Gjatë fushatës presidenciale, Donald Trump paralajmëronte votuesit amerikanë të mos mbështesnin kundërshtaren e tij, Kamala Harris. Ai deklaronte se Harris do ta çonte vendin në luftë, ndërsa vetë do të ishte “presidenti i paqes”, i përqendruar vetëm në përmirësimin e jetës së amerikanëve. Këto deklarata shpesh shoqëroheshin me reagime entuziaste nga mbështetësit e tij dhe gjetën besim edhe te disa demokratë.
Megjithatë, që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, Trump ka urdhëruar një seri operacionesh ushtarake jashtë vendit, duke e bërë presidencën e tij një nga më aktive në përdorimin e forcës në arenën ndërkombëtare.
Historikisht, disa presidentë amerikanë kanë drejtuar konflikte shumë më të mëdha dhe me pasoja më të rënda, si lufta e Koresë nën Harry Trumanin, lufta e Vietnamit gjatë administratave të Lyndon Johnsonit dhe Richard Nixonit, apo lufta në Irak nën presidentët Bush. Megjithatë, pas një sulmi të koordinuar me Izraelin kundër Iranit, situata në Lindjen e Mesme është tensionuar ndjeshëm dhe ka ngritur shqetësime edhe në Europë.
Prej më shumë se një viti administrata Trump ka urdhëruar operacione ushtarake kundër organizatave terroriste dhe grupeve kriminale në rajone të ndryshme. Seria e operacioneve nisi më 1 shkurt 2025, kur Shtetet e Bashkuara bombarduan në Somali pozicionet e grupit terrorist Shteti Islamik. Dyzet ditë më vonë, më 13 mars, forcat e koalicionit të udhëhequra nga SHBA, në bashkëpunim me inteligjencën irakiane, vranë një drejtues të Shtetit Islamik përmes një sulmi ajror të përshkruar si “preciz”.
Mes marsit dhe qershorit, Shtetet e Bashkuara ndërmorën gjithashtu sulme detare dhe ajrore kundër rebelëve Houthi në Jemen. Operacioni u përmend edhe për një incident sigurie, pasi shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, publikoi koordinata ushtarake në një bisedë të pakriptuar ku, sipas raportimeve, ishte përfshirë gabimisht edhe një gazetar.
Në qershor, pas negociatave lidhur me programin bërthamor iranian, SHBA iu bashkuan Izraelit në sulmet ndaj Iranit gjatë konfliktit të quajtur “lufta 12-ditore”. Forcat amerikane goditën tre objekte bërthamore në Fordow, Natanz dhe Isfahan duke përdorur bombardues B-2 dhe raketa Tomahawk të lëshuara nga nëndetëset.
Pas operacionit, presidenti Trump deklaroi se objektet ishin “shkatërruar plotësisht” dhe se kërcënimi bërthamor ishte eliminuar./ La Repubblica
Veshi djathte qe e "goditi" plumbi duket sikur nuk ka ndonje shenje demtimi. Sa e avancuar kjo mjekesia plastike Amerikane!? Hajde show, hajde!