TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Mars 2025, 22:19

Oligarkia teknologjike e Trump e rrezikshme sepse kontrollon informacionin!

Shkruar nga Giulio Silvano

Oligarkia teknologjike e Trump e rrezikshme sepse kontrollon informacionin!

Bezos dhe Zuckerberg përkulen manjatit, duke pritur diçka në këmbim. Mes lajmeve të rreme, flluskave dhe ndikimeve të huaja, politologu britanik Colin Crouch thotë në kushtet e post-demokracisë, e majta duhet të qetësojë popullatën lidhur me sigurinë ekonomike por edhe atë fizike.

Nuk kanë kaluar as 2 muajt nga fillimi i presidencës së dytë dhe Donald Trump po çmonton disa institucione me urdhra ekzekutivë, nga arsimi publik tek ndihma humanitare jashtë vendit, teksa po përmbys doktrinën gjeopolitike të gjysmëshekullit të fundit.

Po si mund ta përcaktojmë regjimin e ri politik që Trump duket se dëshiron të ndërtojë?. “Qeveria Trump është një oligarki e zgjedhur”, thotë Colin Crouch në një intervistë për ne politologu britanik që shpiku shprehjen ‘post demokraci’.

Sipas tij regjimi i Trump “është një lloj demokracie (më saktë një post-demokraci), pasi ai i fitoi zgjedhjet. Por është njëherazi edhe një oligarki, sepse rrethi i saj i ngushtë është një grup miliarderësh që nuk respekton ligjet dhe rregulloret.

Në post-demokracinë e teorizuar nga Crouch, kemi një sistem me norma dhe institucione demokratike, por shumica e tij drejtohet nga lobet dhe mediat e mëdha.

“Sigurisht, kjo nuk është hera e parë që një oligarki miliarderësh kontrollon një pjesë të madhe të jetës politike amerikane. Mendoni pak për baronët e naftës, por edhe për shumë të tjerë. Megjithatë, roli i teknologjisë së madhe është i ndryshëm, pasi ata kontrollojnë informacionin dhe shumë nga gjërat që dinë njerëzit e ‘zakonshëm’. Ata e përdorin këtë kontroll për të ndryshuar paraqitjen e realitetit. Kjo sjellje, e kërcënon zemrën e demokracisë, sepse demokracia varet nga informacioni dhe dijet e sakta”, thotë ai.

Disa po pyesin veten se çfarë duan nga Trump Jeff Bezos dhe Mark Zuckerberg në planin afatgjatë? “Ata presin privilegje nga Trump. Por në të njëjtën kohë, kanë frikë se nëse nuk i përkulen atij, të gjitha privilegjet do t’i marrin konkurrentët e tyre. Trump premton ulje të mëdha taksash për më të pasurit", thekson politologu.

Brenda rrethit të MAGA-s ekziston një konflikt midis mega-miliarderit Elon Musk dhe ideologut të së djathtës së djathtë Steve Bannon. “Unë nuk e kuptoj plotësisht sherrin midis Bannon dhe Musk. Ndoshta ka diçka personale. Por Bannon përfaqëson një të djathtë më tradicionale, si Viktor Orbán në Hungari, konservatore fetare dhe ndoshta raciste. Ndërsa Musk është një anarkist i krahut të djathtë”, thotë Croch.

Sipas tij shumë amerikanë, nuk merakosen për ideologjitë apo cilësinë e vetë demokracisë. Por duhet kujtuar se Trump nuk përfaqëson të gjithë amerikanët. Shumë amerikanë nuk votuan për të. Qendra e majtë, demokratët, duken të paralizuar përballë njëfarë nacionalizmi, që funksionon mirë elektoralisht.

“Kemi probleme të mëdha. Identitetet klasore dhe fetare, që dikur formësonin identitetin politik janë dobësuar, ndërsa shoqëria dhe ekonomia që i kanë krijuar ato kanë ndryshuar. Boshllëku po mbushet nga nacionalizmi, veçanërisht mes njerëzve që nuk shohin asnjë mundësi për një të ardhme ekonomikisht optimiste. Një shkak tjetër i forcimit të nacionalizmit është terrorizmi islamik”, shpjegon Crouch.

Prandaj sipas tij, qendra e majtë duhet të mbështetet tek politikat që mund të qetësojnë popullatën në lidhje me sigurinë, ekonomike dhe atë fizik. “Ne duhet të rindërtojmë zonat e dikurshme industriale, me aktivitete të reja në ata sektorë që kanë të ardhme. Kryetarët e bashkive dhe shoqatat lokale, mund të luajnë një rol të rëndësishëm, duke bërë fushatë dhe propozuar ndryshime në këtë drejtim”, deklaron ai.

Për një periudhë të shkurtër, interneti u duk si një mundësi shumë e madhe në dobi të demokracisë. Por midis lajmeve të rreme dhe ndikimeve të huaja, dikush pyet nëse mund të jetë ende i dobishëm si një mjet demokratik.

“Interneti është një mjet paradoksal. Sigurisht, krijon mundësi për grupe të vogla që nuk kanë burime dhe i ndihmon ata të organizojnë dhe bëjnë fushatë. Por gradualisht po bie në duart e super të pasurve. Gjithsesi, është e rëndësishme që të vazhdohen fushatat dhe organizimi duke përdorur internetin.

Demokracia liberale, është më e fortë në shumë vende evropiane sesa në Shtetet e Bashkuara. Një pyetje e rëndësishme është: Si sillen partitë kur janë në qeveri? Nëse fillojnë të ndryshojnë rregullat kushtetuese, luftojnë praktikat demokratike dhe të thonë rregullisht gënjeshtra, atëherë ka probleme të mëdha për demokracinë dhe nevojiten mobilizime të mëdha sociale”, mendon profesori britanik.

Gjithçka po ndodh shumë shpejt, edhe në një afat të shkurtër nuk është e lehtë të parashikohet se çfarë do të ndodhë, dhe nëse një qeveri e ardhshme demokratike në Amerikë mund të riparojë dëmet e shkaktuara nga MAGA.

“Trump sapo ka nisur të shkaktojë kaos dhe ta përhapë kudo atë. Kush e di nëse dhe kur do të përfundojë, dhe çfarë lloj SHBA-je do të mbetet, kur ai jetë larguar nga Shtëpia e Bardhë? Sigurisht, në të ardhmen të gjitha qeveritë amerikane do të presin që ne evropianët të paguajmë për mbrojtjen tonë. Dhe do të jetë më mirë për ne nëse e bëjmë këtë”, përfundon politologu britanik./ Përshtati "Pamfleti" nga “Il Foglio”.

Lini një Përgjigje