TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 8 Mars 2026, 22:17

Alarm në Nju Jork, policia zbulon eksploziv pranë rezidencës së kryebashkiakut Mamdaní

Shkruar nga Pamfleti
Alarm në Nju Jork, policia zbulon eksploziv pranë rezidencës
Zoran Mamdani

Një incident është regjistruar në Manhattan, pranë rezidencës zyrtare të kryebashkiakut të Nju Jorkut, Zoran Mamdani, ku gjatë një proteste u përdor një pajisje shpërthyese e improvizuar.

Ngjarja ndodhi të shtunën (7 mars), kur në zonën pranë Gracie Mansion ishte organizuar një protestë nga një grup racist i bardhë me qëndrime anti-myslimane. Në të njëjtën kohë, në vendngjarje u mblodh edhe një numër më i madh kundërprotestuesish, duke rritur tensionet mes grupeve.

Gjatë përplasjes, dy persona – që dyshohet se ishin pjesë e kundërprotestuesve – hodhën një pajisje zjarrvënëse pranë efektivëve të policisë dhe lanë një tjetër pajisje në zonë. Pajisjet përbëheshin nga kavanoza me fitil të mbushura me bulëza druri dhe vida, çka fillimisht ngriti dyshime nëse bëhej fjalë për mjete reale shpërthyese.

Pas ndërhyrjes së specialistëve të njësisë së çmontimit të bombave, u konstatua se njëra prej pajisjeve ishte e rrezikshme.

Zëdhënësja e policisë së Nju Jorkut, Jessica Tisch, deklaroi se pajisja nuk ishte një mjet i rremë.

“Specialistët e shpërthimeve konfirmuan se pajisja nuk ishte një bombë tymuese apo pajisje false, por një pajisje shpërthyese e improvizuar që mund të kishte shkaktuar lëndime të rënda apo edhe vdekje”, tha ajo.

Autoritetet kanë nisur një hetim për të identifikuar personin përgjegjës dhe për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit.

Lini një Përgjigje