TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Shtator 2024, 10:11

Trajektoret e ardhshme të Lindjes së Mesme: Nga lufta botërore, tek paqja përmes aleancave ë reja

Shkruar nga Pamfleti
Trajektoret e ardhshme të Lindjes së Mesme: Nga lufta botërore,
Foto Ilustrim

Dhuna e vazhdueshme do t’i dobësojë perspektivat e paqes dhe diplomacisë, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen efektive nga aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë.

Zhvillimet në Lindjen e Mesme pas sulmit të 7 tetorit 2023 nga Hamasi në Izrael, kanë çuar në shfaqjen e një vale të re pasigurie në rajon. Një situatë e ngjashme ishte përjetuar në fillim të asaj që u bë e njohur si Pranvera Arabe, e cila e ndryshoi ndjeshëm mjedisin strategjik të Lindjes së Mesme.

Aktorët rajonalë u përpoqën të distancoheshin nga konfliktet e shkaktuara nga Pranvera Arabe përmes proceseve të normalizimit të raporteve, që nisën në vitin 2020 dhe që synonin krijimin e një mjedisi të ri sigurie të bazuar tek bashkëpunimi. Tani, ata e gjejnë veten në një mjedis të ri konfliktual.

Përshkallëzimi i shpejtë i tensioneve, sidomos për shkak të qëndrimit agresiv të Izraelit dhe ndikimit të tij të përhapur në mbarë rajonin, e ka sjellë Lindjen e Mesme në pragun e një periudhe të re destabiliteti. Kjo situatë, kërkon një rivlerësim të mjedisit të sigurisë në Lindjen e Mesme nga shumë këndvështrime. Duke pasur parasysh dinamikën e re të krijuar nga konflikti aktual, rajoni mund të përballet potencialisht me 3 skenarë gjatë viteve të ardhshme.

Përkeqësim i krizës së sigurisë

Në këtë skenar, rajoni mbetet peng i një cikli dhune dhe destabiliteti. Operacionet e vazhdueshme ushtarake të Izraelit në Gaza, do të çojnë në armiqësi të vazhdueshme, veçanërisht me Hezbollahun në Liban. Ky konflikt me intensitet të ulët, do karakterizohet nga sulme të herëpashershme me raketa, atentate dhe përleshje ndërkufitare.

Ndërsa konfliktet vazhdojnë, do të rritet rreziku i përballjes së drejtpërdrejtë ushtarake midis Izraelit dhe Iranit, teksa Izraeli do të synojë gjithnjë e më shumë asetet iraniane në Siri dhe gjetkë. Kundërpërgjigja e Iranit, mund të përfshijë mobilizimin e përfaqësuesve të tij në të gjithë rajonin, përfshirë Hezbollahun, Huthit në Jemen dhe milicitë e ndryshme shiite në Irak, duke çuar potencialisht në një konflikt më të gjerë rajonal.

Tashmë e dobësuar nga lufta e saj civile, Siria është shndërruar në një fushëbetejë për konfliktet ushtarake izraelito-iraniane. Sulmet ajrore izraelite mbi pozicionet iraniane në Siri, mund të çojnë në hakmarrje ushtarake të Damaskut, duke e destabilizuar më tej vendin dhe duke e tërhequr atë më thellë në konflikt.

Në Jemen, lëvizja Huthi vazhdon sulmet e saj ndaj anijeve tregtare që kalojnë në Gjirin e Adenit. Kjo i përshkallëzon tensionet në Detin e Kuq dhe kërcënon rrugët globale të furnizimit me naftë, duke rritur rreziqet për aktorët ndërkombëtarë. Një mjedis sigurie i bazuar tek këto trazira akoma më të mëdha, mund të sjellë një paqëndrueshmëri të thelluar rajonale dhe të çojë në trazira të zgjatura me konflikte të shumta që ndodhin njëkohësisht.

Dhuna e vazhdueshme do t’i dobësojë perspektivat e paqes dhe diplomacisë, duke e bërë të vështirë ndërhyrjen efektive nga aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë. Ndërkohë, vazhdimi i armiqësive i thellon krizat humanitare, veçanërisht në Gaza, Liban dhe Siri, ku viktimat civile dhe zhvendosja shndërrohen në shqetësime të rëndësishme.

Siguria e furnizimeve globale me energji dhe e rrugëve detare është bërë një çështje jetike, duke nxitur fuqitë ndërkombëtare si Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe vendet evropiane të mbrojnë interesat e tyre, gjë që e ndërlikon më tej dinamikën rajonale.

Në këtë skenar, vendet perëndimore, sidomos SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian, ka të ngjarë të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje të fortë për Izraelin. Amerika mund të rrisë mbështetjen e saj ushtarake dhe diplomatike për të garantuar sigurinë e Izraelit, edhe duke dërguar më shumë mjete ushtarake në rajon për të forcuar mekanizmin parandalues.

Stabilitet pas konfliktit

Në rastin e ndërprerjes së armiqësive, mjedisi i sigurisë në Lindjen e Mesme mund t’i largohet përplasjeve. Në këtë skenar disi më optimist, lufta në Gaza përfundon, ndoshta përmes një armëpushimi të ndërmjetësuar nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë apo si rezultat i lodhjes së palëve në fushën e betejës.

Por ndërsa ndërpriten armiqësitë në shkallë të gjerë, Izraeli ka të ngjarë të vazhdojë të kryejë operacione të synuara kundër Hezbollahut dhe përfaqësuesve iranianë. Prandaj, Izraeli ka

një strategji të sulmeve shumë të sakta, duke u fokusuar në eliminimin e udhëheqësve kryesorë të Hezbollahut, komandantëve të Gardës Revolucionare iraniane dhe dërgesave të armëve të avancuara.

Kjo qasje minimizon konfliktet në shkallë të gjerë, por i mban tensionet të larta. Aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë si OKB, BE dhe Rusia, i shtojnë përpjekjet për të ruajtur armëpushimin në Gaza dhe për të parandaluar rishfaqjen e dhunës. Megjithatë, tensionet themelore mund të mbeten të pazgjidhura, dhe rajoni mund të kthehet në një gjendje konfrontimi.

Në këtë pikë, opsioni më i mundshëm do të ishte krijimi i një strukture të “garancisë së sigurisë” që ndjek një zgjidhje me dy shtete dhe siguron ekzistencën e një shteti palestinez. Ky skenar do të sillte një armëpushim të brishtë e të përkohshëm, ku dhuna kontrollohet, por nuk zhduket plotësisht.

Potenciali për konflikte të reja do të mbetet i lartë, sidomos në Liban, Siri dhe Irak, ku vazhdojnë të veprojnë milicitë që veprojnë për llogari të palëve të treta. Gjithsesi, fundi i konflikteve në shkallë të gjerë mund të hapë një dritare mundësish për të bërë disa përpjekje diplomatike, megjithëse këto ka të ngjarë të përqendrohen në menaxhimin e status quo-së dhe jo në zgjidhjen e çështjeve më të thella që nxisin konfliktin.

Nga këndvështrimi i dinamikës së fuqisë rajonale, në këtë skenar vazhdon rivaliteti Iran-Izrael. Një aspekt tjetër është se vendet perëndimore, veçanërisht BE-ja, po marrin një rol më aktiv në mbështetjen e proceseve të paqes. Duke e vënë theksin tek diplomacia, ata inkurajojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Izraelit dhe shteteve arabe. SHBA-ja do të garantonte sigurinë e Izraelit, ndërsa do ofronte një mbështetje të kufizuar për operacionet kundër Iranit dhe Hezbollahut.

Formimi i aleancave të reja

Në skenarin e tretë, pas përfundimit të konflikteve, shfaqet një aleancë e re rajonale, e përqendruar rreth kundërshtimit ndaj politikave të Izraelit. Ajo do të përfshinte Egjiptin, Iranin dhe Arabinë Saudite dhe do të mbështetej nga fuqitë globale si Rusia dhe Kina. Ndërsa Turqia mund të ishte një anëtare e rëndësishme e këtij koalicioni, ajo do të luante një rol më modest dhe kryesisht mbështetës në vend se të drejtonte aleancën.

Sipas këtij skenari, Turqia do të mbajë një qëndrim më të rezervuar, duke u fokusuar në lehtësimin e dialogut dhe ofrimin e mbështetjes diplomatike dhe logjistike për aleancën. Edhe Egjipti dhe Arabia Saudite do të kenë role mbështetëse në këtë aleancë, duke pasur parasysh ndikimin e tyre të rëndësishëm rajonal dhe rëndësinë strategjike.

Udhëheqja e tyre do të ndikohej nga konsideratat e brendshme dhe rajonale, përfshirë dëshirën e tyre për të kundër-balancuar fuqinë e Izraelit, si dhe për të treguar ndikimin e tyre në peizazhin më të gjerë gjeopolitik të Lindjes së Mesme. Ndërkohë Irani do të mbetet një lojtar kyç në këtë aleancë për shkak të kundërshtimit të tij të hershëm ndaj Izraelit, dhe ndikimit të madh mbi grupet e ndryshme të armatosura jo shtetërore në rajon.

Gjithsesi, roli i tij do të kufizohej nga nevoja për të ruajtur kohezionin brenda aleancës, veçanërisht me shtete si Arabia Saudite dhe Egjipti. Por nëse Irani do të ndjekë një politikë më

të moderuar dhe do të reduktojë ndjekjen e ambicieve të mëdha rajonale, mund të luajë një rol konstruktiv brenda aleancës.

Mbështetja e Rusisë dhe Kinës, i shton një peshë të madhe gjeopolitike aleancës. Të dyja vendet e shohin aleancën si një mundësi për të zgjeruar ndikimin e tyre në Lindjen e Mesme dhe për të kundërshtuar dominimin e SHBA-së. Mbështetja e tyre përfshin atë diplomatike, investimet ekonomike dhe bashkëpunimin ushtarak.

Nga këndvështrimi i dinamikës së fuqisë rajonale dhe globale, formimi i kësaj aleance, nënkupton një ndryshim të rëndësishëm në dinamikën e fuqisë rajonale dhe globale. Në kundër përgjigje, përballë një presioni të shtuar diplomatik dhe ushtarak, Izraeli mund të synojë të forcojë lidhjet e tij me SHBA-në dhe aleatët evropianë për të kundër-balancuar koalicionin.

Qëndrimi i unifikuar i aleancës mbi çështjen palestineze, do të sjellë një vëmendje të përtërirë ndërkombëtare dhe presion ndaj Izraelit për të ndryshuar politikat e tij. Aleanca, e forcuar nga mbështetja e Rusisë dhe Kinës, do të çonte në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe ushtarak midis anëtarëve të saj.

Kjo aleancë mund të krijojë një zonë të re konkurrence në Lindjen e Mesme midis Perëndimit, Rusisë dhe Kinës. Trajektorja aktuale, sugjeron se rajoni po shkon drejt konfliktit të zgjatur dhe destabilitetit. Për të shmangur këtë, ekziston një nevojë urgjente për një kornizë të re sigurie që të adresojë shqetësimet e të gjithë aktorëve rajonalë./Përshtati "Pamfleti" nga “Daily Sabah”

Shënim:Murat Yeşiltaş, profesor i politikës ndërkombëtare në Universitetin e Shkencave Sociale të Ankarasë, Turqi. 

lindja e mesme izraeli

Lini një Përgjigje