Pas krizës për Groenlandën, udhëheqësit evropianë duhet të marrin seriozisht në konsideratë se çfarë do të ndodhte nëse Uashingtoni largohet nga aleanca ushtarake…
Që nga themelimi i saj gati 8 dekada më parë, NATO, aleanca më e fuqishme ushtarake në botë është mbështetur mbi një akt besimi: supozimin se çdo anëtar, e mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara, do të mbronte një aleat në rast sulmi.
Ky besim u trondit rëndë nga vënia në dyshim e vazhdueshme e dobisë së NATO-s nga Donald Trump dhe nga mohimi i tij i detyrimeve të mbrojtjes së ndërsjellë. Këtë muaj, ai u godit edhe më fort nga kërcënimet e Trump për të “sekuestruar” Grenlandën nga Danimarka, një nga partnerët më të afërt të NATO-s.
Ky është një ndryshim sizmik që i detyron aleatët e Evropës, të privuar nga siguria amerikane, të riimagjinojnë me ngurrim mënyrën se si e organizojnë mbrojtjen e tyre. “Kjo krizë është më e rëndë se çdo gjë që kemi parë në 77 vjet histori të NATO-s dhe, në shumë aspekte, më e rëndë se gjithçka që nga 7 dhjetori 1941, kur SHBA-ja formalizoi idenë se siguria e Evropës ishte thelbësore për sigurinë e saj”, thotë Ivo Daalder, ish-ambasador i SHBA-së në NATO. “Ajo ide, e cila u bë traktat në vitin 1949, ka marrë fund. Është zhdukur”, shton ai.
Edhe pse udhëheqësit evropianë ndihen të lehtësuar që Trump u tërhoq nga kërcënimet kundër Danimarkës dhe partnerëve të saj, ata e kanë të pamundur të harrojnë se sa afër ishte një goditje fatale për një organizatë që i ka mbajtur të sigurt për breza dhe ka mbështetur një rend global të bazuar në rregulla.
Dëmi i shkaktuar nga retorika e fundit shihet si një “rrymë nëntokësore” që po ndryshon rrënjësisht marrëdhëniet transatlantike. Rachel Ellehuus, drejtuese në Institutin Mbretëror të Shërbimit të Bashkuar, vëren se paqëndrueshmëria e Trump dhe dobësia e rezistencës së brendshme në SHBA e bëjnë angazhimin amerikan të pasigurt.
Kjo pasiguri ka thyer një tabu të vjetër: zyrtarët evropianë po diskutojnë hapur për një arkitekturë sigurie që nuk mbështetet më ekskluzivisht tek Uashingtoni. Komisioneri i mbrojtjes në BE, Andrius Kubilius, ka bërë thirrje për një strategji të qartë që të zëvendësojë “gatishmërinë materiale” që ofron Amerika.
Ai argumenton se diskutimet për një “shtyllë evropiane” brenda NATO-s duhet të fillojnë menjëherë dhe me intensitet. Por kjo kërkesë vjen në një kohë kur Evropa po përballet me pasojat e dekadave të tëra nëninvestimi. Vitin e kaluar, anëtarët premtuan të shpenzojnë 5 për qind të PBB-së deri në vitin 2035, por Pentagoni po shtyn që ky tranzicion të ndodhë shumë më shpejt ndoshta deri në vitin 2027.
Nëse SHBA-të do të tërhiqeshin, boshllëqet në mbrojtjen evropiane do të ishin katastrofike. Evropa varet nga Amerika për inteligjencën, mbikëqyrjen, mbrojtjen ajrore dhe transportin e rëndë ushtarak. Zëvendësimi i këtyre kapaciteteve do të kushtonte rreth 1 trilion dollarë dhe do të kërkonte të paktën një dekadë për t’u realizuar.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e tha hapur: “Nëse doni të veproni vetë, harroni 5 përqindshin. Do të duhej 10 përqind e PBB-së dhe ndërtimi i një kapaciteti bërthamor evropian”.
Çështja e Ukrainës mbetet një plagë e hapur. Pa mbështetjen amerikane, Kievi do të përballej me një rrezik ekzistencial. Macron pretendon se Franca tashmë siguron dy të tretat e inteligjencës për Ukrainën dhe se prodhimi vendas i armëve është rritur.
Por mungesa e sistemeve si Patriot do të ishte e pazëvendësueshme në afat të shkurtër.
Sfida nuk është vetëm materiale, por edhe institucionale. Struktura e NATO-s është ndërtuar rreth komandës amerikane (SACEUR).
Heqja e saj do të kërkonte një riorganizim total të mënyrës se si ushtritë evropiane bashkëpunojnë. Disa analistë, si Carlo Masala, sugjerojnë se synimi nuk duhet të jetë arritja e nivelit të SHBA-së, por thjesht të qenit “më të mirë se rusët” një objektiv i arritshëm brenda pak vitesh, sigurisht nëse ekziston vullneti politik.
Megjithatë, uniteti mbetet sfida më e madhe. Vendet e krahut lindor ndihen të kërcënuara drejtpërdrejt, ndërsa ato të jugut janë më pak të gatshme për shpenzime masive ushtarake. “Nëse ikin amerikanët, Evropa shpërbëhet, ashtu si edhe NATO” paralajmëron ish-ambasadori italian Stefano Stefanini. Vende si Britania dhe Italia, që kanë lidhje të ngushta historike e ideologjike me Uashingtonin, tregohen më të ngurta për të pranuar një reformë që do t’i largonte nga orbita amerikane.
Në vend të një ushtrie të unifikuar evropiane, Parisi po promovon “koalicionet e të vullnetshmëve”, duke përfshirë fuqi si Mbretëria e Bashkuar dhe Turqia. Por kalimi i mbrojtjes kolektive në grupe të tilla informale shihet si një rrezik i madh për stabilitetin e kontinentit.
Koha po mbaron dhe presioni i dyfishtë nga një Rusi agresive në lindje dhe një Amerikë e paparashikueshme në perëndim po e detyron Evropën të përballet me një realitet që e ka shmangur për 80 vjet./Përshtati "Pamfleti", nga “Financial Times”
NATO jo vetëm nuk duhet të përçahet, por sot duhet të jetë më e bashkuar se kurrë e të përballet qoftë edhe ushtarakisht me çdo kundërshtar që cënon sadopak interesat dhe territoret e BE - s, përfshirë këtu edhe Groenlandën. Madje, Evropa duhet të ketë së shpejti një president të përbashkët ashtu siç është Trampi sot për SHBA - n, ashtu të jetë edhe një president për SH B E - n.