
Opozita serbe po zgjeron fushatën e saj të protestave kundër legjitimimit të rezultatit të zgjedhjeve, të mbajtura një muaj më parë dhe të cilat i dhanë partisë në pushtet një fitore të madhe.
Të dhënat e lëshuara nga komisioni zgjedhor të mërkurën treguan se Partia Progresive Serbe (SNS) e presidentit Aleksandar Vuçiç fitoi 46.75% të votave, ndërsa një koalicion opozitar pro-evropian, Serbia kundër dhunës, mori 23.66%.
Serbia mbajti zgjedhjet e parakohshme, së bashku me zgjedhjet lokale, më 17 dhjetor, por kritikët e qeverisë thanë se votimi ishte i manipuluar, veçanërisht në Beograd, ku politikanët e opozitës argumentojnë se do të kishin fituar zgjedhjet e asamblesë së qytetit nëse do të kishte një garë të ndershme.
“Numrat e komisionit zgjedhor provuan se institucionet e kapur në vendin tonë po keqpërdoren me qëllim zbardhjen e mashtrimit zgjedhor dhe goditjen e madhe mbi vullnetin e popullit tonë”, tha Borko Stefanoviç, nënkryetar i Partisë së Lirisë dhe Drejtësia, pjesë e koalicionit Serbia kundër dhunës.
Shqetësimet për mënyrën se si u zhvilluan zgjedhjet nxitën disa politikanë të hynin në grevë urie dhe nxitën protesta të tensionuara në fund të dhjetorit, me të paktën 38 persona të arrestuar. Një mision vëzhgues ndërkombëtar arriti gjithashtu në përfundimin se zgjedhjet në Serbi u zhvilluan në kushte të padrejta.
Por politikanët e opozitës thonë se nuk po heqin dorë dhe këmbëngulin se votimi, veçanërisht në kryeqytet duhet të ribëhet.
“Meqenëse koalicioni ynë ka fituar në Beograd, regjimi i Vuçiçit tani po përpiqet ta mbulojë atë dhe të përdorë heshtjen e partnerëve tanë perëndimorë. Kjo nuk do të kalojë kështu”, tha Stefanoviç.
Grupet e opozitës dhe vëzhguesit vendas pretenduan se një numër i konsiderueshëm njerëzish që jetojnë jashtë kryeqytetit mbërritën për të votuar në qytet. SNS në pushtet fitoi 49 vende në asamblenë e qytetit me 110 vende, ndërsa Serbia kundër dhunës mori 43 vende, sipas komisionit zgjedhor të qytetit.
Por vëzhguesit në Qendrën për Kërkime, Transparencë dhe Përgjegjësi thanë se kishin identifikuar raste të transportit të organizuar të votuesve, votimeve të mbikëqyrura dhe manipulimit të mundshëm të identitetit të votuesve në 71 qendra votimi, ose 14% të qendrave të votimit në Beograd. Opozita thotë se njerëzve duhet t'u jepet një mundësi tjetër për të votuar.
“Ne dhe populli kërkojmë që zgjedhjet e 17 dhjetorit të anulohen dhe të ketë zgjedhje të reja, veçanërisht në Beograd, ku procesi i manipulimit ishte më evident dhe më i dëshmuar. Ne do të vazhdojmë me protesta paqësore. Ne prisnim që BE të mbështeste rekomandimet tona dhe të OSBE-së për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi", tha Stefanoviç.
Vladimir Obradoviç, kandidati i opozitës për kryetar bashkie të Beogradit, tha se protestat do të vazhdojnë në baza javore dhe opozita do të vazhdojë të përpiqet të ushtrojë presion përmes përpjekjeve diplomatike. Ai theksoi se Serbisë i duhet bashkësia ndërkombëtare që presioni të ketë vlerë.
“Ne nuk kemi institucionet që punojnë dhe ky mund të jetë problemi kryesor, sepse nëse i jep të gjitha provat dhe gjithçka në gjykatë dhe nuk ka asnjë reagim nga ajo anë – kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për një lloj monitorimi dhe ndërmjetësimi ndërkombëtar për të ndihmuar”, tha ai.
Nga ana tjetër Vuçiç ka hedhur poshtë akuzat për mashtrime zgjedhore dhe i ka quajtur demonstruesit “banditë” teksa ka akauzuar se perëndimi po inkurajon protestat. Zyra e Vuçiçit nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
Dobrica Veselinoviç, një anëtare e Frontit të Gjelbër-Majtas, pjesë e koalicionit Serbia kundër dhunës, tha se kritikët e qeverisë bënë mirë në rezultatet përfundimtare, duke pasur parasysh rrethanat.
“Në një fushatë shumë të pabarabartë, të ndyrë dhe të vështirë, [opozita] ende arriti të arrijë një rezultat vendimtar dhe të mirë. Duhet të kemi parasysh se nëse nuk do të kishte aq shumë vjedhje dhe inxhinieri zgjedhore selektive nga ana e qeverisë, për të cilën folën misioni ndërkombëtar i vëzhgimit dhe organizatat e shoqërisë civile – në Beograd [opozita] do të kishte fituar. Tani, me ndihmën e qytetarëve që protestojnë në Serbi në rrugë dhe partnerëve nga Evropa, ne duhet të luftojmë për anulimin e këtyre zgjedhjeve”, tha ajo./TheGuradian
Lini një Përgjigje