Të dielën, më 7 korrik, ajo që është në rrezik nuk është thjesht transferimi i pushtetit, por një pikë kthese me pasoja të pallogaritshme...
Ekstremi i djathtë është në pragun e ngjitjes në pushtet. E nxitur nga mosbesimi politik, refuzimi i migracionit dhe shqetësimet në rritje mbi sigurinë publike, kjo valë nuk është sigurisht unike për Francën. Por për një vend që mendonte se ishte më i mbrojtur se demokracitë e tjera për shkak të traditës së gjatë republikane, institucionet dhe sistemin e tij të votimit me dy raunde, tronditja është shumë e madhe.
E zgjedhur deputete në bastionin e saj në qytezën Hénin-Beaumont në rajonin e Pas-de-Calais, me 58 për qind të votave, Marine Le Pen duket se është fituesja e madhe e raundit të parë të zgjedhjeve parlamentare të së dielës. Duke përjashtuar votat për aleatët e saj, dhe kryesisht Eric Ciotti, partia e saj Tubimi Kombëtar fitoi 29.3 për qind të votave të hedhura në kutinë e votimit, ose 9.4 milionë.
Pra 1.3 milionë më shumë se sa në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2022. Një rekord historik, i cili kurrsesi nuk mund të shpjegohet me një rastësi të supozuar të votuesve më pak të politizuar:votuesit nuk shkuan të ndrojtur në qendrat e votimit, përkundrazi këtë herë dolën në turma.
Pjesëmarrja e lartë, 20 për qind e lartë se 2 vjet më parë, tregon se të gjitha kampet u mobilizuan, në vazhdën e vendimit për shpërndarjen e parlamentit, që do të hyjë në histori si një nga aktet më të papërgjegjshme të kryera ndonjëherë nga një president francez në ushtrimin e detyrës të tij.
Në vitin 2017, Macron synoi ta neutralizonte të djathtën ekstreme duke krijuar dhe drejtuar një kamp “progresist” të lindur nga rrënojat e dy partive kryesore historike të Francës, socialistëve dhe konservatorëve Les Republicans (Republikanët). Shtatë vjet më vonë, ai duket se e ka përshpejtuar marshimin e Tubimit Kombëtar drejt pushtetit.
Operacioni i “sqarimit” që ai nisi pas zgjedhjeve evropiane, të cilat ishin katastrofike për partitë në pushtet, solli të dielën në mbrëmje shkatërrimin e koalicionit të tij qeverisës, që e gjen veten të zbritur nga vendi i parë në të tretin, shumë prapa Tubimit Kombëtar dhe të majtës së bashkuar.
Rezultati është një dobësim i paprecedentë i autoritetit presidencial në një moment kyç të historisë franceze:I mohuar nga francezët për shkak të mënyrës së tij të qeverisjes dhe politikave që ka ndjekur, Macron ka humbur gjithashtu edhe kontrollin mbi partinë që e krijoi por edhe mbi personalitetet në kampin e tij, të cilët pretendojnë se do ta pasojnë atë.
Ai nuk është shfaqur kurrë kaq i izoluar dhe kaq i përçmuar sa sot. Situata aktuale bëhet edhe më e rrezikshme nga fakti se kanë mbetur shumë pak ditë për të shmangur më të keqen, pra për të mos e lejuar Tubimin Kombëtar të fitojë një shumicë absolute në Asamblenë Kombëtare.
Vetëm formimi i një fronti të fuqishëm republikan, mund të pengojë marrjen e pushtetit nga një parti, e cila pavarësisht nga të gjitha maskimet e saj, mbetet shumë e rrezikshme, pasi politikat e saj bazohen në “preferencën kombëtare”, një koncept që përbën klasifikimin e njerëzve sipas vendit nga vijnë.
Deklarata me shkrim e Macron mbrëmjen e së dielës që bën thirrje për “një aleancë të gjerë, demokratike dhe republikane në për raundin e dytë”, në një kohë kur numri i balotazheve është shumë i lartë, është në përputhje me logjikën e “frontit republikan” tradicional.
Megjithatë e rënduar nga pesha e disfatës personale që pësoi presidenti, ajo nuk mori tonin solemn që e diktonin rrethanat. E vërtetë në luftën e saj të gjatë kundër të djathtës ekstreme, e majta, nga radikalët e La France Insoumise (Franca e Papërkulur) tek socialistët, nuk hezitoi që të bënte thirrje gjatë fushatës për një front republikan.

Mjerisht, ky nuk është rasti për koalicionin qeverisës që po largohet, i cili duke u ngatërruar nëpër nuanca, u duk shumë i paqartë në qëndrimin që do të mbajë. Kryeministri Gabriel Attal deklaroi se në raundin e dytë “asnjë votë nuk duhet të shkojë për Tubimin Kombëtar”.
Por deklarata e ish-kryeministrit Edouard Philippe, sipas të cilit asnjë votë nuk duhet “të shkojë për kandidatët e Tubimi Kombëtar apo ata të Francës së Papërkulur”, e ngatërruan jo pak lojën e tërheqjeve të kandidatëve që janë renditur të tretët në zonat e tyre elektorale.
I nxitur nga i njëjti mosbesim ndaj partisë së Melenchon, një aleat tjetër i Macron, François Bayrou u deklarua në favor të një qasjeje “rast pas rasti”. Çmimi i dinjitetit, i shkon degës së Republikanëve, e cila nuk iu bashkua Tubimit Kombëtar, dhe që refuzoi të jepte ndonjë udhëzim për tërheqje ose votim, duke tërhequr një vijë të barabartë midis të djathtës ekstreme dhe asaj që ajo e quajti “e majta ekstreme”.
Duke pasur parasysh peshën e situatës, kjo lloj vetëkënaqësie është e pafalshme. Ajo ndihmon në normalizmin e votës në favor të së djathtës ekstreme, në një kohë kur ka mbetur shumë pak kohë për të bërë përpjekje me synim shmangien e më të keqes, duke evokuar të gjitha vlerat më të mira të Republikës Franceze. Të dielën, më 7 korrik, ajo që është në rrezik nuk është thjesht transferimi i pushtetit, por një pikë kthese me pasoja të pallogaritshme./Përshtati Pamfleti nga “Le Monde”
Lini një Përgjigje