
Është shtuar krimi i dhunshëm (shumë prej tyre supozohet se janë kryer nga emigrantët); dhe Gjermania instinktivisht pacifiste, priret që ta ndalë mbrojtjen e Ukrainës nga frika e një pushtimi ruse me pasoja shkatërruese.
Fitorja e të dielës e Alternativës për Gjermaninë në landin e Turingisë, e para e një partie të ekstremit të djathtë në zgjedhjet rajonale gjermane pas Luftës së Dytë Botërore, është tregues i një vendi me një vetëbesim shumë të ulët. Për t’i mbajtur larg pushtetit partitë ekstremiste dhe për të mbetur një partnere e besueshme për aleatët ndërkombëtarë, vendit i duhet dëshpërimisht të reformojë modelin e tij ekonomik dhe politik.
Në të kundërt, një Gjermani në ankth mund të bëhet problem serioz për Evropën dhe botën. Edhe pse grupet populiste në të majtë dhe të djathtë, fituan më shumë se 60 për qind të votave në Turingi dhe thuajse gjysmën në Saksoni, partitë e tjera e kanë përjashtuar mundësinë e bashkimit me qeveritë rajonale me AfD.
Kjo do të thotë se ato mund të mos jenë në gjendje të zbatojnë politikat e tyre. Dhe nëse sondazhet aktuale janë të sakta, AfD nuk do të dalë aq mirë në zgjedhjet federale të vitit të ardhshëm. Kristian Demokratët konservatorë pritet të fitojnë rreth 30 për qind të votave dhe kësisoj të drejtën për të udhëhequr qeverinë e ardhshme federale.
Zgjedhjet e parakohshme janë gati të pamundura, pasi të tre anëtarët e koalicionit kanë përjetuar largimin e mbështetësve. Kjo është qetësuese, por vetëm deri në një pikë:Një barrierë politike kundër AfD-së do të përforconte ndjenjën e shpërfilljes së votuesve të saj.
Ndërkohë, konservatorët e opozitës udhëhiqen tani nga Friedrich Merz, pikëpamjet e të cilit mbi emigracionin janë më të ashpra se ato të Angela Merkel (Ai të paktën e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me AfD, dhe ka qenë një mbështetës i fortë i Ukrainën).
Tani për tani, gjermanët shohin telashe kudo, gjë që i bën ata të joshen më lehtë nga AfD dhe Buendnis Sahra Wagenknecht, një grupim i ri i majtë që kundërshton migrimin dhe dëshiron t’i japë fund sanksioneve kundër Rusisë. Ekonomia gjendet në stanjacion prej 2 vitesh, dhe inflacioni sapo ka filluar të bjerë.
Por është shtuar krimi i dhunshëm (shumë prej tyre supozohet se janë kryer nga emigrantët); dhe Gjermania instinktivisht pacifiste, priret që ta ndalë mbrojtjen e Ukrainës nga frika e një pushtimi ruse me pasoja shkatërruese. Në vend se të ofrojë siguri, qeveria e koalicionit e ka përforcuar përshtypjen se vendi ka dalë nga binarët.
Pajtimi i pikëpamjeve liberale të Demokratëve të Lirë ndaj huamarrjes me angazhimet e socialdemokratëve për mirëqenien dhe zellin e Gjelbërve për de-karbonizimin, është shpesh një detyrë shumë e vështirë. Zhgënjimi është veçanërisht i lartë në ish-lindjen komuniste, ku nuk ka një besnikëri ndaj partive të establishmentit, ku pasuria mesatare është më e ulët dhe ku popullsia po plaket me shpejtësi, pasi shumë të rinj kanë emigruar në pjesën perëndimore më të begatë.
Ka kaluar gati një dekadë qëkur lejoi hyrjen e refugjatëve nga Siria dhe Afganistani, por tani një pjesë e mirë e popullsisë mendon se ky akt humanitar ka shkuar shumë larg. Vrasja e 3 gjermanëve muajin e kaluar nga një azilkërkues sirian, e ka ndryshuar humorin. Tani edhe të moderuarit janë tani në favor të kufizimit të migracionit.
Ndërkohë, kancelari Olaf Scholz ka ofruar me të drejtë një mbështetje të palëkundur për Ukrainën, por shqetësimet për koston e financimit të mbrojtjes së saj dhe mbështetjes së refugjatëve ukrainas, kanë filluar të ndihen fort midis votuesve. Këtë vit, ajo do të përmbushë për herë të parë ndër dekada objektivin e NATO-s për të shpenzuar të paktën 2 për qind të PPB-së për mbrojtjen.
Disa nga frikërat e gjermanëve janë të motivuara dhe burojnë nga varësitë e pashëndetshme, që nuk u trajtuan si duhet gjatë qeverisjes së gjatë të Angela Merkel. Gazi i lirë rus dhe kërkesa në dukje e pangopur e Kinës për makina gjermane dhe mallra kapitale, i dhanë vendit një ndjenjë të rreme sigurie.
Niveli i ulët i borxhit kombëtar, ishte pjesërisht produkt i dështimit në riparimin e infrastrukturës së degraduar të vendit. Nga ana tjetër, kompanitë gjermane ngulmuan për shumë kohë tek motorët tradicionalë, në vend se të përqafonin pa humbur kohë industritë e së ardhmes.
Ndërkohë, tkurrja e popullsisë në moshë pune do të frenojë potencialin e rritjes ekonomike të vendit. Shqetësimet e tjera janë të tepruara ose të vetë-imponuara. Duke pasur parasysh të gjitha gjërat, Gjermania ka bërë një punë të denjë për të përballuar humbjen e gazit rus. Ndërsa disa biznese që harxhojnë shumë energji u mbyllën, dritat kanë qëndruar kryesisht të ndezura.
Një plan ekonomik prej 49 pikash, i shpalosur nga koalicioni qeveritar në korrik, përmban disa ide të mira për të nxitur investimet, reduktuar burokracinë dhe rritur punësimin, duke përfshirë stimujt financiarë për punën jashtë orarit dhe daljen më vonë në pension.
Megjithatë, frenimi me ligj i nivelit të borxhit në Gjermani, mbetet një pengesë për financimin e duhur të nevojave të vendit, dhe e bën të pashmangshme luftën brenda koalicionit për burimet e kufizuara financiare. Mjerisht, duket i paarritshëm një konsensus parlamentar mbi këtë çështje, sepse ndryshimi i kushtetutës kërkon një shumicë parlamentare prej 2/3 të votave, dhe konservatorët e opozitës nuk kanë asnjë motiv për të ndihmuar.
Aleatët evropianë të Gjermanisë, kanë përfituar shumë nga gatishmëria e saj për të pranuar refugjatë, por edhe nga mbështetja e saj financiare për Ukrainën. Ajo është ofruesi i dytë më i madh i ndihmës pas SHBA-së. Ndërkohë, Gjermania është një destinacion kryesor për eksportet në shumicën e vendeve anëtare të BE-së.
Por nëse ekonomia nuk rritet, atëherë do të shtohen edhe zënkat dhe mëritë mbi mënyrën e shpërndarjes së fondeve, duke ndihmuar kështu jo pak ekstremistët e majtës dhe të djathtës. Një Gjermani më e fortë dhe më e sigurt, është në interesin e të gjithëve. Natyrisht me përjashtim të Vladimir Putinit./Përshtati "Pamfleti", nga “Bloomberg”
Lini një Përgjigje