatkeqësive të Kolumbisë, "nuk ekziston rrezik për cunami në brigjet kolumbiane të Karaibeve".

Nga ana tjetër, Qendra Amerikane e Paralajmërimit për Cunami paralajmëroi fillimisht për rrezikun e valëve potencialisht shkatërruese që mund të godisnin Porto Rikon, Ishujt e Virgjër Amerikanë dhe Britanikë, si edhe ishujt Aruba, Curaçao dhe Bonaire pranë brigjeve të Venezuelës.

Megjithatë, rreth një orë më vonë, paralajmërimi u tërhoq.

/Përshtatur nga AFP / USGS/

 

viktima venezuela ndertesa termete

Lini një Përgjigje