
Roja Bregdetare e SHBA-së, ka konfirmuar se mbetjet e gjetura në fund të Oqeanit Atlantik i përkasin nëndetëses “Titan” e cila është shpallur e zhdukur që prej të dielës.
Në një konferencë urgjente për shtyp, Admirali John Mauger i Rojës Bregdetare të SHBA, i cili drejton kërkimin për Titan, tha se 5 anëtarët e ekuipazhit tashmë zyrtarisht janë të vdekur, teksa ju shprehu ngushëllimet familjarëve të tyre.
Admirali Mauger tha se robotët nënujor që gjetën mbetjet e nëndetëses do të qëndrojnë në vendngjarje për të mbledhur informacion. Ai shtoi se ende po punohet për të përcaktuar kohën e saktë dhe shkakun që solli katastrofën.
Sa i takon fazës së mëparshme të kërkimit, ku u dëgjuan disa zhurma dhe goditje, zona e kërkimit nënujor, Admirali sqaroi se mund të kenë qenë të lidhura me mbeturinat që u gjetën në fundin e detit.
Roja Bregdetare e SHBA-së tha se nëndetësja është përfshirë nga një shpërthim, pasi bovat e hidrolokatorëve kanë zbuluar "ngjarjen katastrofike" në 72 orët që kanë qenë në ujë.
Ekspertët thonë se mbeturinat e nëndetëses Titan u gjetën më shumë se 200 metra nga harku i mbytjes së Titanikut. Gjithsejë mësohet se janë gjetur 5 pjesë të nëndetëses, ndërsa trupat e ekuipazhit nuk dihet se ku janë dhe Admirali shtoi se ata mund të mos gjenden kurrë.
Ndërkohë që më herët kompania e nëndetëses së humbur, “Oceangate” ka lëshuar një deklaratë për mediat ku lajmëron se pasagjerët e zhytësit “Titan” janë shpallur zyrtarisht të vdekur.
Në deklaratën e saj kompania shpreh ngushëllimet për familjarët e 5 anëtarëve të cilët ndodheshin në bord. Ajo kërkoi nga mediat që të respektojnë privatësinë e familjeve dhe falënderoi grupet e shpëtimit për punën e palodhshme.
“Tani besojmë se CEO ynë Stockton Rush, Shahzada Dawood dhe djali i tij Suleman Dawood, Hamish Harding dhe Paul-Henri Nargeolet, fatkeqësisht kanë humbur.
Këta njerëz ishin eksplorues të vërtetë që ndanin një frymë të veçantë aventure dhe një pasion të thellë për të eksploruar dhe mbrojtur oqeanet e botës. Zemrat tona janë me këta pesë shpirtra dhe çdo pjesëtar të familjeve të tyre gjatë kësaj kohe tragjike. Ne pikëllojmë humbjen e jetës dhe gëzimin që ata sollën për të gjithë ata që njihnin.
Kjo është një kohë jashtëzakonisht e trishtuar për punonjësit tanë të përkushtuar, të cilët janë të rraskapitur dhe të pikëlluar thellë për këtë humbje. E gjithë familja OceanGate është thellësisht mirënjohëse për burrat dhe gratë e panumërta nga organizata të shumta të komunitetit ndërkombëtar që përshpejtuan burime të gjera dhe kanë punuar kaq shumë në këtë mision.
Ne e vlerësojmë angazhimin e tyre për të gjetur këta pesë eksplorues dhe ditët dhe netët e tyre të punës së palodhur në mbështetje të ekuipazhit tonë dhe familjeve të tyre.
Kjo është një kohë shumë e trishtuar për të gjithë komunitetin e eksploruesve dhe për secilin nga anëtarët e familjes së atyre që humbën në det. Me respekt kërkojmë që të respektohet privatësia e këtyre familjeve në këtë kohë më të dhimbshme”, thuhej në deklaratë.
Kush ishin 5 anëtarët e ekuipazhit në nëndetësen "Titan":
Stockton Rush

Stockton Rush ishte shefi ekzekutiv dhe themeluesi i OceanGate Inc, kompanisë së nëndetëses që u mbyt. Pasi u trajnua si pilot, ai u shpall si piloti më i ri i vlerësuar i transportit reaktiv në botë në moshën 19-vjeçare.
Shahzada Dawood

Biznesmeni me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Shahzada Dawood, 48 vjeç, ishte në bordin e Titan me djalin e tij, Suleman.
Familja Dawood i përket një prej familjeve më të shquara të Pakistanit, firma me emër të së cilës investon në të gjithë vendin në bujqësi, industri dhe sektorin e shëndetësisë.
Hamish Harding

Miliarderi britanik, 58 vjeç, ishte kryetari i Action Aviation - një kompani shitjesh dhe operacionesh që ofron një sërë shërbimesh në industrinë e aviacionit të biznesit. Harding e përshkruante veten në mediat sociale si një eksplorues i botës.
Ai mban rekordin botëror Guinness për rrotullimin më të shpejtë rreth Tokës përmes Poleve të Veriut dhe Jugut me një avion - 46 orë, 40 minuta dhe 22 sekonda.
Paul-Henri Nargeolet

Paul-Henri Nargeolet, 73 vjeç, ishte një ish-komandant që shërbeu në Marinën Franceze për 25 vjet. Gjatë shërbimit të tij, ai u bë kapiten i grupit të zhytjes së thellë të marinës. Ai udhëhoqi disa ekspedita në vendin e Titanikut dhe ka qenë i përfshirë në ekspedita të shumta shkencore dhe teknike në mbarë botën./Pamfleti
Lini një Përgjigje