TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Shkurt 2024, 16:48

Nuk ndalet Moska, shpall “non grata” Radion Evropa e Lirë

Shkruar nga Pamfleti

Nuk ndalet Moska, shpall “non grata” Radion Evropa e Lirë

Rusia e ka shpallur të martën Radion Evropa e Lirë si “organizatë të padëshirueshme”, sipas një regjistri të Ministrisë së Drejtësisë.

Në përditësimin e fundit është bërë e ditur se Radio Evropa e Lirë është shpallur e padëshirueshme prej 2 shkurtit, ndërsa vendimi është bërë publik më 20 shkurt.

Sipas regjistrit, REL-i është entiteti i 142-të që është përfshirë në listë.

Ligji për “organizata të padëshirueshme” është miratuar më 2015, dhe është përkrahur prej Kremlinit, për të rregulluar organizatat joqeveritare që pranojnë fonde prej jashtë.

Ky ligj prek organizatat, aktivitetet e të cilave, sipas autoriteteve ruse, përbëjnë kërcënim për themelet e strukturës kushtetuese të shtetit, për sigurinë, dhe mbrojtjen.

Përfshirja në listë nënkupton që një organizatë nuk mund të operojë në Rusi, dhe qytetarëve të Rusisë u ndalohet bashkëpunimin me të, sepse në të kundërtën rrezikohen nga ndjekja penale.

Sipas Komitetit për Mbrojtje të Gazetarëve, autoritetet ruse kanë shpallur dhjetëra organizata mediale si “të padëshirueshme” prej vitit 2021.

Aty përfshihen shumë media të pavarura, disa prej të cilave tani ose janë mbyllur, ose veprojnë jashtë Rusisë, përfshirë: Dozhd TV, Meduza, Novaya Gazeta Europe, iStories, The Insider, Bellingcat dhe Proekt.

Lini një Përgjigje