
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka drejtuar një tjetër mesazh popullit iranian, duke i bërë thirrje që të ngrihet kundër regjimit në Teheran.
Në një video-mesazh të publikuar në platformën X, Netanyahu u shpreh se ndryshimi në Iran duhet të vijë nga vetë qytetarët, të cilët sipas tij duhet të marrin në dorë fatin e vendit të tyre.
“Është populli iranian ai që duhet të marrë në dorë fatin e tij dhe të ngrihet kundër regjimit”, theksoi kryeministri izraelit në mesazhin e tij.
Videoja është shoqëruar me muzikë dramatike dhe pamje të turmave që valëvisin flamurin historik iranian me Luanin dhe Diellin, si dhe flamurin e Izraelit. Në mesazh, Netanyahu thekson se Izraeli synon të shohë një Iran të lirë nga regjimi aktual.
“Ne duam të çlirojmë Iranin nga zgjedha e tiranisë”, u shpreh ai.
Në fund të mesazhit të tij, Netanyahu tha se beson që një ditë marrëdhëniet mes dy vendeve mund të ndryshojnë rrënjësisht.
“Unë besoj se, nëse do të ngriheni në këmbë në momentin e së vërtetës, nuk do të vonojë dita kur Izraeli dhe Irani do të bëhen sërish miq të guximshëm”, deklaroi kryeministri izraelit.
Lini një Përgjigje