
Tensionet në Lindjen e Mesme pritet të rriten edhe më shumë, pasi një zyrtar i lartë iranian ka paralajmëruar se konflikti mes Iranit, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara ka hyrë në një “fazë të re” dhe nuk ka gjasa të përfundojë së shpejti.
Në një mesazh për CNN, zyrtari iranian hodhi poshtë pretendimet se lufta mund të zbutet në një afat të afërt, duke paralajmëruar se sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Iranit mund të shkaktojnë një zinxhir hakmarrjesh në të gjithë rajonin.
“Lufta ka hyrë në një fazë të re dhe sulmi ndaj depove të naftës dhe karburantit të Iranit do të përballet patjetër me hakmarrje rajonale”, tha zyrtari.
Ai shtoi se Teherani po shqyrton mundësinë për të goditur infrastrukturën energjetike në rajon, një zhvillim që mund të rrezikojë prodhimin dhe transportin e naftës dhe gazit në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, deklaroi se Irani nuk po kërkon armëpushim dhe se kundërshtarët duhet të përballen me pasoja.
“Nëse armiku na sulmon nga çdo vend, Teherani do të përgjigjet me vendosmëri”, u shpreh ai për televizionin shtetëror iranian.
Zyrtari iranian theksoi gjithashtu se Irani nuk do të heqë dorë nga kontrolli i Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin e naftës në botë.
“Irani nuk do të heqë dorë nga kontrolli i Ngushticës së Hormuzit derisa të arrijë rezultatet e dëshiruara”, tha ai, duke shtuar se është Teherani ai që do të vendosë se kur do të përfundojë konflikti.
Lini një Përgjigje