TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Mars 2026, 22:24

Një Amerikë që lufton në emër të Zotit

Shkruar nga Lucio Caracciolo
Një Amerikë që lufton në emër të Zotit
Foto e gjeneruar me Inteligjencë Artificiale

Qëllimi i kësaj lufte: fundi i botës...

Lajmet e fundit nga kampi i Trump: Amerika nuk humb kohë duke ndryshuar regjimin iranian, por synon vetëm të përzgjedhë një “udhëheqës të mirë” që do të firmosë dorëzimin pa kushte. Ne provincialët do të thoshim: kërkohet një Badoglio. Ndërkohë, Donaldi është i zënë duke ndryshuar regjimin amerikan. Ideali që kërkon t’i afrohet është monarkia teokratike. Presidenti-mbret dëshiron të çlirohet nga kushtetuta: “I përgjigjem moralit tim dhe shpirtit tim”. Dhe kështu ndodh. Kongresi është qetësuar, Gjykata e Lartë është anashkaluar, “shteti i thellë” është nën spastrime, ndërsa qeveria ndodhet në kaos mes oportunistëve të zgjuar (Rubio), besnikëve të entuziazmuar (Hegseth) dhe jobesnikëve të heshtur (Vance).

Trump po përmbys demokracinë liberale amerikane. Dhe meqenëse bëhet fjalë për Amerikën, një vend i ndërtuar mbi një lloj feje ndaj vetvetes, revolucioni trumpian e shpall veten në një mision qiellor. Kjo konfirmohet nga lutjet për presidentin “mrekullibërës”, të zhvilluara në Zyrën Ovale nga predikuesi i radhës. Po shohim një lloj nacionalizimi të Jezu Krishtit sipas kanoneve apokaliptike të frymëzimit ungjillor.

Më 6 mars, tridhjetë deputetë demokratë i shkruan inspektorit të përgjithshëm të Departamentit të Mbrojtjes për të denoncuar katekizmin e kryqëzatës që disa komandantë u imponojnë trupave. Sipas tyre, “sulmet amerikane dhe izraelite përshpejtojnë rikthimin e Jezu Krishtit”, sepse përputhen me “planin e Zotit”. Kjo është në përputhje me interpretimin e qeverisë që “e paraqet publikisht politikën amerikane në Lindjen e Mesme në terma shprehimisht fetarë”. Lufta kundër Iranit thuhet se është e shkruar në Bibël. Fondacioni për Lirinë Fetare të Ushtarakëve Amerikanë citon dhjetëra ankesa të ngjashme nga njësi të tëra: “Këtë mëngjes komandanti ynë hapi raportin mbi gjendjen e përgatitjes për luftë duke na rekomanduar të mos trembemi nga ajo që po ndodh në front. Ai na urdhëroi t’u themi trupave tona se ‘gjithçka është pjesë e planit hyjnor të Zotit’, me referencë të drejtpërdrejtë te Libri i Zbulesës për Armagedonin dhe rikthimin e afërt të Jezu Krishtit.”

Finalja është kjo: “Presidenti Trump është zgjedhur nga Jezusi për të ndezur në Iran shenjën e zjarrit që do të shkaktojë Armagedonin dhe do të shënojë rikthimin e tij në Tokë.

Shpallja “Zoti është me ne” nuk sjell fat. Megjithatë, ajo tregon shkallën e afërsisë midis elitave amerikane dhe atyre izraelite. Një luftë për Zotin kundër Djallit/Amalekut. Megjithatë, vetëm gjashtë muaj më parë i njëjti Trump kishte mbledhur elitën e oficerëve për të mobilizuar Forcat e Armatosura kundër “armikut të brendshëm”. Ndërkohë, mediat publikojnë fragmente nga raporti me të cilin Pentagoni kishte këshilluar kundër sulmit ndaj Iranit. Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një ndryshim epoke nën shenjën e parimit të kundërthënies: po-ja paralajmëron jo-në dhe anasjelltas. Mos-strategjia amerikane pati vitet e saj të shkëlqimit kur epërsia e jashtëzakonshme e fuqisë e lejonte të gabonte gjithçka para se të gjente lëvizjen e duhur. Ato kohë kanë përfunduar. Nuk mund të sundosh botën duke parë vetëm veten në pasqyrë pa hedhur një sy nga dritarja. Por nëse e konsideron veten të dërguar të Fuqisë së Lartë, nuk mund të veprosh ndryshe, sepse do të binte në tundime tokësore.

Cilido qoftë rezultati ushtarak i kryqëzatës kundër “teokracisë iraniane”, mbetet fakti se Shtëpia e Bardhë është në një harmoni të plotë eskatologjike me të djathtën ultrafetare hebraike. Me një ndryshim jo të vogël: shumë nga ungjillorët amerikanë janë antisemitë të deklaruar. Tani dimë cili është qëllimi i kësaj lufte: fundi i botës. Trump paraqitet si profet i Zotit, së bashku me Netanyahu-n. Ndërsa luftërat e Bibi-t po e gërryejnë filosemitizmin tradicional të Shteteve të Bashkuara dhe po e përçajnë diasporën hebraike, përputhja mes ultrafetarëve në të dy anët po formëson një aleancë që paraqitet si e bekuar nga Zoti. A është e pathyeshme? Ka arsye për të dyshuar.

Biografitë e dy udhëheqësve nuk tregojnë një prirje për martirizim (të vetin, jo të të tjerëve). Nuk do të ishte çudi nëse ata do të kthenin papritur kursin nga një luftë që premton fundin e botës drejt një pragmatizmi më tokësor. Një kompromis me realitetin mund t’i shtyjë drejt një armëpushimi të papastër, të maskuar si fitore e plotë dhe përfundimtare, siç ndodhi edhe pas fushatës së qershorit të kaluar. Nëse nuk ndodh kështu, atëherë apokaliptikët do të kenë pasur të drejtë./Përshtati “Pamfleti” nga “La Repubblica”

zoti amerika

2 Komente

  1. M
    Milionerët e SHBA, me zotin te 1$

    Këto janë përralla kot. Janë broçkulla tipike për kospiracionistë si A.Cako që propagandon tokën e sheshtë. Ata e dinë shumë mirë që feja është një mashtrim i madh që përdoret nga elita për të mbajtur në udut masat e njerëzve, simodos të varfërit. Mjafton shihni kartmonedhën $1 ku thuhet: te Zoti ne besojmë. Ç'lidhje ka Zoti me paranë? Për cilin Zot flasin ata sharlatanë? Broçkulla. Por një gjë është interesante. Kudo ku SHBA ka hapur luftë për të eksportuar lirinë (apo demokracinë), në ato vende "rastësisht" ka naftë. ___________________________ Në BIBËL thuhet te Luka 18:22 Si e dëgjoi, Jezusi i tha: ''Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq''. 23 Por ai, kur i dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë, sepse ishte shumë i pasur. 24 Atëherë Jezusi, kur pa se ai ishte trishtuar shumë, tha: ''Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë! 25 Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë''.

    1. v
      vk

      Nje Amerike kurve! Emer tjeter nuk gjej!

      Lini një Përgjigje