TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota14 Mars 2025, 22:05

Gjykata e Bosnjës urdhëron një muaj paraburgim për Dodik dhe dy liderët e Republikës Sërpska

Shkruar nga Pamfleti

Gjykata e Bosnjës urdhëron një muaj paraburgim për Dodik dhe

Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës ka urdhëruar vendosjen e liderëve të entitetit serb Republika Sërpska në paraburgim 30-ditor menjëherë pasi ata të jenë ndaluar për t’u marrë në pyetje nën dyshimin për cenimin e rendit kushtetues.

Gjykata konfirmoi se ka urdhëruar paraburgimin e presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, kryeministrit Radovan Vishkoviç dhe kryetarit të Asamblesë Kombëtare Nenad Stevandiç.

Dodik, Vishkoviçit dhe Stevandiç akuzohen për sulm ndaj rendit kushtetues, një vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnje e Hercegovinës, që parashikon një dënim me burg deri në pesë vjet dhe ndalim të ushtrimit të detyrës zyrtare.

Ata i kanë shpërfillur thirrjet e Prokurorisë së Bosnjës për t’u paraqitur për dëshmi. Prokuroria e Bosnjës lëshoi një urdhër të mërkurën për t’i sjellë ata detyrimisht për të dëshmuar.

Kodi i Procedurës Penale i Bosnjës parashikon mundësinë e lëshimit të urdhrit për sjellje të detyruar për të dhënë deklaratë, në rast se një person i thirrur në institucionet gjyqësore nuk pranon të paraqitet vetë.

Nëse kjo nuk është e mundur, hapi tjetër është lëshimi i një fletarrestimi kombëtar.

Urdhri për ndalimin e Dodikut, Vishkoviçit dhe Stevandiçit iu dha policisë gjyqësore në nivel shtetëror të mërkurën, me ndihmën e kërkuar edhe nga Agjencia Shtetërore e Hetimit dhe Mbrojtjes (SIPA).

Prokuroria Shtetërore më herët kishte bërë të ditur se hetimet për këtë rast kishin nisur në dhjetor të vitit 2024, për shkak të dyshimeve të bazuara për kryerjen e kësaj vepre penale./REL

Lini një Përgjigje