Një pjesë e madhe e rajonit mund të përballet me kërcënime të reja, veçanërisht me aktivizimin e celulave dhe organizatave, të cilat mund të veprojnë në mënyrë të pavarur, duke rritur rrezikun e destabilitetit dhe dhunës, madje edhe në zona që aktualisht nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në konfliktet e vazhdueshme.
Ditët e fundit, rajoni ka qenë dëshmitar i ngjarjeve të rëndësishme, përfshirë edhe vrasjen e Yahya Sinwar, udhëheqësit de fakto të Hamasit si në nivel ushtarak ashtu edhe në atë politik. Izraeli kishte vendosur shumë shpresa në këtë operacion, që ndodhi pikërisht në kohën kur prioritetet e tij ushtarake ishin zhvendosur në frontin libanez, duke i mbajtur ndezur flakët e konfliktit.
Kjo gjë e bëri më të vështirë për komunitetin ndërkombëtar që të ushtronte presion ndaj Netanyahut për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Por pavarësisht kësaj, Izraeli po përpiqet të japë përshtypjen se është i gatshëm të bëjë lëshime në aspektin humanitar.
Ndërkohë në realitet po planifikon një përshkallëzim të luftës kundër Hamasit, për të përfituar nga pasiguria që rrethon të ardhmen e udhëheqjes së grupit pas vdekjes së Sinwar. Në këtë kontekst, Hamasi mund të detyrohet të formulojë një strategji politike për të ardhmen e afërt, duke qenë se beteja e tij politike do të jetë një nga sfidat më komplekse dhe më të vështira me të cilën është përballur ndonjëherë.
Në frontin libanez, Hezbollahu nisi së fundmi disa sulme kundër Izraelit, përfshirë një sulm simbolik me dron kundër rezidencës së kryeministrit Benjamin Netanyahu. Edhe pse ai nuk shkaktoi dëme të konsiderueshme, vlera e tij simbolike ishte e konsiderueshme, pasi përfaqësoi një sulm të drejtpërdrejtë ndaj liderit izraelit.
Netanyahu e shfrytëzoi menjëherë ngjarjen në avantazhin e tij, duke kaluar nga akuzat ndaj tij nga ana e disa prej aleatëve, në rolin e viktimës dhe duke e përdorur incidentin për të forcuar konsensusin politik rreth tij.
Kjo mund t’i hapë rrugën një serie të re sulmesh izraelite, të cilat mund të mos kufizohen vetëm tek objektivat ushtarake dhe ato të sigurisë, por të shtrihen gjithashtu edhe në sferat politike, si në Liban dhe Iran, me pasoja të mundshme edhe në Siri dhe Irak.
Ndërkohë, Izraeli ka shtuar sulmet kundër Hezbollahut në disa pjesë të Libanit, duke shënjestruar anëtarët dhe objektet e grupit, veçanërisht në periferitë jugore të kryeqytetit Bejrut. Është e qartë se Izraeli synon që të shkatërrojë infrastrukturën urbane të Hezbollahut në zonë, ndërsa do të vazhdojë me operacionet e largimit të popullsisë civile.
Synimi përfundimtar është që periferia jugore e Bejrutit të bëhet një zonë e pabanueshme, pa popullsi dhe për rrjedhojë e papërdorshme për Hezbollahun. Ndërkohë, Izraeli synon që të ndryshojë ekuilibrin e sigurisë në Liban, duke krijuar zona të thella tampon në jug të vendit, me mundësinë e përfshirjes ndërkombëtare të ndryshme nga forca aktuale Unifil, si dhe izolimin e Hezbollahut nga bazat e tij sociale.
Duke synuar që të frenojë kërcënimet që e rrethojnë Gazën dhe Bregun Perëndimor, Izraeli i ka shtuar operacionet e tij në Liban, duke e mbajtur Sirinë nën një sulm të vazhdueshëm për të ndërprerë furnizimet logjistike që mbështesin Hezbollahun dhe forcat iraniane.
Duket se këto hapa tregojnë se Izraeli po e përgatit terrenin për të goditur drejtpërdrejt Korpusin e Gardës Revolucionare Iraniane. Ndërkohë, vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim frontet e Jemenit dhe Irakut. Me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara, të cilat kohët e fundit nisën operacione të rëndësishme kundër Houthi-ve duke përdorur avionët bombardues B-2, ka të ngjarë që fronti i Irakut të aktivizohet për ta shpërqendruar Izraelin dhe për të krijuar kriza të reja të sigurisë së brendshme.
Kjo strategji, duket se përkon me operacionet e fundit në Liban, të cilat synojnë ta destabilizojnë Izraelin brenda vendit dhe të ndërpresin normalitetin e jetës së përditshme. Përshkallëzimi i operacioneve në Liban, izolimi i Sirisë, dhe një vendosje e gjerë e trupave amerikane në rajon, përfshirë dërgimin në Izrael të sistemit të mbrojtjes ajrore Thaad, janë që të gjitha pjesë e përgatitjeve për një sulm të mundshëm izraelit ndaj Iranit.
Ato tregojnë se është tashmë gati rruga drejt një sulmi në shkallë të gjerë kundër Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane. Irani e ndjen shumë qartë këtë rrezik, prandaj Ministri i tij i Jashtëm nisi pak kohë më parë një tur të gjerë diplomatik në rajon.
Megjithatë, duket se kjo nismë nuk i ka arritur objektivat e saj kryesore, përkatësisht shmangien e konfliktit të drejtpërdrejtë ushtarak dhe paralajmërimin ndaj rreziqeve të përshkallëzimit me pasoja shkatërruese për rajonin. Hyrja e rajonit në një fazë të sulmeve të drejtpërdrejta kundër Iranit, i hap derën një valë të re të dhunës dhe konfliktit.
Një pjesë e madhe e rajonit mund të përballet me kërcënime të reja, veçanërisht me aktivizimin e celulave dhe organizatave, të cilat mund të veprojnë në mënyrë të pavarur, duke rritur rrezikun e destabilitetit dhe dhunës, madje edhe në zona që aktualisht nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në konfliktet e vazhdueshme./Përshtati “Pamfleti” nga “Il Fatto Quotidiano”
Lini një Përgjigje