Ndërsa udhëheqësi i moshuar i Iranit, Ali Khamenei, është në mënyrë të pashmangshme në muajt apo edhe vitet e fundit të jetës, ka një interes shumë të madh se kush apo çfarë lloj udhëheqjeje do ta pasojë atë. A do të jenë klerikët shiitë ata që do të zgjedhin një pasardhës duke përdorur procedurat institucionale që e vendosën vetë Khamenein në detyrë (në qershor 1989)?
Apo pushtetin do ta rrëmbejë drejtpërdrejt Korpusi i Gardës Revolucionare, që tashmë ka nën kontroll shumë institucione dhe sektorë të biznesit? Sido që të ndodhë, iranianët e zakonshëm dhe grupet reformiste dhe ato opozitare që do t’i përfaqësonin ata, do të kenë pak zë në këtë përplasje midis ndërmjetësve të brendshëm të pushtetit.
Siç e kam theksuar edhe më parë, vdekja e Udhëheqësit Suprem në një kohë armiqësish të mëdha të brendshme dhe të jashtme ndaj Republikës Islamike do të jetë një moment shumë delikat. Por regjimi ka treguar se ka të gjithë vrerin dhe mungesën e skrupujve që nevojiten për t’i bërë ballë kacafytjeve të historisë.
Kundërshtarët nuk kanë pse të imagjinojnë, siç mendohej në dekadat e kaluara, se vdekja e një figure kyçe mund ta rrëzojë këtë regjim. Sepse ndërsa regjimi po e merr në konsideratë pjesëmarrjen jashtëzakonisht të ulët të votuesve në zgjedhjet parlamentare të fillimit të marsit dhe po lodhet më kot me përpjekjet e tij të padobishme për të fituar legjitimitetin popullor, pasardhësit e Khameneit mund të zgjedhin një në mes të disa opsioneve.
Së pari ata mund të vendosin t’i japin fund dekadave të teatrit institucional dhe elektoral që synon t'i japë besim pretendimit të regjimit se ai është një republikë. Së dyti, të zbulojnë se zotërojnë të gjitha gjërat për të prodhuar një bombë bërthamore në një përpjekje për të detyruar Perëndimin të merret me regjimin me më shumë respekt, siç po bën aktualisht me Pakistanin dhe Korenë e Veriut.
Së treti, të bëjnë disa ndryshime ligjore që do t’ia heqin pushtetin klerit në favor të oficerëve të Gardës Revolucionare. Por a do ta ndihmonin këto opsione mbijetesën e regjimit aktual në Iran?
Transformimi i vendit në një regjim të mbyllur, autokratik e të drejtuar nga një despotë të ngjashëm me udhëheqësin e Koresë së Veriut, mund të dëmtojë lidhjet e tij diplomatike dhe ekonomike me një sërë partnerësh të huaj, dhe ka të ngjarë që të përkeqësojë një situatë ekonomike tashmë të vështirë.
Kjo mund të provokojë një revoltë tjetër nga iranianët e dëshpëruar. Karta bërthamore mund ta privojë atë edhe nga mbështetja e aleatëve kryesorë si Rusia dhe Kina komuniste dhe ndoshta të nxisë një garë bërthamore në Lindjen e Mesme, duke i thelluar më tej tensionet gjeopolitike.
A do ta toleronin Perëndimi dhe administrata Biden, që deri më tani është treguar më shumë sesa e duruar me këtë regjim? Jo zyrtarisht, thuhet se administrata mund të bashkëjetojë edhe me një Republikë Islamike me armë bërthamore, nëse ky fakt përfshin një lloj paqeje të Luftës së Ftohtë në Lindjen e Mesme, bazuar tek frika dhe rreziqet e shtuara.
Me rastin e Gardës, nga rrëmbimi i pushtetit nga klerikët ka të ngjarë të përfitojnë oficerët nën nivelet më të larta ose gjeneralët më të afërt me Udhëheqësin Suprem. Kjo do të thotë se kapitenët, majorët dhe kolonelët që janë përballur me koston e politikave rajonale të Iranit, mund të vendosin se është koha që të jenë ata që marrin vendimet kryesore në Iran.
Komploti i tyre do të jetë përgatitur më parë, për t’u kryer pas vdekjes së Khameneit. Në skenë do të dilnin fytyra të reja dhe kjo do të provokonte arrestimin e personaliteteve të shquara klerikale apo të regjimit, disa prej të cilëve do të fajësohen dhe do të gjykohen për 45 vjet korrupsion dhe paaftësi.
Disa personalitete mund të eliminohen (dhe duhet të presim që shuma të mëdha parash dhe pasuri të patundshme të ndryshojnë duart, për të blerë falje dhe pasaporta). Padronët e rinj të vendit mund të lehtësojnë disi kontrollet sociale dhe censurën - pa hequr dorë nga pushtetin - duke synuar të fitojnë mbështetjen e asaj mase iranianësh të quajtur si “shumica e heshtur”.
Ky regjim i ripërtërirë mund të frenojë gjithashtu edhe aventurizmin rajonal të Republikës Islamike, duke u bërë një lloj regjimi autoritar më pragmatik dhe i aftë për të bërë biznes si me Lindjen po ashtu edhe me Perëndimin. Pikërisht, ky pragmatizëm mund të jetë një kërcënim më i fuqishëm për aspiratat demokratike të popullit sesa një zgjatje e sundimit të klerikëve.
Personalisht, besoj se Garda Revolucionare ka menduar shumë mbi situatën që do të krijohet pas vdekjes së Khameneit, dhe është shumë i besueshëm skenari i një regjimi ushtarak ose militarist. “Junta e kolonelëve” do të konsolidohej në pushtet përmes disa lëvizjeve të kufizuara liberalizuese në vend, reduktimit të përplasjeve me vendet e tjera si dhe një zbutje të problemeve ekonomike për t’i qetësuar iranianët e zakonshëm.
Ndoshta problemi kryesor me opinionin publik në terma afatgjatë do të jetë mungesa e një lideri karizmatik si kreu i ndjerë i forcës rajonale Quds, Qasim Suleimani. Unë dyshoj se vrasja e tij në vitin 2020, në një sulm të urdhëruar nga administrata Trump, nuk synonte vetëm të pengonte terrorizmin rajonal të regjimit, por edhe perspektivat e tij politike.
Për shumë njerëz, e vetmja figurë që mund të luajë këtë rol është djali i Shahut të fundit.
Grupimet opozitare iraniane duhet të shfrytëzojnë shumë pak opsione që kanë: të lobojnë fuqishëm në shtetet perëndimore për ta klasifikuar Gardën Revolucionare si një organizatë terroriste duke promovuar patriotizmin laik e të ligjshëm brenda Iranit, veçanërisht në mesin e forcave të armatosura.
Po ashtu ato duhet të bashkohen rreth një projekti kushtetues apo procesi tranzitor drejt demokracisë, pavarësisht nga orientimet e tyre ideologjike majtas apo djathtas, të udhëhequr nga një figurë e shquar dhe gjerësisht e pranueshme.
Nuk bëhet fjalë për përcaktimin që tani të formës së ardhshme politike të Iranit, por për të qartësuar një rrugë dhe për të gjetur një figurë që njihet dhe respektohet brenda Iranit, për të mobilizuar iranianët pas këtij tranzicioni.
Për shumë njerëz, përfshirë disa nga kritikët e tij më të ashpër, e vetmja figurë që mund ta luajë këtë rol është djali i Shahut të fundit, Reza Pahlavi, një njeri që vazhdimisht e ka theksuar mungesën e ambicieve dinastike për veten e tij. Ashtu si Garda Revolucionare në Teheran, edhe opozita duhet të bëjë planet e saj dhe të paraqitet para Perëndimit si një ekip koherent dhe pragmatik, të cilin ky i fundit mund ta trajtojë si një partner./Përshtati Pamfleti nga “Worldcrunch”
Lini një Përgjigje