
Dy luftëra po zhvillohen në kufijtë e Evropës, dhe për Kontinentin e Vjetër ka ardhur koha e zgjedhjeve vendimtare. Paolo Capitini, gjeneral brigade në rezervë i ushtrisë italiane, flet për nevojën që Evropa të zgjedhë atë që dëshiron të jetë në fushën e mbrojtjes, në mënyrë që në të ardhmen të llogaritet realisht si një fuqi në skenën aktuale globale, e cila është bërë gjithnjë e më konkurruese.
Ukraina dhe Gaza, dy luftëra që po vazhdojnë pa një fund në horizont. A jemi përballë skenarit të “luftërave të pafundme”?
Unë besoj se është i nevojshëm të bëhet një dallim domethënës midis dy konflikteve. Në dallim nga i dyti, i pari - ai ruso-ukrainas - s’mund të quhet një luftë e pafundme. Në fakt, kjo luftë ka një qëllim të identifikuar shumë qartë, që realisht mund të arrihet ose me përdorimin e forcës ose përmes diplomacisë.
Për Rusinë, në lojë është rivendosja e hapësirës së saj të jetesës dhe njëherazi i një sinjali të qartë botës, por edhe nga brenda vendit, se ajo nuk është më e gatshme të pranojë transferime të sovranitetit. Ndërsa për Kievin, ka të bëjë me çlirimin një herë e mirë nga nënshtrimi i fqinjit të tij të madh. Edhe pse të kundërta, këto dy qëllime bëjnë që konflikti ruso-ukrainas të bjerë në sferën e të mundshmes, ose thënë në terma klauzeviçiane, në sferën e vazhdimit të politikës me mjete të tjera.
Po Gaza?
Nuk besoj se mund të thuhet e njëjta gjë për konfliktin izraelito-palestinez. Nga njëra anë, Hamasi dhe diaspora palestineze në përgjithësi, shpallin dhe ndjekin objektivin jorealist të zhdukjes nga harta të shtetit të Izraelit, për t’u zëvendësuar me një Palestinë “... nga deti (Mesdheu) deri tek lumi (Jordan)”.
Nga ana tjetër, Izraeli duket se po ndjek një objektiv diametralisht të kundërt, atë të një Izraeli të madh, në të cilin çështja palestineze zgjidhet si me magji, duke e lejuar atë të dalë nga gjendja e përhershme e luftës me të cilën jeton që nga korriku i vitit 1949. Të dy objektivat janë absolutisht të paarritshëm, dhe kjo e bën luftën një konflikt pa një fund në horizont.
Sa është prishur rendi ndërkombëtar nga vazhdimi i njëkohshëm i këtyre konflikteve?
Besoj se për më shumë se 10 vite, planeti është mësuar të jetojë me një situatë konflikti të përhershëm dhe me një lidership të kontestuar, në të cilin Ukraina dhe Izraeli përfaqësojnë vetëm episode serioze, por gjithsesi episodike.
Aktualisht Izraeli po vazhdon me operacionin tokësor, dhe nuk përjashtohet mundësia e sulmit ndaj Rafah, teksa javët e fundit disa masakrave të reja ndaj civilëve e kanë pakësuar mbështetjen perëndimore për Tel Avivin. A ka një zgjidhje ushtarake për këtë krizë?
Në lojë janë disa elementë. I pari dhe më domethënësi është kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili jeton në situatën paradoksale të udhëheqjes së një vendi në luftë, pikërisht në momentin kur është në krye të një qeverie me një shumicë të ngushtë (vetëm 2 vota diferencë) dhe vazhdimisht nën shantazh nga ekstremistët ksenofobë dhe anti-palestinezë si Itamar Ben-Gvir, Bezalel Smotrich apo Avi Maoz, përkatësisht liderë të sionizmit fetar që nuk pranojnë asnjë zgjidhje tjetër, përveç vazhdimit të asaj që në sytë e tyre nuk është një masakër, por një luftë çlirimtare.
Kësaj i duhet shtuar fakti që Netanyahu nuk dëshiron të hyjë në histori si kreu i parë i qeverisë izraelite, që mundet në një luftë, dhe për më tepër nga një ushtrie palestineze modeste. Prandaj vazhdon lufta nga pala izraelite, dhe ka shumë të ngjarë që të shtrihet në territoret e Izraelit Verior ose Libanit Jugor.
Po palestinezët?
Pas 10 muajsh luftime, me gjithë opinionin publik botëror në anën e tyre dhe me mbështetjen e një aleati të rëndësishëm si Irani, çfarë arsye kanë ata të dorëzohen dhe të vuajnë një kontroll izraelit akoma më mbytës? Dhe në mungesë të një synimi konkret politik, lufta privohet nga qëllimi i saj themelor:krijimi i një situate, që është përgjithmonë e ndryshme nga ajo fillestare. Ndaj zgjidhja ushtarake nuk përfaqëson një zgjidhje, por vetëm një metodë konfrontimi mes dy palëve, që në realitet nuk duan të flasin me njëri-tjetrin.
Deri në çfarë mase krizat e lidhura me luftën në Gaza, do të ndikojnë tek siguria rajonale?
Shtimi i aktiviteteve ushtarake përgjatë vijës blu, është një lajm kryesor këto ditë. Hezbollahu po i përshkallëzon sulmet me raketa ndaj vendbanimeve izraelite në Galilenë e Sipërme. Ndërsa Tel Avivi po përgjigjet me sulme ajrore gjithnjë e më të rënda në bazat e Hezbollahut, si në jug të Libanit ashtu edhe në veri, në kufirin me Sirinë.
A mund të jetë ky preludi i një lufte të re izraelito-libaneze?
Ndoshta, por nuk mendoj se do të ndodhë menjëherë. Të paktën jo derisa të përfundojë operacioni në Gaza. Por edhe në atë moment lind pyetja nëse Izraeli do të ketë forcën dhe madje nevojën për të vazhduar luftën kundër një armiku shumë më të organizuar, më të armatosur, më të stërvitur dhe numerikisht më të rëndësishëm se milicia e Hamasit.
Për më tepër, ekziston edhe mundësia që një luftë e mundshme ndaj Libanit, do ta detyronte Iranin të ndërhynte drejtpërdrejt në konflikt. Një skenar i tillë, do të çelte skenarë vërtet të paparashikueshëm. Së fundi, le të mos harrojmë se në nëntor në Shtetet e Bashkuara do të votohet për presidentin e ri që mund të rikonfirmojë Biden, i cili është shumë i rezervuar ndaj politikave të Netanyahut.
Ose të rikthejë në pushtet Trump me gjithë paparashikueshmërinë e tij në politikën ndërkombëtare. Në këtë pikë për mua është më e lehtë të mendoj për një krizë të brendshme në kabinetin Netanyahu dhe një qeveri të re, por jo para se të përfundojë operacioni në Gaza. Prandaj është paradoksale të mendosh se është Hamasi, ai që e mban në këmbë Netanyahun.
Në frontin tjetër, Rusia po zhvillon prej mbi 1 vit një luftë të vazhdueshme rrënuese. Sa larg mund të shkojë me këtë strategji?
Moska nuk e ka treguar ende aftësinë për të përdorur ato aftësi manovrimi me rreze të Gjatë, që e bënë dikur Ushtrinë e Kuqe një kundërshtare vërtet të frikshëm për NATO-n. Supremacia perëndimore në mbikëqyrjen e fushëbetejës dhe inteligjenca shumë e zhvilluar dhe efikase, po i mbrojnë forcat ukrainase nga çdo surprizë e mundshme që shkon përtej nivelit lokal. Pra Moska s’mund të realizojë fshehurazi përqendrime të mëdha njerëzish, mjetesh dhe materialesh, të cilat janë të domosdoshme për arritjen e përparimeve lokale por edhe në shfrytëzimin e mëvonshëm të suksesit për të përparuar më në thellësi.
BE është shumë nën presion nga këto luftëra. A do të jetë në rendin e ditës, ideja e një Evrope të aftë të luajë rolin e një fuqie të madhe në arenën globale?
Struktura aktuale e Bashkimit Evropian, nuk lejon që ky “konsorcium kombesh” të pajiset me një ushtri të vërtetë. Në fakt, një ushtri mbron një politikë dhe një territor, dhe Evropa nuk ka as njërën dhe as tjetrën. Megjithatë, kjo s’do të thotë se unioni nuk duhet të marrë përsipër herët a vonë zgjidhjen e “çështjes ukrainase”, sidomos nëse dhe kur Shtetet e Bashkuara vendosin të reduktojnë përfshirjen e tyre.
Ky skenar i fundit, nuk është aspak i pamundur në rastin e fitores së Donald Trump në nëntor, i cili e ka shndërruar reduktimin e mbështetjes amerikane ndaj Evropës në një nga kuajt e tij të betejës elektorale. A do të jetë në gjendje Evropa të ri-paraqitet në skenën globale si një fuqi udhëheqëse?
Së pari, duhet të pyesim veten nëse ajo e dëshiron vërtet këtë gjë. Të jesh një fuqi e madhe, do të thotë para së gjithash të jesh i tillë në aspektin ushtarak. Dhe jo vetëm për sasinë dhe aftësitë operacionale të forcave të armatosura, por edhe për mundësinë më se konkrete të përdorimit të tyre në mbrojtje të interesave vetjake.
Dhe këtu rikthehemi tek supozimi fillestar. A ka vërtet interesa që mund të përkufizohen si “evropiane”? Unë mendoj se jo. Ajo që ne shohim janë interesat e veçanta gjermane, italiane, spanjolle, polake e kështu me radhë. Interesa që shpesh bien ndesh me njëra-tjetrën dhe nganjëherë as që perceptohen si të tilla. Me pak fjalë, rruga jo vetëm që është ende e gjatë, por as nuk është shenjuar./Përshtati Pamfleti nga “Il Giornale”
Lini një Përgjigje